Shumë qytetarë, zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë, kanë marrë pjesë në ceremoninë solemne të përurimit të 38 kilometrave të parë të autostradës Vërmicë-Merdar, që mban emrin “Ibrahim Rugova”.
Prerjen e shiritit të kësaj rruge e kanë bërë presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, ai i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe kongresisti amerikan, Eliot Engel.
Me këtë rast, presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se “sot është fillimi i një vepre të pritur shumë gjatë nga Kosova”. Ajo ka deklaruar, po ashtu, se kjo rrugë është në funksion të lidhjes së popujve dhe shteteve.
Kjo rrugë është në funksion të ndërlidhjes së popujve dhe të shteteve.
“Përurimi i kilometrave të parë në territorin e Kosovës të Rrugës së Kombit, të ndërtuar me standarde dhe parametra modern, është filli i një vepre të dëshiruar dhe të pritur shumë gjatë që Kosova dhe Shqipëria po e realizojnë sot. Kjo rrugë është në funksion të ndërlidhjes së popujve dhe të shteteve. Është lidhja jonë në korridoret e rëndësishme evropiane. Sot po tejkalojmë barrierat e fundit që penguan lëvizjen e lirë mes qytetarëve tanë për të qenë bashkë si të gjithë popujt që mbështesin vlerat evropiane dhe që ndërtojnë ura bashkëpunimi”, ka thënë Jahjaga.
Ajo ka shtuar se “sot po e realizojmë një ëndërr. Një vepër të një vlere të pakrahasueshme morale që çon në afrimin e njerëzve dhe ju shërben qytetarëve dhe vendeve tona”.
Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se projekti për ndërtimin e autostradës është një projekt që hap kufij dhe i demokratizon ata.
“Ky projekt është projekt i shekullit të ri, i lirisë, pavarësisë dhe integrimit - projekt i gjeneratës dhe mentalitetit të ri mirëqeverisës. Është projekt i evropianëve të rinj. Ky projekt hap kufij, thyen barrierat e së kaluarës dhe hap horizontin e së ardhmes. Kjo është autostrada më moderne në rajon. Kjo autostradë i jep kuptim shtetit tonë të ri”, ka theksuar Thaçi.
Ndërkohë i emocionuar, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është shprehur se rruga bashkon idealin kombëtar, idealin e Prizrenit dhe atë të Ibrahim Rugovës.
“Inaugurimin sot në Kosovën e lirë dhe të pavarur të kësaj rruge madhështore, të kësaj autostrade që bashkon shqiptarët me shumë së kurrë në idealin e unitetit kombëtar, në idealin e Prizrenit, në idealin e pavdekshëm të grave dhe burrave që sakrifikuan, derdhën lumenj gjaku në kryengritjen e tyre të madhe për ta bërë Shqipërinë e pavarur, për ta bërë Kosovën të lirë dhe të pavarur, në nderimin më të madh të arkitektit të Kosovës së pavarur, burrit mendje-ndritur të kombit shqiptar, profesor doktor Ibrahim Rugovës”, ka nënvizuar Berisha.
Në ceremoni, kanë qenë të pranishëm edhe kongresisti amerikan Eliot Engel dhe ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Kristofer Dell.
Kongresisti Engel ka thënë se kjo rrugë e sjell Kosovën në zemër të Evropës.
“Në një kohë kur të tjerët po i mbyllin kufijtë e tyre, Kosova po i hap kufijtë e saj dhe po bëhet një pjesë shumë e rëndësishme e Evropës. Dikur nevojiteshin 10 orë për të shkuar nga Prishtina në Tiranë, e tash na duhen vetëm tri orë. Mendoj se është shumë me rëndësi që kjo rrugë po emërohet me emrin e zotit Rugova, që ka qenë mik i imi dhe ka pasur kaq shumë kuptim për këtë vend. Po ashtu, mund t’ju them se SHBA-të gjithmonë do të jenë të përkushtuara për këtë vend të mrekullueshëm”,është shprehur Engel.
Kostoja e ndërtimit të 38 kilometrave të parë të autostradës thuhet të ketë kushtuar rreth 330 milionë euro.
Punimet në këtë autostradë është duke i kryer kompania “Bechtel-Enka”. Gjerësia e autostradës do të jetë 28 metra, dhe do të jenë 4 korsi.
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se punimet në autostradë do të vazhdojnë derisa të përfundojë i tërë projekti, i cili pritet të kryhet në nëntor të vitit të ardhshëm.
Autostrada ”Ibrahim Rugova”, është cilësuar projekt historik për Kosovën evropiane dhe për integrimin e shqiptarëve në Bashkimin Evropian.