Papunësi edhe në të ardhmen(?)

Pamje në Prishtinë

Shkalla e lartë e papunësisë në Kosovë, e cila llogaritet të jetë mbi 40 për qind, nuk mund të shënojë rënie të dukshme nëse rritja e përgjithshme ekonomike e vendit nuk arrin mbi 10 për qind, vlerësojnë ekspertët e ekonomisë në vend.

Duke pasur parasysh dinamikën e zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe përqindjet e rritjes ekonomike në vitet e fundit, të cilat nuk kalojnë shifrën 5, ekspertët thonë se Kosova, edhe një kohë të gjatë, do të ballafaqohet me problemin e papunësisë.

Njohësi i rrethanave të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, thotë se parashikimet e Qeverisë së Kosovës që rritja ekonomike për vitin 2012 do të jetë 5 për qind, tregojnë se mundësia e uljes së shkallës së papunësisë nuk duket ende në horizont.
Përderisa zhvillimi nuk është në sektorë të qëndrueshëm apo në sektorë afatgjatë, është vështirë të pritet një lehtësim i problemit të papunësisë në Kosovë.

“Përderisa zhvillimi nuk është në sektorë të qëndrueshëm apo në sektorë afatgjatë, është vështirë të pritet një zbutje apo një lehtësim i problemit të papunësisë në Kosovë. Realisht, të gjitha matematikat tregojnë se vetëm një rritje (ekonomike) prej 8 deri në 10 për qind, mund të japë efekt të drejtpërdrejtë në zbutjen e papunësisë”, thotë Rexhepi.

Edhe eksperti tjetër i çështjeve të ekonomisë, Mejdi Bektashi, ka mendim të ngjashëm. Ai thotë se papunësia nuk mund të zbutet në qoftë se Kosova nuk e arrin “përqindjen dyshifrore të rritjes ekonomike”. Sipas tij, një gjë të tillë e kushtëzojnë disa faktorë.

“Pa 10 për qind (të rritjes ekonomike) nuk mund të zvogëlohet papunësia, sepse shtimin natyror ne e kemi afërsisht 2 për qind. Hapja e mbi 30 mijë vendeve të reja të punës - aq sa është kontingjenti që për herë të parë futet në treg të punës - nuk besoj se mund të bëhet pa 7 ose 5 për qind të rritjes (ekonomike). Do të thotë, mund të mbulohet vetëm shtimi natyror. Por, për t’u zvogëluar papunësia, duhet një shkallë ndoshta dyshifrore”, thotë Bektashi.

Duke pasur parasysh ambientin e përgjithshëm në Kosovë, të dy këta ekspertë vlerësojnë se është vështirë që të arrihet deri te një rritje ekonomike mbi 10 për qind.

Rexhepi thotë se nëse shikohet korniza afatmesme e shpenzimeve si dhe dokumentet tjera të Qeverisë së Kosovës, nuk mund të pritet një rritje e dëshirueshme ekonomike, madje as deri në 8 për qind - rritje të cilën, sipas tij, e parasheh për të ardhmen plani strategjik i qeverisë.

“Qeveria edhe vetë është e bindur se është e vështirë të realizohet kjo, pasi që projeksioni për vitin 2012 është 5 për qind. Është pak e pritshme, për shkak se ambienti i përgjithshëm në Kosovë nuk favorizon investime të mëdha apo një ambient të qëndrueshëm të biznesit”.

“Vetëm për ilustrim, po e përmend një fakt shumë absurd. Bizneset apo edhe e tërë Kosova ballafaqohen me mungesën e energjisë elektrike, që është njëri prej faktorëve që e destimulon çdo investitor të mundshëm për në Kosovë”,
thotë Rexhepi.
Partnerët e huaj nuk do të investojnë në një shtet ku nuk garantohen të drejtat pronësore apo nuk mbrohen të drejtat e investitorëve të huaj.

Ndërkaq, sipas Bektashit, Kosova nuk mund ta dyfishojë përqindjen e rritjes ekonomike nëse bazohet vetëm në burimet e brendshme.

“Nevojitet ndihma e partnerëve ndërkombëtarë, qofshin institucionet financiare ndërkombëtare, qofshin shtetet që e përkrahin Kosovën në të gjitha fushat. Por, kjo nuk mund të realizohet nëse nuk zbatohen ligjet... qoftë në aspektin e konkurrencës, në aspektin e mbrojtjes së investimeve të huaja. Partnerët e huaj nuk do të investojnë në një shtet ku nuk garantohen të drejtat pronësore apo nuk mbrohen të drejtat e investitorëve të huaj”, deklaron Bektashi.

Njohësit e rrethanave ekonomike në Kosovë në përgjithësi, por edhe partitë opozitare, janë shprehur mjaft skeptikë lidhur me paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës, se rritja ekonomike në vitin 2012 do të arrijë 5 për qind.

Edhe në rastin optimist, një rritje e tillë, sipas ekspertëve, do të ishte e pamjaftueshme për zbutjen e papunësisë.