Gjyqësori përballë rrymave politike

Ilustrim

Gjyqësori në Kosovë nuk ka arritur të pavarësohet nga ndikimet politike, dhe indikacionet tregojnë se mungon vullneti politik që një gjë e tillë të arrihet, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike në vend.

Ish-ministri i drejtësisë, Haki Demolli thotë se ekziston një perceptim se politika e ushtron ndikimin në gjyqësor, ndërkohë që për një gjë të tillë kanë sinjalizuar edhe raportet e organizatave relevante ndërkombëtare.
Ekziston një ndjenjë, një perceptim i përgjithshëm, që gjyqësori ende nuk është i pavarur plotësisht, nuk do të thosha vetëm nga politika, por edhe nga faktorët tjerë që ndikojnë.

Ekziston një ndjenjë, një perceptim i përgjithshëm, që gjyqësori ende nuk është i pavarur plotësisht, nuk do të thosha vetëm nga politika, por edhe nga faktorët tjerë që ndikojnë. Pavarësisht se me legjislacion dhe me dispozita ligjore i garantohet pavarësia gjyqësorit, por praktika dhe rastet praktike tregojnë se herë-herë disa nga gjykatësit nuk veprojnë në mënyrë të pavarur, por janë nën ndikime të caktuara”, shprehet Demolli.

Mendim të ngjashëm ka edhe eksperti tjetër për çështje juridike, Ismet Salihu.

Sipas tij, gjyqësori sot nuk i nënshtrohet presionit dhe ndikimit vetëm nga një rrymë politike, por më shumë.

Për të qenë situata edhe më e keqe, është ndikimi i politikave të partive politike. Kjo është edhe më e keqe, më e rrezikshme dhe më e dëmshme se sa ndikimi i një politike. Edhe me rastin e emërimeve dhe riemërimeve të gjyqtarëve, ka tendenca, por edhe veprime të drejtë për drejta që partitë politike, përkatësisht politika, ti ketë njerëzit e vet në gjyqësor-gjykatësit, prokurorët, etj. Madje, i di rastet, që kanë qenë shuam të interesuar që në krye të gjykatave të caktuara të jenë njerëzit e partive, partizanët”, thotë Salihu.

Ai thekson se EULEX-i, pavarësisht të metave, që sipas tij i ka dhe vërejtjeve që i bëhen, ka arritur ti amortizojë dhe mos lejojë këto tentime, sepse e gjithë situata , siç thotë ai, do të bëhej edhe më keq se sa që është.

Ndryshe, të dy këta ekspertë të çështjeve juridike, vlerësojnë se për të arritur një shkallë të lartë të pavarësisë së gjyqësorit nga politika, është i nevojshëm vullneti politik i faktorëve politik.

Demolli thotë, se një vullnet i tillë, deri më tash nuk ka qenë i dukshëm.
Sistemi gjyqësor i pavarur dhe profesional do të ndihmonte në zhvillimin e gjithanshëm të një shoqërie të caktuar.
Sa i përket angazhimit apo iniciativës, ose punës së një subjektit politik, apo vet politikës në përgjithësi që të pavarësohet (gjyqësia), unë nuk e kam vërejtur këtë, ndonëse në parim apo formalisht, e kemi gojën demokraci dhe pavarësi për gjyqësorin. Për mendimin tim, një prej shtyllave kryesore, përveç shtyllës ekonomike, është sistemi gjyqësor i një vendi. Sistemi gjyqësor i pavarur dhe profesional do të ndihmonte në zhvillimin e gjithanshëm të një shoqërie të caktuar”, thekson ai.

Por, Salihu vlerëson se pavarësia e gjyqësorit, mund të sigurohet vetëm nëse ekziston vullneti politik për një gjë të tillë, ndërkaq, që nëse kjo arrihet, sipas tij, megjithatë nevojitet monitorim i punës së gjyqësorit.

Është fakt se duhet të pavarësohet gjyqësori. Gjyqtari duhet ta kryej punën e tij në mënyrë autonome, të pavarur. Jo ashtu siç i teket atij, por në bazë të ligjit. Këtë po e theksoj për shkak se edhe ndaj gjyqësorit, ndaj gjyqtarëve, duhet të ndërtohen mekanizma jashtë-politik, jashtë-partiak, të cilët do ta mbikëqyrnin punën e gjyqtarit dhe prokurorit, sepse, prej qindra gjyqtarëve del një ose dy, apo një përqindje që bëjnë çfarë të duan, interpretojnë si të duan ose nuk punojnë”.

Sido që të jetë, ekspertët e çështjeve juridike, vlerësojnë se pavarësimi i gjyqësorit nga politika, jo vetëm tash, por as në dhjetë vitet e ardhshme, nuk do të mund të bëhet pa ndihmën e ndërkombëtarëve.