Kërkohet më shumë punë nga AKK-ja

Ilustrim

Drejtuesit e Agjencisë Kundër-Korrupsion prezantuan para Komisionit për Legjislacion raportin vjetor anti-korrupsion për vitin 2011.

Anëtarët e këtij komisioni pasi kanë bërë disa pyetje për drejtorin e agjencisë, kërkuan nga ky institucion që të bëjë më shumë përpjekje në luftën kundër korrupsionit.

Por, edhe drejtori i Agjencisë, Hasan Preteni, kërkoi nga deputetët dhe institucionet e tjera të vendit që të përkushtohen më shumë në luftën kundër korrupsionit.

Preteni, para anëtareve të komisionit, tregoi sërish se korrupsioni në shumë institucione, si të nivelit qendror, po ashtu edhe në ato të nivelit lokal, vazhdon të jetë i shtrirë në masë të madhe.

“Në, institucionet që kemi për mision parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, duhet të reflektojmë më pozitivisht, t’i informojmë qytetarët me shifra, me veprime konkrete dhe ai do të ndërrojë mendimin. Sa i takon hetimeve ose luftimit të korrupsionit, puna jonë po mbetet, thënë kushtimisht, nën hije, sepse të gjitha ato çka po gjejmë ne, po shkojnë në Prokurori dhe më pastaj janë procedura të tjera. Korrupsioni në Kosovë nuk po luftohet, flitet shumë, hetohet pak dhe nuk gjykohet fare”, tha Preteni.

Kurse, kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Arben Gashi, tha se deklarata si ato të sotmet, të drejtorit të Agjencisë, janë dëgjuar për vitet me radhë.

Gashi tha se nëse agjencia ka informacione për ndonjë person të dyshuar se është i përfshirë në afera korrupsioni, dhe rastin e dërgon në organet e drejtësisë, duhet edhe të ketë rezultate.

“Ka vite që ne i dëgjojmë këto fjalë - se po hetohen do peshq të mëdhenj, po hetohen do krokodilë e balena, dhe kjo po ndikon në perceptimin e agjencisë, si dhe në perceptimin e masës për korrupsionin”, u shpreh Gashi.

Ndërkaq, Arsim Bajrami nga Partia Demokratike e Kosovës, anëtar i këtij komisioni, tha se Agjencia Kundër-Korrupsion duhet të ketë mbështetjen e të gjitha institucioneve në luftën kundër kësaj dukurie negative.

“Nuk duhet harruar se agjencia është vetëm një hallkë kundër luftës ndaj korrupsionit, sepse ekziston një sistem, i cili ndërlidhet me gjyqësinë etj. Unë e quaj një hallkë shumë të rëndësishme të zbulimit të hershëm të korrupsionit, sepse agjencia nuk gjykon korrupsionin, por heton dhe denoncon”, theksoi Bajrami.

Derisa anëtarët e komisionit e kaluan raportin e agjencisë për shqyrtim në njërën nga seancat e Kuvendit, deputetja Albulena Haxhiu, nga subjekti politik Vetëvendosje, tha se raporti nuk është i përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme. Ajo tha, po ashtu, se krahas raportimit të shumë rasteve për korrupsion, rezultatet janë të padukshme.

Haxhiu e kundërshtoi edhe hartimin e strategjisë kundër korrupsionit për vitin 2012 - 2016.

“Një strategji të njëjtë e kemi pasur edhe në vitin 2009-2011 edhe ajo strategji ka përfunduar dhe nuk kemi asgjë konkrete. Pra, korrupsioni çdo herë e më shumë po rritet dhe shqetësimet e qytetarëve janë çdo here e më të mëdha.
Nuk e di pse ne tash duhet të kemi një strategji tjetër kaq të mangët”
, tha Haxhiu.

Në raportin vjetor të punës për vitin 2011 të Agjencisë Kundër Korrupsion, u tha se në sistemin e drejtësisë, në Qeveri, në pushtetin lokal dhe në institucionet tjera të Kosovës vazhdon të jetë i pranishëm korrupsioni në masë të madhe. Humbjet nga buxheti i Kosovës konsiderohen se mund të kenë qenë mbi 10 milionë euro.

Pak ditë më parë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell deklaroi se “Korrupsioni, në të gjitha format e tij, është bërë një prej kërcënimeve kryesore, me të cilat përballet shoqëria kosovare sot”.