Bizneset "e rrezikuara"

Ilustrim

Përfaqësues të komunitetit të biznesit thonë se mungesën eventuale të mjeteve buxhetore për këtë vit, do ta bartin bizneset dhe sektori privat.

Ata thonë se dy institucionet kryesore për mbledhjen e të hyrave - Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës - do të detyrohen t’i mbledhin të hyrat për t’i paguar shpenzimet e parapara.

Sipas tyre, ato madje do të detyrohen që në mënyrë të padrejtë t’i dënojnë bizneset, për t’i arritur planet e parapara nga qeveria.

Dilemat për mungesë të mjeteve buxhetore janë ngritur pas dështimit të procesit të privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës.

Privatizimi i kësaj kompanie ishte planifikuar të bëhej gjatë këtij viti, ndërsa mjetet e saj ishin planifikuar në buxhetin e po këtij viti.

Agim Shahini, udhëheqës i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se grumbullimi i të hyrave doganore dhe tatimore është në suaza normale, ndonëse për një gjë të tillë, sipas tij, kanë nisur të alarmojnë disa biznese.

“Bizneset po alarmojnë se kanë presione dhe kjo është e padurueshme për biznesin. Nëse del se në Kosovë gjobiten bizneset për të mbuluar mungesën e parave në buxhet, atëherë kjo do të jetë një imazh i keq për Kosovën; kjo do ta bënte Kosovën një vend edhe më të vështirë për të bërë biznes”, thotë Shahini.

Ramiz Kelmendi, pronar i Kompanisë “Elkos“, thotë se janë shtuar lëvizjet e inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës për grumbullimin e mjeteve dhe kontrollimin e kompanive private.

Sipas tij, vërehet qartë se këto vizita kanë më tepër për qëllim grumbullimin e detyrueshëm të mjeteve, sesa për të verifikuar nëse kompanitë janë duke paguar me rregull tatimet e obliguara.

Kelmendi thotë se nga këto inspektime do të pësojnë kompanitë, të cilat nuk janë të lidhura me partitë në pushtet.

“Është shumë e dëmshme, sepse nëse inspektorët dalin në terren për të krijuar rezultate, ata duhet doemos të krijojnë rezultate. Në mungesë të komisionit të ankesave për biznese, inkasimi i këtyre mjeteve bëhet i dhunshëm dhe i detyrueshëm”, shprehet Kelmendi.

Por, zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) e mohojnë një dukuri të tillë. Bashkim Shala, zëvendësdrejtor i operacioneve në këtë administratë, thotë se ATK- ja, në bazë të planit vjetor, zhvillon aktivitete të përditshme në terren, me qëllim grumbullimin e të hyrave.

Ai pranon se, javëve të fundit, ka aktivitete më të shpeshta, por asnjëri nga këto inspektime, sipas tij, nuk ka për qëllim ndëshkimin e tatimpaguesve.

“Sipas planit, javëve të fundit, ka qenë një aktivitet i përbashkët me Policinë e Kosovës për të verifikuar mallin pa prejardhje, i cili qarkullon në Kosovë. Në rastet kur tatimpaguesi disponon mall pa faturë, edhe mund të gjobitet”, thotë Shala.

Sipas planit të aprovuar nga Ministria e Financave, ATK-ja është e obliguar të mbledhë për këtë vit 261 milionë euro. Në bazë të trendit të të hyrave, Shala shpreh bindjen se ky plan do të realizohet.

“Vlera e të hyrave, të realizuara për periudhën janar-shtator 2011, është 194 milionë euro - çfarë është për 5% më shumë seç parasheh plani - kurse me planin vjetor kemi 74% të realizimit. Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit 2010, të hyrat janë për 34.4 milionë euro më shumë ose 22%”, thekson Shala.

Organizatë tjetër e rëndësishme për grumbullimin e të hyrave buxhetore është edhe Dogana e Kosovës. Ky institucion, sipas planit të qeverisë, deri në fund të vitit duhet të grumbullojë 830 milionë euro.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës së Kosovës, beson se deri në fund të 2011-ës, planifikimet e qeverisë do të realizohen.

Sipas tij, që nga fillimi i këtij viti, Dogana e Kosovës ka grumbulluar mbi 646 milionë euro, apo 17% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

“Nëse flasim me terma nominalë, atëherë janë mbi 92 milionë euro më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sa i përket planit vjetor, Dogana e Kosovës është 100% në kuadër të planit për mbledhjen e të hyrave vjetore”, thotë Stavileci.

Sido që të jetë, përfaqësuesit e bizneseve dhe afaristët kosovarë u bëjnë thirrje autoriteteve përgjegjëse që të luftojnë ekonominë joligjore dhe të mos cenohen bizneset, të cilat, siç thuhet, bëjnë pagesën e tatimeve ashtu siç duhet.