Financimi i partive - i panjohur

Ilustrim

Përfaqësues nga shoqëria civile në Kosovë thonë se mënyrat se si financohen subjektet politike mbeten ende të panjohura dhe të pazbuluara, si pasojë e zbrazëtirës ligjore dhe kapaciteteve të dobëta të institucioneve mbikëqyrëse shtetërore.

Në një konferencë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Ligji për financimin e partive politike dhe zbatimi i tij në praktikë”, u tha se që nga paslufta, partitë politike asnjëherë nuk kanë shprehur gatishmëri për të publikuar raportet e tyre financiare.

Merita Mustafa, nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha se publikimi i informacioneve financiare, është element thelbësor në sigurimin e llogaridhënies së subjekteve politike ndaj votuesve të tyre.

Përderisa ato nuk i deklarojnë donacionet me të gjitha detajet siç e thotë ligji, atëherë mund të ketë dyshime se këto parti mund të financohen nga çfarëdo lloj fondi, çoftë ai nga një ekonomi informate, nga krimi i organizuar, e të gjitha këto. Pra, kjo është shumë e rëndësishme që nesër të zbatohet ligji dhe ta dinë qytetarët e Kosovës se nga po i marrin partitë këto para”, tha Mustafa.

Zonja Mustafa tha po ashtu se publikimi i informacioneve për financim e partive politike, u mundëson qytetarëve, mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe atyre që aspirojnë të jenë zyrtarë të zgjedhur që të jenë të përfshirë në monitorimin e financimit të subjekteve politike.

Nëse nuk ka transparencë për këtë fond kaq të vogël, i cili ndërtohet nga qytetari, atëherë si mund t’i besojmë një partie, e cila do të jetë në pushtet edhe do ta ketë një buxhet shumë të madh”, u shpreh Mustafa.

Ligji për financimin e subjekteve politike, ka hyrë në fuqi në vitin 2010.

Po në ketë vit, në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian është thënë se Ligji për financimin e subjekteve politike nuk është në përputhje me standardet evropiane.

Mospërputhja, sipas raportit, ka të bëjë kryesisht me mos rregullimin e donacioneve për subjektet politike nga bizneset që njëkohësisht ofrojnë mallra dhe shërbime për administratën publike.

Përfaqësuesit e partive politike, si të atyre në pushtet dhe ato të opozitës, thanë në debate se ligji për financimin e partive politike duhet të zbatohet në tërësi dhe jo pjesërisht.

Safete Haderxhonaj nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se ligji, edhe pse ka pësuar disa ndryshime pas miratimit, ai nuk po zbatohet si tërësi.

Sikurse shumica prej ligjeve të tjera, të cilat nuk kanë gjetur zbatueshmërinë e tërësishme në praktikë. Megjithatë unë them se janë bërë veprime pozitive që respektohet dhe zbatohet ligji”, theksoi Haderxhonaj.

Kurse shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri u shpreh se të gjitha ligjet duhet të zbatohen dhe nuk duhet të ketë lëshime për asnjë subjekt politik.

“Kompletimi i infrastrukturës ligjore, por edhe i infrastrukturës së brendshme partiake, siguron të ardhme, që të kemi transparencë më të madhe, por edhe lëshime më të vogla. Unë mund të them me përgjegjësi që po mundohemi si subjekt politik ta kryejmë atë që kemi obligim, dhe duhet të kemi gatishmërinë. Fundi i fundit, ligji nuk duhet të na pyes a jemi të gatshëm të japim llogari për punën që nuk e kemi bërë mirë apo jo. Ligji është ligj, dhe atij duhet t’i nënshtrohemi. Këtu nuk duhet të ketë pardon”, tha Beqiri.

Nga ana tjetër Alba Krasniqi, anëtare e KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se ligji për financimin e partive politike në masë të madhe duhet të ndryshojë.

Ligji ka shkuar ashtu siç ka shkuar. Edhe është e vërtetë jo që lë hapsirë, por ka shumë hapësirë ku ky ligj duhet të përmirësohet dhe duhet të ketë një qasje serioze ndaj ligjeve të cilat janë të ndjeshme, si puna e këtij ligji”, tha ai.

Kurse, sekretari i përgjigjëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, lidhur me mos zbatimin e ligjit për financimin e partive politike shprehet:

Në përgjithësi mund të ketë shkelje të disa proceduarave, por nuk ka gjetje të mëdha, të këqija, për partitë politike, sa i përket mjeteve financiare që vijnë nga buxheti i Kosovës, sepse ato kontrollohen nga KQZ-ja dhe jo nga partitë. Por, problemi kryesor në Kosovë është se ato mjete financiare që hyjnë në parti politike si donacione për avantazhe ekonomike, nuk kanë raportim të saktë dhe qartë financiar në KQZ dhe në institucione të tjera”, deklaroi Ramadani.

Instituti Demokratik i Kosovës rekomandoi se për përmirësimin e kornizës ligjore për transparencën në financimin e subjekteve politike duhet që të gjitha çështjet që ndërlidhen me financim, duke përfshirë financimin e rregullt, financimin për zgjedhjet e përgjithshme, lokale dhe atyre presidenciale, të përfshihen në një ligj të vetëm: Ligjin për financimin e subjekteve politike.