Referendumi me sherr për të gjithë

Graçanicë - foto nga arkivi.

Referendumi, të cilin udhëheqësit e serbëve të veriut e kanë paralajmëruar të mbahet në mesin e muajit shkurt të këtij viti, përmes të cilit, sipas tyre, serbët do të deklarohen nëse i pranojnë ose jo institucionet e Republikës së Kosovës, ka nxitur debat dhe polemika ndërmjet politikanëve serbë të vendit.

Ata janë të ndarë rreth pikëpamjes nëse mbajtja eventuale e këtij referendumi është e arsyeshëm dhe e nevojshme.

Politikani serb nga veriu i Kosovës, Marko Jakshiq, nga Partia Demokratike e Serbisë, parti kjo opozitare në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se e përkrah mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës. Sipas tij, referendumi do të reflektojë vullnetin e serbëve lokalë, siç thotë ai, për të mos i pranuar institucionet e Kosovës.

Marko Jakshiq

“Referendumi do ta tregojë vullnetin e popullit se nuk është për një integrim në hapësirën politike, për të cilën flet Prishtina. Prandaj, mendoj se rezultatet e këtij referendumi, duhet të tregojnë se serbët janë të vendosur që të jetojnë në shtetin e Serbisë dhe kurrsesi në Kosovë, nën ombrellën e Prishtinës”, thotë Jakshiq.

Por, mendim krejtësisht të kundërt me Marko Jakshiqin ka politikani serb i veriut të vendit, Dragisha Kërstoviq nga Leposaviqi. Sipas tij, referendumi i paralajmëruar nga përfaqësuesit serbë të komunave në veri të Kosovës, nuk është mënyrë, e cila mund të sjellë rezultate pozitive dhe mund të sigurojë qetësinë në veri të vendit.

“Nuk jam i sigurt që kjo është diçka që mund t’i zgjidhë problemet. Unë më parë do të thosha se ky është një moment i ri dhe një komplikim i ri i situatës”, shprehet Kërstoviq.

Në anën tjetër, mbajtjen e referendumit të paralajmëruar në veri, e kundërshton edhe politikania serbe e Kosovës qendrore, Rada Trajkoviq nga Graçanica, e cila aktualisht është deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe.

Për më shumë, Trajkoviq thotë për Radion Evropa e Lirë se, autoritetet e Beogradit zyrtar do të duhej që ta ndalojnë mbajtjen e referendumit ose ta shpallin si të pavlefshëm, nëse referendumi eventualisht mbahet.

Trajkoviq thekson se referendumi përkrahet nga faktorë të ndryshëm politikë në Serbi, me qëllim që ta komprometojnë situatën në kohën kur Bashkimi Evropian do të diskutojë për çështjen e statusit të kandidatit për Serbinë. Sipas saj, ndikime negative do të dalin edhe për vetë të ashtuquajturat institucionet serbe në veri të Kosovës.

Rada Trajkoviq


“Ata dëshirojnë ta komprometojnë afrimin e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Por, ajo që për mua është edhe më e rrezikshme, është se ato institucione, të cilat Bashkimi Evropian i konsideron si paralele - e kam fjalën për vetëqeverisjen lokale në veri - thjesht, sikur po dëshirojnë ta vërtetojnë se ato institucione janë në funksion të destabilizimit jo vetëm të veriut, por gjithë regjionit. Në këtë kuptim, ajo, për të cilën ata flasin se po bëjnë përpjekje, në mënyrën më të drejtpërdrejtë po futen në projekte të destabilizimit. Qeveria e Serbisë duhet ta anulojë menjëherë referendumin, sepse në esencë ai nuk është legal”, deklaron Trajkoviq.

Sipas saj, mbajtja e referendumit mbase mund t’i konvenojë edhe Bashkimit Evropian dhe Prishtinës zyrtare, sepse në këtë mënyrë, referendumi e defaktorizon Serbinë për të biseduar me Kosovën lidhur me veriun. Ndërkohë, siç thotë Trajkoviq, bashkësia ndërkombëtare do të kërkojë heqjen e të ashtuquajturave institucione serbe në veri, si faktorë të destabilizimit, e në anën tjetër, do ta rrisë presionin ndaj Serbisë.

“Bashkësia ndërkombëtare, tashmë do t’i konsiderojë si faktorë jo stabiliteti këto institucione dhe do të bëjë presion tmerrësisht të madh mbi Beogradin që të shpallë zgjedhjet. Është pikëpyetje se a do të mund Beogradi t’i organizojë zgjedhjet në hapësirën e Kosovës. Ky është një argument i madh në duart e bashkësisë ndërkombëtare. Në anën tjetër, do të komplikohen edhe marrëdhëniet e Prishtinës me veriun e Kosovës”, thekson Trajkoviq.

Sipas Rada Trajkoviqit, e gjithë kjo situatë mund të sjellë një marrëveshje ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare dhe Prishtinës zyrtare, që kjo e fundit ta zgjidhë situatën pa ndonjë kompromis në veri të Kosovës, gjë që, siç thotë Trajkoviq, do të rezultonte me përplasje dhe pastaj edhe destabilizim.