Luftë ekonomisë joformale

Ilustrim

Qeveria e Maqedonisë ka hartuar një plan për të luftuar ekonominë joformale që pengon zhvillimin ekonomik në vend, duke krijuar kushte të pabarabarta në sektorin e biznesit, njëherësh duke dëmtuar dhe vetë interesat e punëtorëve, bën të ditur ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini.

Ai thotë se Ministria e Ekonomisë në kuadër të aktiviteteve dhe obligimeve të saj, do të punojë për implementimin e ligjeve të ndryshme për uljen e ekonomisë së zezë.

Valon Saraçini

“Një ndër masat do të jetë lufta e hatashme që do ta bëjmë me kompanitë, institucionet apo menaxherët, të cilët udhëheqin me kompani të caktuara dhe nuk i paraqesin punëtorët, nuk i paguajnë të dhënat për to, nuk i paraqesin tatimet. Në këtë formë do të angazhohemi që të gjitha paratë, të cilat qarkullojnë në Republikën e Maqedonisë, të mos përfundojnë në xhepin e individëve të caktuar, por të ndikojnë në zhvillimin ekonomik të tërë vendit”, thotë Saraçini.

Edhe nga dikasteri i Punës dhe Politikës Sociale, theksojnë se të gjitha subjektet afariste, te të cilët do të ketë punëtorë të paparaqitur, do të përballen me gjoba të larta.

“Lëshime në kontrollet që do të realizohen, e që kanë të bëjnë me mosparaqitjen e punëtorëve, nuk do të ketë. Kjo mund të shihet qartë edhe me ndryshimet e Ligjit për marrëdhënie pune, ku parashikohen gjoba prej 6 deri 7 mijë euro nëse një kompani ka punëtorë të paparaqitur”, njofton ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Spiro Ristovski.

Por, ekspertët thonë se është ekonomia joformale ajo, që e ruan stabilitetin në vend në këtë gjendje të rëndë ekonomike, në të cilën gjendet vendi.

Sipas Menderes Kuçit, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, përpjekja e autoriteteve shtetërore për ta luftuar ekonominë e zezë është një dëshmi se arka shtetërore është e zbrazët dhe tentohet të mbushet përmes gjobave. Sipas Kuçit, në këto rrethana është pak e besueshme se ka një qasje të sinqertë nga ana e shtetit që të krijohet klimë e mirëfilltë për zhvillimin e biznesit.

“Shteti kur dëshiron i lejon ato kompani të veprojnë pa i realizuar obligimet ndaj punëtorëve dhe kur dëshiron i zë duke ua ‘ngrënë’ edhe atë pak fitim që e realizojnë”, shprehet Kuçi.

Nga ana tjetër, duke komentuar reklamat e Qeverisë 'Guxo dhe fillo biznes”, për të motivuar qytetarët të legalizojnë biznesin e tyre, Lubco Despotovski, ekspert i ekonomisë, vlerëson se motivimi i qytetarëve duhet të jetë në aspektin për të njoftuar se cilat janë privilegjet nëse bëhesh pjesë e sistemit dhe jo, siç shprehet ai, me reklamime idioteske si kanë filluar të funksionojë brendet botërore si NIKE ose Coca-Cola, ngase këto praktika përderisa nuk përkasin me realitetin tonë, irritojnë qytetarët në vend se t’i motivojnë.

”Pra, duhet t’u shpjegohet qytetarëve çka do të thotë të jesh pjesë e sistemit, me cilat benifite do të disponosh në afat të shkurtër dhe atë më të gjatë, çka do të thotë me saktësi sigurimi pensional, ai shëndetësor etj. Pra, çështje të prekshme që kanë të bëjnë me realitetin tonë dhe jo brende botërore me kapital marramendës, ndërkohë që këtu biznesi është në kufijtë e ekzistencës”, vlerëson Despotovski.

Ndryshe, në Maqedoni, një e treta e popullatës rezulton si e papunë në Entin për Punësim, por konsiderohet se një pjesë e madhe e këtij numri është e përfshirë në ekonominë e zezë për të përfituar nga paketat sociale të shtetit. Kurse, ekspertët vlerësojnë se është pikërisht biznesi gri, ai që ruan qetësinë sociale në Maqedoni, pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë.