Ndërlidhjet

Normat e interesit s'ulen


Ilustrim
Ilustrim
Normat e interesit për kredi në bankat komerciale të Kosovës vazhdojnë të mbesin të larta. Pavarësisht kritikave të herëpashershme nga organizata joqeveritare që kryejnë hulumtime për këto çështje, normat deri më tani asnjëherë nuk janë ulur. Madje, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, ato vetëm se kanë pësuar rritje.

Në bazë të analizave të Institutit për Studime të Avancuara “GAP”, kamatat e kredisë sillen prej 9 deri në 25 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Rudina Heroi, nga ky institut, thotë se kamatat më të larta janë për kredi biznesi dhe bujqësi, ndërsa ato më të ultat janë për kredi personale.

Ajo po ashtu bën të ditur se normat e interesit gjatë këtij viti janë rritur për një për qind, në krahasim me vitin e kaluar.

“Normat e interesit në Kosovë, nëse krahasohen me vendet e rajonit, mbeten më të lartat në rajon dhe më gjerë”, thotë Heroi.

Një gjë të tillë e konfirmojnë edhe njohësit e çështjeve ekonomike. Naim Gashi thotë se konkurrenca jo e mjaftueshme në sistemin bankar, ka bërë që bankat e njëjta që veprojnë në Kosovë dhe vende të ndryshme të rajonit, të kenë norma të ndryshme të interesit.

“Ne e kemi rastin për shembull në Shqipëri dhe Kosovë: funksionon banka e njëjtë, me kapital dhe pronar të njëjtë; përderisa në Shqipëri, normat e kredisë për shtëpi sillen nën 7 për qind, në Kosovë sillen mbi 10 për qind”, thekson Gashi.


Kush mund t'i ulë kamatat e kredive?

Rudina Heroi flet për faktorët që mund të ndikojnë në rritjen dhe uljen e kamatave për kredi:

“Këtu, sigurisht, ndikojnë: qeveria, Banka Qendrore e Kosovës, gjykatat dhe bizneset. Të gjithë këta akterë mund të ndikojnë që t’i ulin normat e interesit”.

“Për shëmbull, nëse gjykatat do të ishin më efikase, nëse bizneset do t’i raportonin drejt pasqyrat e tyre financiare, pastaj nëse qeveria merret më shumë me stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit, do të zvogëlohet rreziku i kthimit të kredive, që në vitin 2011 ka shënuar rritje në krahasim me vitin 2010”
, thotë Heroi.

Ndërkaq, sipas Naim Gashit, qeveria mund të ndikojë në uljen e këtyre normave përmes dy mënyrave:

“Mënyra e parë është përmes krijimit të kushteve, krijimit të institucioneve, të cilat do të ndikonin në përmbarimin e kontesteve gjyqësore dhe pronësore. Këtu e kam fjalën për gjykatën”.

“Mënyra e dytë do të ishte përmes ofertës së kapitalit në treg. Këtu është fjala për fondet e privatizimit, që do të mund të tërhiqen në Kosovë dhe t’iu jepen bankave komerciale në Kosovë”
, thotë Gashi.

Në Kosovë operojnë tetë banka komerciale dhe përbëjnë 76 për qind të aseteve totale të sektorit financiar.

Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.

Pjesa më e madhe e këtyre kredive absorbohet nga ndërmarrjet e sektorit të tregtisë.
XS
SM
MD
LG