Nis me kërkesën për shtyrje

Fatmir Limaj gjat seancës së të premtes, 11 nëntor, 2011.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, si dhe nëntë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë përballur të premten me seancën e parë gjyqësore lidhur me aktakuzën e ngritur nga EULEX-i për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, në fshatin Kleçkë.

Fillimisht, në seancë gjykatësi ka lexuar aktakuzat për secilin të akuzuar, përderisa të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm. Nga dhjetë të akuzuarit, Arben Krasniqit i është hequr nga padia pika 2 e aktakuzës për të.

Pala mbrojtëse e Fatmir Limajt, që u përfaqësua nga një avokat ndërkombëtar, ka kërkuar që seanca kryesore për të akuzuarit të shtyhet për në muajin shkurt, pasi, sipas tij, dokumentet që përmbajnë akuzën, pala mbrojtëse i ka marrë me vonesë dhe nuk kanë pasur kohë për t’i analizuar. Avokati Karim Kan ka thënë se kërkesa drejtuar gjykatës në emër të Fatmir Limajt, ka qenë vetëshpjeguese dhe e thjeshtë.
Dëshmitari kyç në këtë rast ka vdekur. Ne nuk kemi mundësi që ta marrim në pyetje dhe është esenciale që të kërkohen provat bazë.



“Dëshmitari kyç në këtë rast ka vdekur. Ne nuk kemi mundësi që ta marrim në pyetje dhe është esenciale që të kërkohen provat bazë. Ky është një individ që ka thënë dhe e ka pranuar vetë, se ka qenë në një spital psikiatrik me qëllim që të siguroj mbrojtje, pasi që do ta kishte vrarë Fatmir Limajn".

"Ne duam ta shohim evidencën mjekësore, raportin e autopsisë, duam ta shohim se si është kapur, duam të shohim në çfarë kushtesh ia ka shkruar gruas së tij dhe, po ashtu, edhe ditarin. Ditari është publikuar në Kosovë, në ‘Kohën ditore’, por nuk mjafton për mbrojtjen që të lexojë evidencat nga ajo që raporton një gazetë”, ka thënë Kan, duke shtuar se mbrojtja i kërkon provat në gjykatë.

Fatmir Limaj ka arritur në Gjykatën e Qarkut, Prishtinë 11 nëntor, 2011.


“Ne duam t’i shohim provat të shkruara nga dëshmitari, i cili nuk është në gjykatë. Dhe, ajo që i kemi thënë gjykatës është se kemi të drejtë nën Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nën nenin 12 të Kodit Penal të Kosovës që të ketë kohë adekuate dhe lehtësira, se nuk ka arsye për t’u ngutur drejt gjykimit, meqë rreziku është shumë i lartë po qe se nuk bëhen hetimet e duhura”, ka theksuar Kan.

Ndryshe, avokati tjetër i Limajt, Tahir Rrecaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sa i takon vdekjes së dëshmitarit kyç në këtë proces, Agim Zogaj, ende nuk kanë ndonjë dokument zyrtar.

“Mbrojtja ende nuk e ka marrë raportin e autopsisë lidhur me rrethanat dhe arsyet e vdekjes. Nuk kemi ndonjë raport se si ka ndodhur rasti që një dëshmitar i mbrojtur, një top-dëshmitar, të lëvizë lirshëm”, ka thënë Rrecaj, duke ngritur edhe çështjen e mungesës së “shumë provave të tjera” dhe, sipas tij, është e arsyeshme që procesi të shtyhet deri kah fundi i janarit ose në shkurt të vitit të ardhshëm.

Avokati Rrecaj ka thënë, po ashtu se, në vazhdimin e seancës së pasdites, mbrojtja ka kërkuar që prokurori i rastit, Mauricio Salustro, të përjashtohet nga procesi gjyqësor, pasi që dëshmitari X, në letrat e fundit të tij e ka akuzuar atë për presion.
Po, kemi kërkuar përjashtimin e prokurorit të rastit Mauricio Salustro...



“Po, kemi kërkuar përjashtimin e prokurorit të rastit Mauricio Salustro, për shkak se në letrat e dëshmitarit X, Agim Zogaj, ka disa shkrime, në të cilat thuhet se atij i janë ofruar para deri në 1 milion euro, se i është premtuar nga ana e prokurorit edhe shumëçka tjetër, pastaj ngre dyshime lidhur me vërtitësinë e deklaratave të tij - thotë se i ka nënshkruar pa përkthyes shumë deklarata në gjuhën angleze. Ka pasur presione, i mohon të gjitha ato deklarata dhe thotë se nuk janë të vërteta, nuk janë të vlefshme”, ka konfirmuar Recaj.

Për vendimin e shtyrjes ose jo të gjykimit, trupi gjykues pritet të vendos në javën e ardhshme, përkatësisht të hënën, më 14 nëntor, kur edhe do të vazhdojë shqyrtimi gjyësor në orën 11:30.

Dëshmitari kryesor, Agim Zogaj, i cili deri në vdekjen e tij është njohur si dëshmitari X, është gjetur i vdekur në Gjermani, më 28 shtator të këtij viti.

Ndryshe, zoti Limaj nuk e gëzon më imunitetin e deputetit, pas një interpretimi të Kushtetutës që Gjykata Kushtetuese i bëri më 20 shtator të këtij viti, nëpërmjet të cilit të gjithë ligjvënësit u zhveshën nga imuniteti që gëzonin deri atëherë.

Krimet e luftës kundër popullatës civile dhe robërve të luftës, supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja, e cila ndodhej në fshatin Kleçkë.

Lexoni edhe këto:
Limaj merr ftesë për prokurori
Fatmir Limajt, 30 ditë arrest shëpiak