Bashkimi Evropian formalisht i ka ofruar Serbisë statusin e kandidatit për pranim në bllokun prej 27 shteteve evropiane.

Mbrëmë vonë, në samitin e shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Bruksel, është arritur pajtueshmëria që Serbisë t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Megjithatë, anëtarësimi mund të zgjasë vite të tëra.

Vendimin e shpalli presidenti i BE-së, Herman Van Rompoj, i cili theksoi se ky është edhe rezultat i dialogut Beograd – Prishtinë.

“Ne sonte u pajtuam për t’i dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat për BE. Kjo është një e arritur e mrekullueshme dhe është rezultat i përpjekjeve të demonstruara nga të dy palët në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës".

"Shpresoj se kjo do ta inkurajoj Serbinë për ndërmarrjen e përpjekjeve të mëtejshme me synim që t’i plotësoj kriteret politike dhe ekonomike për anëtarësim në BE. Poashtu, shpresoj se Beogradi do të vazhdoj ta mbështesë bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor”, tha Van Rompoj.

Të enjten, në Bruksel, shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, ka shprehur mirënjohje ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Bruksel.

Duke kujtuar atë që e ka cilësuar marrëveshje historike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sa i përket bashkëpunimit rajonal të të dyja palëve, Eshton ka vlerësuar kontributin e kryeministrit kosovar, për, siç ka thënë, vizionin dhe lidershipin e tij.

“Kjo marrëveshje do të thotë se Kosova do të marrë pjesë dhe do të flasë vetë për veten e saj në më shumë se 35 forume të ndryshme rajonale. Kosova po ashtu do të jetë në gjendje të nënshkruajë vetë marrëveshje. UNMIK-u tashmë ka deklaruar se do t’i lërë këto të drejta për Kosovën”, ka thënë Eshton para gazetarëve në Bruksel. (f.b.)
Përdorimi i përmbajtjes sonë
⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.
Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.