Të varfër, por me kursime në banka

Ilustrim

Vlera e kursimeve apo depozitave të klientëve në tetë bankat komerciale të Kosovës ka arritur në 2 miliardë e 100 milionë euro, thuhet në një raport të Bankës Qendrore të Kosovës.

Njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë thonë se është e pakuptueshme nga vjen kjo rritje e depozitave në vend, marrë parasysh numrin e madh të të papunëve dhe shkallën e lartë të varfërisë.

Profesori i ekonomisë, Musa Limani, thotë se duhet të shikohet prejardhja e depozitave.

“Pjesa dërrmuese e popullatës nuk mund të kursejë; ajo nuk mund të arrijë në fund të muajit për shkak se pagat në Kosovë janë të ulëta – mesatarja është 350 euro, por ka paga edhe 150 euro. Dhe, me këtë nivel të çmimeve, është e pakuptueshme se prej nga vijnë këto kursime. Do të ishte mirë të bëhet analiza e prejardhjes së depozitave”, thotë Limani.

Sipas tij, një pjesë e këtyre kursimeve mund të jetë arritur nga dërgesat e emigrantëve dhe pasuria e patundshme, por në asnjë mënyrë nga pagat që merr pjesa më e madhe e qytetarëve kosovarë.

Raporti i Bankës Qendrore të Kosovës tregon se depozitat apo kursimet e klientëve, për tre muaj, janë rritur për afro 200 milionë euro. Kjo shumë në muajin qershor ishte 1 miliard e 945 milionë euro, derisa në fund të muajit mars - 1 miliard e 909 milionë euro.

Vlera e përgjithshme e kursimeve përbën rreth gjysmën e vlerës së Bruto Produktit Vendor të Kosovës, që në fund të vitit 2010 ka arritur në 4 miliardë e 215 milionë euro.

Qytetarë të Prishtinës japin mendime të ndryshme rreth kursimeve të parave.

Emin Fetahu, kursimin e të hollave e konsideron një gjë të paarritshme. I lodhur nga puna e taksistit pa përfitime të mëdha, thotë se me të hollat që ai fiton, nuk ia del t’i mbulojë shpenzimet për familjen e tij.

“Një qytetar i thjeshtë nuk mund të mbijetojë me këtë rrogë, e jo më të kursejë, sepse çmimet janë shumë të larta. Ka shpenzime të shumta, tatime, rryma, uji... e pamundur të kursehet”, thotë ai.

Dijana Bunjaku, e cila punon në një kompani private në Prishtinë, thotë se arrin të kursejë të holla nga paga që merr, porse “shuma e kursimeve është e vogël” dhe nuk ndodh çdo muaj.

“Varet nga rrethanat... Ka muaj kur kursej, jo një shumë të madhe, por një shumë të vogël, por ka raste kur i harxhoj menjëherë”, shprehet ajo.

Njohës të çështjeve ekonomike në Prishtinë thonë se nëse qytetarët kanë arritur të kursejnë 2 miliardë euro dhe ato para gjenden në bankat komerciale, atëherë një gjë e tillë flet për sinjale të mira.

Sipas Musa Limanit, është një faktor i rëndësishëm që rrit potencialin kreditor të bankave. Ai thotë se bankat mund të japin kredi me kushte më të volitshme dhe t’i fusin këto para në zhvillimin ekonomik të vendit.

Nëse rritet norma e kamatës së depozitave, do të rriten edhe depozitat. Kjo duhet të jetë një politikë monetare e Bankës Qendrore dhe e Qeverisë së Kosovës, e cila duhet t’i nxisë bankat komerciale që të absorbojnë një sasi të konsiderueshme të parave që disponon popullata. Këto para, bankat t’i përdorin për dhënie të kredive, por jo me këto kushte, sepse aktualisht kushtet janë të pavolitshme”, thotë Limani.

Sipas të dhënave të publikuara nga Enti i Statistikave, rreth një e treta e popullsisë së vendit, apo 34 për qind, jeton nën vijën e varfërisë absolute, me shpenzime ditore në vlerë prej 1.55 eurosh, derisa 12 për qind e popullsisë jeton në varfëri ekstreme me 1.02 euro në ditë.

Lexoni edhe këtë:
Kriza në Eurozonë zvogëlon remitencat në Kosovë