Eurozona buzë shkatërrimit

Jorgos Papandreu

Qeveria e Greqisë i ka dhënë mbështetje unanime planit të kryeministrit Jorgos Papandreu, që parasheh organizimin e referendumit lidhur me pakon financiare të pagesës së borxheve.

Papandreu i tha kabinetit të tij se referendumi do të ofrojë “mandat të qartë” për masat e kursimeve, të kërkuara nga vendet e tjera anëtare të Eurozonës.

Derisa Qeveria e Greqisë, më 4 nëntor, do të ballafaqohet me votëbesim në Parlament, kryeministri Papandreu tha se alternativa e mundshme e zgjedhjeve të parakohshme do të përbënte rrezikun që Athina të dështonte në pagesën e borxheve.

Papandreu po ashtu tha se rënia e tregjeve financiare ndërkombëtare, pas shpalljes së referendumit, do të jetë afatshkurtër.

Pas mbledhjes së qeverisë, që përfundoi mbrëmë vonë, zëdhënësi Elias Mosialos tha se referendumi do të mbahet “menjëherë pasi që të formulohet marrëveshja” për pakon financiare për shpëtim.

Shpallja shokuese e Papandreut për referendum u bë vetëm një javë pasi liderët e Eurozonës u pajtuan që Greqisë t’i japin edhe kredinë e dytë, në vlerë prej 130 miliardë eurosh.

Por, si masë kthyese, Greqia duhet të bëjë reduktime të thella në shpenzimet publike, ulje të pensioneve dhe rrogave, si dhe t’i deklarojë të tepërta mijëra vende pune të shërbyesve civilë.

Kundër masave të kursimit në Greqi ka pasur protesta masive.

Masat e kursimit kanë për qëllim shpëtimin e Greqisë nga kolapsi financiar dhe kthimin e 17 vendeve të Eurozonës nga tehu i shkatërrimit.

Qeveritë e Francës dhe të Gjermanisë, vendet me ekonomitë më të forta në Eurozonë, kanë thënë se dëshirojnë “implementim të plotë të marrëveshjes” me Greqinë dhe në “afatin sa më të shpejtë”.

Merkel dhe Sarkozi (foto nga arkivi)

Në një deklaratë të përbashkët, presidenti francez, Nikolas Sarkozi, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, thanë se vendimet e samitit të javës së kaluar të Bashkimit Evropian, janë “më të domosdoshme se kurrë” dhe se do të “lejojnë kthimin e Greqisë në një rritje të qëndrueshme ekonomike”.

Me gjithë reagimet shokuese në kryeqytetet e vendeve anëtare të Eurozonës, pas shpalljes së referendumit në Greqi, Sarkozi kërkoi që Greqia ta pranojë marrëveshjen.

“Gjithmonë është legjitime që populli ta thotë fjalën e tij, por solidariteti i të gjitha vendeve të Eurozonës nuk mund të funksionojë nëse secili prej nesh nuk i pranon përpjekjet e domosdoshme”, tha Sarkozi.

Kryeministri i Lukesmburgut, Zhan-Klod Junker, aktualisht kryesues i 17 vendeve të Eurozonës, tha se nëse referendumi e refuzon paketën financiare, atëherë kjo do të thotë falimentim për Greqinë.

Zyrtarët grekë kanë sugjeruar se referendumi, me gjasë, do të mbahet në muajin janar, por ministri i Brendshëm ka thënë se data e mbajtjes mund të jetë në fillim të dhjetorit.

Shpallja e referendumit ka shkaktuar rënie të mëdha në tregjet financiare botërore, për shkak të frikës se Eurozona është në rrezik. (f.b.)