Në Kosovë gjithçka e politizuar

Ismet Beqiri


Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, konsideron se në asnjë rrethanë nuk duhet të ketë bisedime politike me Beogradin. Sipas tij, bisedimet e deritanishme kanë shkuar në favor të Serbisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Beqiri, në javën e kaluar u publikua Raporti i Progresit për të cilin LDK-ja tha se ka shpërfaqë defektet ekzistuese në Kosovë. Qeveria ka përshëndetur atë, sidomos lansimin e dialogut të vizave. Cilat janë arsyet që ju bëjnë skeptikë në lidhje me raportin?
ISMET BEQIRI
Nuk kemi pritur që do të jetë ndonjë raport më pozitiv se sa ashtu që doli. Realisht nuk është raport i cili do të duhej të na krijonte jo komoditet, por përkundrazi do të duhej të na shqetësonte për të gjeturat e këtij raporti në shumë segmente në shumë sfera të jetës në Kosovë.

Ato janë thënë publikisht, po ajo që veçmas na shqetëson është mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni i lartë. Këto janë dy shtyllat, por edhe shumë të gjetura të tjera që kanë të bëjnë edhe me shfrytëzimin jo të mirë të buxhetit, ndikimet politike pothuajse në çdo sferë. Në Kosovë, fatkeqësisht nuk po metë asgjë pa u politizuar, edhe këtu ndikimi edhe involvimi është padyshim i qeverise dhe qeveritarëve në mënyra dhe forma jo ligjore.

Thënë thjeshtë, nuk duhet të krekosemi askush më atë që është gjetur në Raportin e Progresit, e veçmas tash rreth asaj që flitet me pompozitet si e arritur për liberalizimin e vizave. Mos të harrojmë që kjo është vetëm një hap i parë dhe asgjë nuk ka konkretet, konkretisht as në fillim.

Kjo mund të ndodhë, por edhe mund të mos ndodhë. Por, edhe nëse ndodhë fillimi i këtij dialogu, kjo do të marrë kohë dhe edhe shumë provime duhet të japë ky vend dhe këto institucionet për të arritur atë që dëshirojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, kanë paralajmëruar se pas ndërprerjes së bisedimeve me Beogradin, ato mund të rinisin serish në muajin e ardhshëm. A janë përmbushur kushtet për rinisjen e tyre, marrë parasysh kritikat e shumta për moszbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tash?

ISMET BEQIRI
Ne disa herë e kemi thënë se vet fillimi i bisedimeve ka qenë politik dhe e kemi thënë shumë hapur dhe qartë se janë bisedime të pa përgatitura pa cak të caktuar dhe mbi të gjitha që i kontribuojnë dhe i ndihmojnë Serbisë në synimet e saj, që realisht edhe po del që i kanë ndihmuar në një mënyrë, po qe se e fitojnë statusin e kandidatit.

Asgjë nuk ka teknike me Serbinë, por çdo gjë është politike, edhe këto bisedime që janë bërë deri më tani, edhe të ashtuquajtura marrëveshje konkluza, sido që po i quan qeveria, sepse për qeverinë dhe zyrtaret tanë, janë konkluza, ose ishte dashtë të dalin dhe të miratohen në Parlament, por me qenë se sipas tyre janë konkluza, nuk ka nevojë që të miratohen.

Por, kur duhet, thonë janë marrëveshje thënë thjeshtë, asgjë nuk ka nga ato gjerë më tani, sepse Serbia është e njëjta, mentaliteti i tyre është po i njëjti, i para të mos them ndoshta dy decenieve, sepse vetëm janë ndërruar njerëzit, por filozofia politike dhe qëndrimi i tyre, politika e tyre karshi Kosovës ka mbetur e njëjta, po shihet kjo.

Dhe ajo që është realizuar nëse mund të thuhet, ose është arritur, nëse mund të quhet arritje në këto bisedime, ajo nuk po implementohet dhe ne jemi skeptikë dhe mendojmë që në këtë punë nuk ka pasur nevojë të ketë nguti e as tash nuk ka nevojë për nguti sepse nuk ka rezultate.

Nuk është ndonjë avancim i madh, e kemi thënë disa herë që të kthehemi me tabela KS, të kthehemi pas, po e marr më të thjeshtën dhe me dokumentet përcjellëse dhe sot e kësaj dite nuk e dimë se çka janë ato dokumente përcjellëse, këto konsideroj se e devalvojnë shtetësinë e Kosovës.

Ka edhe elemente të tjera për te cilat nuk dua të lëshohem. Thënë thjesht nuk konsiderojmë që bisedat e deri tanishme dhe ato që mund të jenë në të ardhme mund të jenë ndonjë ndihmës për Kosovës, por janë shumë më shumë për Serbinë, ose veç për Serbinë.

Ajo që e kemi thënë disa herë për LDK-në, për qytetarët e Kosovës, dhe po besoj thellë edhe për bashkësinë ndërkombëtare, nuk do të duhej të kishte bisedime të ashtuquajtura politike për çështjen e veriut, sepse për ne qytetarët e Kosovës jashtë pakos së Ahtisarit, çdo gjë tjetër është e papranueshme, dhe si të tillë nuk do të duhej të negociohej, nuk duhet të negociohej as në qarqe të ngushta e as të gjera sepse kjo do të ishte shkelje ose në kundërshtim me sovranitetin dhe shtetasin e Kosovës.

Besojmë se nuk ka ndonjë politikan të “çmendur”, i cili do të guxojë të dalë kundër vullnetit të qytetarëve tanë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në veri të Kosovës gjendja vazhdon të jetë e njëjtë, që nga vendosja e doganierëve në vendkalimet kufitare në kufi me Serbinë me 16 shtator. Çka duhet bërë që gjendja të ndryshojë atje?
ISMET BEQIRI
Duke e thënë qartë që çdo gjë atje është politike, në kuptimin që ndikimi serb, edhe i institucioneve serbe në strukturat kriminale të tyre, ilegale, paralele – që po thuhet që nuk janë paralele, janë struktura ilegale, sepse atje fatkeqësisht nuk kemi institucione tona për të pasur paralelizëm, janë të organizuara nga vetë institucionet serbe.

Por, po ashtu është edhe çështja e sigurisë, në kuptimin e asaj që ne mendojmë që KFOR-i dhe EULEX-i, pa dashur ta heqin përgjegjësinë e institucioneve tona, dhe është shumë e qartë se pa një vendosmëri të KFOR-it, të EULEX-it dhe të qendrave të vendosjes, ne duhet të jemi realë, atje lëvizjet jo që mund të jenë minimale, por kurrfarë. Dhe, kjo u pa...

Aksion i 25 korrikut, i pakoordinuar mirë, nuk solli ndonjë rezultat, por në momentin kur u koordinua mirë, dhe u shfaq gatishmëria e bashkësisë ndërkombëtare që ndihmoi në këtë punë, megjithatë, ashtu siç u vendosën këta policë kufitarë dhe doganierë, edhe pse për ne kjo, dërgimi i tyre me helikopterë nuk është zgjidhje, nuk është shtrirje e sovranitetit. Ky është vetëm hapi i parë, vetëm fillimi, sepse sovraniteti nënkupton heqjen e barrikadave, që është gjë e padiskutueshme, por duhet edhe në segmente tjera në atë pjesë.

Duhet të funksionalizohet gjykata në atë pjesë të Kosovës, dhe shumë çështje tjera, siç është edhe vazhdimi i krijimit të komunës së re. Do të thotë, kërkohet punë, kërkohet angazhim, përgjegjësi dhe jo pompozitete mediale. Mendoj qe në këtë drejtim ka pasur gjëra të tilla, besoj qe ka pasur edhe rrezikim të jetës së njerëzve, ndoshta për shkak të moskoordinimit të mirë.

Jo që nuk ka pasur të meta, por është koha, dhe nuk dëshiron LDK-ja të përfitojë asnjë milimetër politikisht, nëse mund të thuhet, në situata të rënda. Ne si subjekt politik, si qytetarë, duhet të përfitojmë politikisht vetëm në programet tona. Edhe pjesa e dobësive të të tjerëve është diçka që ndihmon, por megjithatë, nuk është koha për ato punë, dhe nuk dëshirojmë që ne të ardhmen tonë dhe politikën, t’i ndërtojmë vetëm në gabimet dhe lëshimet e të tjerëve.

Thënë thjeshtë, konsiderojmë që atje ka ende shumë punë, por, veçmas tash është punë, të shpresojmë, e vendosmërisë së KFOR-it dhe vullnetit politik të qendrave të vendosjes që të hiqen barrikadat si hapi i parë, dhe pastaj të vazhdohet më tutje.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund zoti Beqiri, ish kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se është i interesuar që të punojë dhe të marrë drejtimin e LDK-së. Ai, madje ka drejtuar kritika në drejtim të udhëheqjes aktuale, se nuk janë duke luajtur siç duhet rolin opozitar. Ju si mendoni?
ISMET BEQIRI
Nuk dëshiroj t’i komentoj intervistat e askujt, në këtë rast as të zotit Sejdiu, ish presidentit të Kosovës. Ne e kemi thënë disa herë, ne vazhdojmë të kemi respekt për zotin Sejdiu, si një personalitet i LDK-së, ai është kryetar nderi i LDK-së, është anëtar i këshillit të përgjithshëm të LDK-së, ka të drejtë ta thotë mendimin e vet.

Nuk jam unë ai që mund të vlerësojë a ia ka qëlluar apo jo, është çështje e të tjerëve të e vlerësojnë. Ajo që mund të them është që e kisha nxjerrë nga kontesti që zoti Sejdiu ka pretendime të tilla, sepse gjatë intervistës mund të nxjerrim kontekste të ndryshme, por thënë thjeshtë, aty ka pasur edhe interpretim që do të respektojë normativën e LDK-së.

Ai ka mbajtur zgjedhjet partiake, ndërkaq, jo si kundërvënie që e ka thënë zoti Sejdiu, por unë e kam thënë disa herë, që ne po luajmë rol mjaft konstruktiv opozitar, dhe patjetër, jemi një opozitë mjaft e suksesshme, dhe pa LDK-në as nuk mund të mendohet që ka opozitë.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, a mendoni që zoti Sejdiu mund të rimarrë edhe një herë drejtimin e LDK-së.
ISMET BEQIRI
Nuk dëshiroj ta komentoj këtë. Ambiciet e njerëzve mund të jenë, por unë nuk dëshiroj ta komentoj.