Specifikimi i profileve, mundësi për punësim

Sistemi i shkollimit në Kosovë, sidomos ai universitar, në profilet e ndryshme nuk ofron specifikime të duhura, me të cilat kuadrove që dalin nga ky shkollim, do t’u krijonin konkurrencë të arsyeshme, përballë kërkesave që ka tregu i punës në vend, vlerësojnë disa të rinj të Kosovës.



Në rubrikën tonë të përjavshme VOX, ata thonë se edhe më tutje shumica e fakultetet në universitete të ndryshme, ofrojnë degë të caktuara, të cilat e mbingarkojnë konkurrencën e punësimit dhe, rrjedhimisht, krijojnë parakushte për papunësinë e lartë në vend. Megjithatë, disa prej tyre thonë se ka edhe përjashtime në këtë drejtim.

Arbnor Sahitaj, student i degës së Gjeografisë, thotë se fusha, të cilën ai e studion, është e përgjithshme dhe nuk ka ndonjë specifikë të caktuar.

“Vetëm gjeografi e përgjithshme. Po shpresoj ta përfundoj, në rend të parë, e pastaj vijnë gjërat tjera”, thotë Arbnor Sahitaj.

Edhe Qëndrim Gashi studion në degën e Gjeografisë, por, sipas tij, në këtë degë janë vetëm dy drejtime, gjë që jep pak zgjedhje që në të ardhmen të fitohet vendi i punës:

“Vetëm dy drejtime janë, arsimor dhe aplikativ, dhe tjetër s’ka. Aty fokusohen të gjithë. Ti nuk ke drejtim tjetër që e zgjedh dhe të hysh në punë. Ndonjë mësues ose... më shumë me këtë nuk mund të bësh. Në Kosovë janë kushtet të tilla që me gjeografinë dhe të ngjashmet, nuk merren shumë. Edhe institute po të kesh, nuk ka aq mjete sa ta shfrytëzosh diturinë tënde që e ke arritur në fakultet”.

Flamur Gashi thotë se studion në Fakultetin e Edukimit. Sipas tij, ky fakultet ofron specifikimin e profilit.

“Në bazë të asaj që studioj unë, mendoj se ka profilizim puna me Fakultetin e Edukimit, pavarësisht se çka studion në Edukim. Unë jam i specifikuar për Fizikën. Mendoj dhe jam i sigurt që ka punë”, shprehet Flamur Gashi.

Por, Robertina Palokaj, e cila studion në Fakultetin Juridik, thotë se ajo mund t’i qaset një profilizimi të caktuar vetëm nëse hyn për studime master dhe më pas eventualisht të krijojë mundësinë për punësim:

“Kur ta përfundoj krejt, specializohem më lart, mendoj se kam për të pasur një të ardhme. Tash për tash jo... s’ma merr mendja se ka diçka. Ka konkurrencë, për këtë nuk mendoj se mund të gjej diçka”.

Valdrin Grajçevci studion në Fakultetin e Ekonomisë. Ai thotë se pavarësisht që brenda këtij fakulteti ka disa drejtime, megjithatë, sipas tij, ato janë krejtësisht të ngjashme dhe nuk ka profilizime të caktuara në kuadër të studimeve.

“Unë mendoj se nuk ekziston profilizimi. Shumica, për shembull në Ekonomik, janë në Ekonomikun e përgjithshëm dhe po ta kryesh për shembull Menaxhimin, ti prapë në ‘master’ mund të vazhdosh çfarëdo drejtimi. Nuk e ke të caktuar. Edhe Juridiku është ashtu. Për shembull, ato lëndë që i mëson në (drejtimi) Marketing, të njëjtat i mëson edhe Menaxhim. E ngjashme shumë. Tregu i punës është shumë i vogël për të gjithë këta studentë që po diplomojnë. Duhet të pranohen aq sa i pranon tregu dhe jo të pranohen të gjithë studentët që aplikojnë”, thotë Valdrin Grajçevci.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe Arbër Selmani, i cili, po ashtu, studion në Fakultetin Ekonomik.

“Me gjithë këto 4 apo 5 drejtime, që nuk e di saktë se sa funksionojnë brenda Fakultetit Ekonomik, unë nuk mendoj se mund të arrihen profilizime të mëdha. Duke u nisur nga fakulteti im, nuk është që kemi ne aq shumë profilizime dhe aq shumë institucione, vende të punës, të cilat do të mund t’i pranonin të gjithë këta njerëz. Unë e di që ka shumë shkenca dhe drejtime që ne, si Kosovë, nuk i njohim. Ka nevojë t’i njohim dhe t’i nxjerrim kuadrot”, pohon Arbër Selmani.

Nevoja për më shumë profile brenda një profesioni ekziston, thotë Jeta Shala, studente e Fakultetit të Arkitekturës:

“Sigurisht që është më mirë në qoftë se përcaktohesh që nga fillimi, sepse atëherë do të jesh i specializuar në një drejtim të caktuar. Ka drejtime të ndryshme (të arkitekturës). Është Urbanizmi, Enterieri dhe shumë drejtime të ndryshme që startohet me to. Ato nuk janë te ne. Por, varet prej personit. Mua, personalisht, më është përshtatur mënyra e tashme e studimit, për shkak se nuk kam qenë e vetëdijshme në të vërtetë, pa e pasur një bazë, njohuri mbi të gjithë lëmit e Arkitekturës. Pastaj, pas këtij studimi ‘bachelor’, mund të marr një drejtim të caktuar në ‘master’”.

Ndryshe, një numër i këtyre studentëve shpreh mendimin se pamundësia për shumëllojshmëri të profileve në segmente të caktuara të studimeve, defektin e ka në sistemin e përgjithshëm arsimor në Kosovë. Disa thonë se profilizimi i saktë duhet të niset që nga shkollimi i ulët dhe i mesëm.

Kështu mendon edhe Luan Mehmetaj, student në Fakultetit Juridik:

“Profilizimin unë më shumë e shoh te shkollat fillore dhe të mesme, ku ato patjetër duhet të profilizohen dhe se kategoritë e nxënësve duhet të klasifikohen. Pra, ata që janë për një shkollë profesionale të mesme, duhet të ndalen aty dhe të punësohen në bazë të atyre njohurive profesionale që fitojnë. Gjithashtu, edhe nëpër fakultete mendoj se është duke ardhur deri te një mentalitet i ri, kur në botën moderne kërkohen më shumë njohuri profesionale dhe profesioni është ai, i cili të bën të vlefshëm”.

Por, mendim tjetër ka Shpresa Shala, studentë e Mjekësisë së Përgjithshme.

“Mendoj se patjetër duhet pasur njohuri të përgjithshme. Prej shkollës të mesme, ta marrësh një drejtim shume të ngushtë, vetëm të një drejtimi, atëherë ti nuk ke njohuri për gjithë drejtimin. Degëzohen njohuritë. Patjetër duhet marrë të përgjithshmen, sidomos për lëmin e mjekësisë”, konsideron Shpresa Shala.

Sidoqoftë, tregut të punës në Kosovë, për çdo vit i shtohen rreth 35 mijë të rinj, ndërkohë tregu i punës absorbon maksimalisht 6 mijë punëtorë të rinj në vit. Kurse, shkalla e papunësisë vlerësohet të jetë rreth 43 për qind.