Varshmëria nga interneti

Ilustrim

Shumë të rinj e përmendin internetin si domosdo të një dite rutinë. Ata flasin për ndjenjën e nevojës për të qenë, siç thuhet, i informuar në vazhdimësi me atë që ndodh, jo vetëm në vend, por edhe në botë.

Klikimi i sajteve të ndryshme me qëllim të mësimit apo informimit dhe përdorimi i rrjeteve sociale si Facebook, të rinjtë përmendin si aktivitetet kryesore në internet.

Dafina Bajgora nga Prishtina, studente në Universitetin e Prishtinës, thotë se internetin e shfrytëzon kryesisht për t’u informuar në përgjithësi.

“Kohëve të fundit internetin e përdori shumë, edhe pse nuk e përdori në kohën e lirë, por e shfrytëzoj për raste të ndryshme kur kam nevojë për t’u informuar për diçka që ka ndodhur si në Kosovë, ashtu edhe në shtete të tjera”, tregon Dafina Bajgora.

Agmand Kuçi, psikolog, nga Prishtina, thotë se internetin sot e përdor për hulumtime të ndryshme që kanë të bëjnë me profesionin e tij.

“Internetin e përdori për shumë gjëra për punët e mia që i kam obligime të zyrës dhe për gjëra që mua më interesojnë. Aktualisht, internetin e shfrytëzoj vetëm kur më duhen informata që më takojnë mua dhe nuk rri aty gjithë kohën – ndoshta kjo është për shkak të moshës. Varësisht nga mosha, kur je më i ri, i kushton kohë më shumë edhe internetit, edhe televizorit, edhe shoqërisë, më vonë nuk ke kohë shumë për gjëra të tilla”, thotë Kuçi.

Edhe Egzon Pacolli pohon se internetin e shfrytëzon për punë:

“Nuk e kam hobi internetin, ata më shumë e përdori për punët e mia, të cilat i kam obligime. Herë-herë internetin e shfrytëzoj edhe për kontakt me miqtë e mi”.

Kurse, Vjosa Beqiri, nxënëse e shkollës së mesme, thotë se internetin të rinjtë e shfrytëzojnë më shumë për rrjete shoqërore dhe për të kontaktuar mes vete.

“Jo veç unë, por në përgjithësi rinia sot e përdor shumë internetin edhe mendoj se ka edhe të tillë që nuk e përdorin internetin për humbje kohe. Pra, interneti është një botë eksploruese ku mund të gjenden gjëra shumë të mira. Unë, zakonisht e shfrytëzoj msn-në, Facebook-un edhe ueb-faqe të ndryshme ku mund të marr njohuri”, shprehet Vjosa Beqiri.

Hulumtimet e ndryshme në Shtetet e Bashkuara, thonë se lajmet gjithnjë e më shumë po lexohen në internet, ndërsa televizioni, radioja dhe shtypi po e humbin publikun.

Për Leotrim Pllanën pos lajmeve që i lexon aty, interneti i ndihmon edhe në punën e tij, e madje edhe për studime:

“Mund të them se internetin e përdorim çdo ditë si për informacione të ndryshme, po edhe për hulumtimet të ndryshme që na duhen për fakultet”.

Ndërsa, Erblin Hajdini, 25-vjeç, nga Prishtina, tregon se derisa ishte adoleshent, e kishte shfrytëzuar shumë internetin, kurse tash meqë punon, thotë se nuk ka shumë kohë për internet:

“Kohëve të fundit nuk kam shumë kohë për internet, por më herët e kam shfrytëzuar më shumë. Tash, zakonisht internetin e përdor për kërkime të ndryshme, për Facebook, por edhe për informacione që kanë të bëjnë me sportin”, tregon Erblin Hajdini.

Derisa kritikon të rinjtë që internetin e shfrytëzojnë për gjëra që nuk u hynë në punë, Burim Musa thotë se ai internetin e shfrytëzon për kërkime shkencore.

“Internetin e shfrytëzoj për informacione lidhur me fakultetin, më shumë për shkencë, për materiale të ndryshme. Kurse, mendoj se shumë të rinj internetin e shfrytëzojnë për gjëra të paarsyeshme, ndërsa pak e shfrytëzojnë për ndonjë material që u hynë në punë”, konsideron studenti Burim Musa.

Krahas kërkimeve për çështje të studimeve në internet, Valon Canolli thonë se internetin e shfrytëzon edhe për argëtim me lojëra të ndryshme:

“Në internet rri mesatarisht dy-tri orë në ditë, zakonisht kërkoj informacione të ndryshme për fakultet. Rri edhe në Facebook, por edhe për t’u argëtuar me ndonjë lojë”.

Në fillim të tij viti, Kombet e Bashkuara thanë se numri i përdoruesve të internetit në mbarë botën ka arritur në 2 miliardë, ndërsa 5 miliardë është numri i abonimeve për telefona celularë.

Në fillim të vitit 2000 kanë qenë 250 milionë përdorues interneti - 57 për qind e këtyre të fundit janë në vendet në zhvillim. Të dhënat tregojnë se numri më i madh i përdoruesve të internetit gjendet në Evropë.

Por, një shkencëtare britanike, e njohur në fushën e neurologjisë, Susan Grinfild, thotë se shoqëria duhet të ndërgjegjësohet lidhur me efektet e dëmshme të internetit, rrjeteve sociale dhe lojërave kompjuterike në trurin e njeriut. Sipas saj, përdorimi i motorëve të kërkimit, mund të dëmtojë aftësinë tonë për të mësuar derisa lojërat kompjuterike mund të na bëjnë më jo të qetë në jetën e përditshme.

Susan Grinfild shton se ka elemente shumë pozitive që kanë ardhur së bashku me teknologjinë e informacionit, por duhet të jemi të kujdesshëm për çmimin që po paguajmë.

Ndryshe për here të parë në listën e Komitetit norvegjez për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2010 ishte edhe interneti, si kandidat i parë në historinë e ndarjes së çmimeve, që nuk është qenie njerëzore.

Rrjetin global të internetit e kishte propozuar një revistë italiane, duke vlerësuar se ai është mjet, i cili përmes komunikimit, e avancon dialogun, debatin dhe konsensusin, si dhe e promovon demokracinë.