Politika “dyfytyrëshe”

Serbët në Graçanicë duke votuar në zgjedhjet e kaluara parlamentare të organizuara nga Kuvendi i Kosovës.

Serbët, të cilët jetojnë në Kosovën qendrore, janë shkëputur nga politikat dhe veprimet që i bëjnë serbët që jetojnë në veri të Kosovës, vlerësojnë politikanët serbë, që jetojnë në të dyja anët e lumit Ibër.

Marko Jakshiq, politikan serb nga veriu i Kosovës, vlerëson se kjo shkëputje është rezultat i politikave, siç i quan ai, dyfytyrëshe të Beogradit zyrtar ndaj serbëve që jetojnë në jug dhe atyre që jetojnë në veri të lumit Ibër.

Ai thotë se, dalja e një numri të madh të serbëve që jetojnë nëpër enklava në Kosovën qendrore, në zgjedhjet e organizuara nga institucionet e Kosovës, e ka orientuar aktivitetin politik të atyre serbëve drejt Prishtinës, dhe një gjë e tillë, sipas tij, është bërë edhe me bekimin e Beogradit.
Kjo është politikë oportune dhe jomorale e Beogradit, sepse për këtë arsye tash duket se në Kosovë ekzistojnë dy
politika.

“Në këtë mënyrë, Beogradi nga ana e tij, ta them kështu, i ka çregjistruar politikisht serbët nga kjo pjesë dhe është orientuar që ta mbrojë veriun e Kosovës. Kjo është politikë oportune dhe jomorale e Beogradit, sepse për këtë arsye tash duket se në Kosovë ekzistojnë dy politika”, thotë Jakshiq.

Sipas tij, kjo është edhe arsyeja pse një numër serbësh që jetojnë në Kosovën qendrore kanë nënshkruar peticionin, me të cilin kërkohet nga Beogradi zyrtar që zgjedhjet e ardhshme lokale serbe të organizohen edhe në hapësirat ku jetojnë serbët në Kosovën qendrore. Por, Jakshiq thotë se mbajtja e këtyre zgjedhjeve ende nuk është e sigurt nëse do të ndodhë edhe në komunat serbe në veri të Kosovës.

Politikania serbe nga Kosova qendrore, Rada Trajkoviq, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, vlerëson se serbët që jetojnë në jug të lumit Ibër janë, siç thotë ajo, të objektivizuar.

Sipas saj, serbët e Kosovës qendrore, të cilët nuk e përkrahin ndarjen e vendit, po shfrytëzohen nga politikanët, qoftë në Prishtinë qoftë në Beograd, për arritjen e qëllimeve të tyre dhe jo për proceset demokratike politike në vend.

Rada Trajkoviq

“Unë mendoj se serbët që jetojnë në Kosovë, në përgjithësi, janë të ndarë në dy strategji. Njëra është ajo, e cila përkrah atë që po ndodh në veri dhe që kam frikë se në fund do të përfundojë keq".

"Nëse keni barrikada dhe pas kësaj është kërkesa për shtetësi ruse; më pas nëse e keni edhe mbështetjen e një pjese të kishës, e cila nuk është zyrtarisht kishë; nëse veriu po përplaset me të gjithë, me bashkësinë ndërkombëtare, me shqiptarët, me Beogradin, atëherë pas referendumit, e gjithë kjo duhet të vijojë me proces të ri. Ky proces nënkupton që njerëzit do ta anulojnë referendumin - gjë që nuk besoj se do të ndodhë ose do të shkojnë tutje, për ta shpallur ndarjen e veriut nga Kosova”
, vlerëson Trajkoviq.

Ndërkaq, Jakshiq thotë se megjithatë një numër i serbëve që jetojnë në jug të Ibrit i kanë përkrahur veprimet e serbëve që jetojnë në veri.

“Sa i përket pjesëmarrjes në barrikada, ka pasur një numër të serbëve nga të ashtuquajturat fshatra serbe, para së gjithash, nga Prilluzha, Babin Mosti dhe vendbanime të tjera. Ata kanë qenë në barrikada, sidomos në Zubin Potok. Ka pasur edhe zëra pozitiv që i kanë përkrahur serbët e veriut dhe këta zëra kanë arritur nga serbët e Shtërpcës dhe Anamoravës”, thekson Jakshiq.

Por, Trajkoviq thotë se zëri i serbëve që jetojnë në Kosovën qendrore nuk po arrin deri te serbët e veriut, për shkak se, siç thotë ajo, ai po bllokohet nga mediat serbe. Sipas saj, mënyra e të menduarit dhe bërjes së politikës nga ana e serbëve që jetojnë në jug të lumit Ibër, ndryshon nga ajo e serbëve që jetojnë në veri të lumit Ibër.

“Ky është realitet dhe një gjë e tillë është e dukshme. Por, disi, nuk po lejohet që të depërtojë ndonjë rrëfim tjetër në veri. Veriu, është mjaft i mbrojtur në formën mediale dhe në çfarëdo mënyre tjetër nga ndikimi i serbëve që jetojnë në jug të lumit Ibër, të cilët, mendojnë në mënyrën, që nënkupton një qasje unike të serbëve për zgjidhjen e çështjes serbe në Kosovë”, potencon Trajkoviq.

Ajo, gjithashtu, shpreh mendimin se deklaratat e fundit të kryetarit serb Boris Tadiq, se nuk do të ketë ndarje, janë një përgatitje e Beogradit që t’i kthehet politikës që do t’i respektonte interesat e serbëve në jug të lumit Ibër.