Thaçi: E bëmë hapin e parë

Hashim Thaçi, 1 mars, Bruksel

Kosova ka bërë hapin e parë drejt integrimit në Bashkimin Evropian, deklaroi të shtunën kryeministri Hashim Thaçi, pas kthimit nga Brukseli.

Ai tha se vendimi i Këshillit të Ministrave për studimin e fizibilitetit për Kosovën, si hapi i parë drejt marrëveshjes për Stabilizim-Asociim është një sukses i madh për Kosovën, ndonëse pranoi se rruga deri te anëtarësimi do të jetë mjaft e gjatë.

Studimi i fizibilitetit për Kosovën pasoi marrëveshjen e arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për përdorimin e fusnotës në emrin e Kosovës gjatë përfaqësimit të saj në nismat rajonale.

“Ky është një sukses i Kosovës. Është një sukses i përbashkët i politikës kosovare, i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Është suksesi i shtetit tonë. Pra, rruga e të deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Bashkimit Evropian sikurse edhe shembujt tjerë të vendeve të rajonit nuk do të jetë e shkurtër. Do të kemi ballafaqime, do të kemi sfida, do të kemi edhe shumë punë për të bërë. Por, ajo që është shumë me rëndësi, hapi i parë, historia është bërë”, tha Thaçi, pas kthimit nga Brukseli.

Thaçi tha, me këtë rast, se Kosova dhe Serbia nuk mund ta pengojnë njëra-tjetrën drejtë Bashkimit Evropian.

“Kosova dhe Serbia nuk mund ta pengojnë njëra tjetrën drejtë Bashkimit Evropian dhe izolim për Kosovën nuk do të ketë”, tha kryeministri Thaçi.

Ai foli edhe për veriun e Kosovës dhe u zotua edhe njëherë se në atë pjesë do të ketë vetëm zbatim të Planit të Ahtisarit me ambiciet për vendosjen e rendit dhe ligjit.

Po të shtunën, edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa bëri disa komente në lidhje me zhvillimet e fundit që pasuan marrëveshjen për fusnotën dhe vendimin e Brukselit për studimin e fizibilitetit për Kosovën, në njërën anë, dhe aprovimin e statusit të vendit kandidat për integrim në BE për Serbinë, në anën tjetër.

Gjatë Konventës së punës së LDK-së, lideri opozitar, Isa Mustafa, tha se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë çështje të mbyllura dhe nuk mund të diskutohen më me asnjë vend tjetër. Këtë mesazh politik ai e adresoi në raport me zhvillimet në veri të Kosovës, ku Serbia ende i mban strukturat e saj duke pamundësuar shtrirjen e pushtetit legal të Kosovës në atë pjesë.

“Shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, veçmas në disa komuna me shumicë serbe në veri të vendit, janë sfida për forcimin e pavarësisë dhe të shtet-ndërtimit”, theksoi Mustafa.

Duke iu referuar bisedimeve me Serbinë, Mustafa tha se LDK-ja angazhohet për zgjidhjen me dialog të problemeve me fqinjët, pa e prekur sistemin kushtetues, rregullimin e brendshëm dhe kufijtë, duke ofruar të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët.