Kultura dhe arti jo-atraktiv!

Ilustrim

Ekziston ose jo hapësira kulturore dhe mundësia për të konsumuar art me vlerë në Kosovë, nga të rinjtë kosovarë matet me barometrin e asaj se sa janë atraktive organizimet, manifestimet shfaqjet apo koncertet artistike.

Në rubrikën e përjavshme “VOX”, në programin tonë, të rinjtë shfaqin mendimet e tyre lidhur me atë se sa çfarë është jeta kulturore dhe artistike në vend, sa të vlefshme e konsiderojnë atë, si dhe sa janë të gatshëm që t’i konsumojnë ato vlera.

Armend Kelmendi, student në Universitetin Amerikan të Kosovës, vlerëson se aktivitetet kulturore në vend neglizhohen, qoftë nga ata që duhet t’i mbështesin, qoftë prej atyre që u dedikohen ato.

“Gjithsesi, këtë punën e krijimit të vlerave artistike ose, me një fjalë tjetër, organizimet e koncerteve të ndryshme, aktiviteteve të ndryshme për ofrimin e vlerave kulturore për të rinjtë, unë e shoh më shumë si një përmbushje të një kuote sa për të thënë se kemi bërë diçka. Kur flas kështu, i referohem Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe nivelit lokal. Njerëzit edhe nuk janë shumë të interesuar, duke pasur obligime tjera. Arti është aq shumë i anashkaluar në Kosovë, e arti është pjesë e kulturës. Atëherë, e bën automatikisht kulturën të anashkaluar prej njerëzve në Kosovë”, thotë Armend Kelmendi.

Albert Krasniqi, vlerëson se, qoftë institucionet, qoftë shoqëria civile në Kosovë duhet krijuar kushte dhe hapësirë për zhvillim të artit dhe prodhimit të tij. Por, sipas tij, edhe të rinjtë duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi këtij segmenti të jetës:

“Dy herë në muaj shkoj në kinema dhe në teatër. Më pëlqen. Kisha pasur dëshirë që të kemi hapësirë edhe më shumë, që të rinjtë ta shfrytëzojnë kohën e lirë. Më mirë është që të ketë hapësirë më shumë për art dhe t’u kushtohet rëndësi arteve, se sa të shkohet nëpër rrugë të këqija apo, ashtu siç po ndodh, të devijojnë”.

Ndryshe mendon Sead Vuniqi. Ai thotë se ka hapësirë, qoftë për të krijuar, qoftë për të konsumuar, vlerat artistike dhe kulturore:

“Tash, duke e marrë parasysh që këto vitet e fundit më shumë po jepet për artin, ka hapësirë dhe goxha shumë ka nisur të përparohet në këtë drejtim. Sa më përket mua, nëse jam i interesuar mund të gjej kohë për këtë”.

Por, a janë të rinjtë kosovarë të interesuar se çfarë ngjarjesh kulturore dhe artistike zhvillohen në hapësirën ku jetojnë? Sipas Vlora Prizrenit, shumë pak, ndonëse ajo thotë se jeta kulturore është e pasur, sidomos në kryeqytet.

“Po, ka. Shfaqjet e baletit, për shembull, janë çdo javë - çdo të enjte dhe të premte. Shumë pak është i interesuar publiku. Për shembull, pse të mos vijnë të rinjtë në një koncert? Ka plot. Varet se çfarë do dhe çfarë ke qejf. Gjithçka varet prej personit se si është i interesuar. Por, rinia e sotme... mos pyet. Nuk janë të interesuar për asgjë e lëre më për art”, shprehet Vlora Prizreni.

Filloreta Gashi thotë se interesimi i të rinjve për jetën kulturore po shënon rënie gjithnjë e më shumë. Ajo shpreh mendimin se shkaktar për këtë është se aktivitetet kulturore dhe artistike nuk ofrojnë atraktivitet:

“Është keq për të thënë, por, kohët e fundit, në një sondazh që e kam lexuar, për shembull, në kinemanë ABC ka rënë shikueshmëria shumë, për dallim nga viti i kaluar. Ndërsa, për teatrin, mund të thuhet se fare nuk vizitohet nga të rinjtë. Ndoshta, mosinteresimi është për shkak të shfaqjeve jo aq interesante. Nuk mendoj se ka atraktivitet. Ndoshta duhet punuar më shumë në këtë drejtim”.

Ngjashëm mendon edhe Nora Pllana:

“Mendoj se ana kulturore më shumë po vlerësohet nga ata që janë më të vjetër se ne, pasi që ata i çmojnë këto gjëra më shumë se rinia. Ne, rinia, kohët e fundit, po merremi me gjëra më atraktive, për shkak të teknologjisë së lartë që ka arritur në vendin tonë. Ne, rinia, jemi shumë dinamikë dhe nuk na pritet shumë”.

Donjeta Morina, thotë se aktivitetet kulturore dhe artistike janë të pranishme në vend, por interesimi i të rinjve për to është minimal.

“Filma, shfaqje, dokumentarë, kohët e fundit ka. Por, nuk ka diçka atraktive për ta tërhequr publikun, e edhe të rinjtë. Ma merr mendja se nuk ka shumë marketing apo publicitet për shfaqjet dhe nuk janë të kualitetit shumë të lartë, për shembull, siç janë në vendet tjera”, pohon Donjeta Morina.

Arton Vllasaliu merr një shembull të asaj se çfarë i tërheqë të rinjtë më shumë:

“Në qoftë se e marrim shembull verën e fundit, kur ishte “Birrë-Fest”-i, do të thotë, festivali i birrës, ka pasur aq shumë të pranishëm. Ka zgjatur më duket 3 ditë. Ka qenë ditën e natën. Të mos flasim me shifra, por, mund të them se aq sa shkojnë për një vit në Teatrin Kombëtar vizitorë, kanë qenë vetëm për tri ditë (në Birra Fest). Pse? Sepse ka qenë Birrë-Fest, ka pasur muzikë, lojëra, atraktivitet”.

Por, për mosinteresimin dhe mospjesëmarrjen e të rinjve në zhvillimet kulturore dhe artistike, Arbër Zeka nuk i fajëson institucionet qeveritare të kulturës, e as ato që prodhojnë artin, për moshatarët e tij.

“Mendoj se nuk ka interesim prej të rinjve, fillimisht. Nëse Ministria e Kulturës jep dhe krijon hapësira për të pasur ambiente kulturore, ne të rinjtë nuk jemi të interesuar më shumë. Më shumë mendojmë se si të dalim të pimë kafe dhe ta kemi jetën e natës. Edhe nëse organizohet ndonjë aktivitet, sa do të merrnim pjesë ne aty? Nuk besoj se do të merrnim pjesë shumë, për faktin se nuk na duken interesante”, shprehet Arbër Zeka.