Shtim tensionesh në veri

Kryeministri Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë të mërkurën disa detaje rreth planit operacional për funksionalizimin e plotë të kontrollit në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës.

Në një konferencë për gazetarë kreu i ekzekutivit ka përsëritur vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për zbatimin e planit dhe vendosjen e autoritetit në veri.

Ajo çka është e rëndësishme është se të gjitha operacionet do të kryhen në pajtueshmëri me ligjet dhe rregulloret e Republikës së Kosovës. KFOR-i do të operojë në pajtueshmëri me mandatin e tij. Autoritetet e Kosovës do të kenë autoritetin komandues, ekzekutiv ne pikat kufitare 1 dhe 31 dhe do të kenë mbikëqyrjen dhe angazhimet teknike të EULEX-it. Policia e Kosovës, doganat dhe EULEX-i do ta kenë në dispozicion personelin dhe resurset për kryerjen operacionet e kontrolleve ne vendkalimet kufitare ne Jarinë dhe Bërnjak”, ka shpjeguar kryeministri Thaçi.

Kryeministri në këtë konferencë theksoi se janë në dijeni për deklaratat dëshpëruese të zyrtarëve të Serbisë, por këto deklarata sipas tij, nuk kanë kurrfarë ndikimi.

Madje, sipas Thaçit, futjen nën kontroll e pjesës veriore nuk do të mund të pengohen nga strukturat kriminale që mbajnë peng veriun e Kosovës tash e 12 vjet.

Kryeministri Thaçi, në konferencë para gazetarëve ka publikuar edhe vizionin e qeverisë për qytetarët që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Zyrën Civile Ndërkombëtare ka përpiluar një udhërrëfyes të qartë për normalizimin e jetës dhe vendosjen e rendit, ligjit dhe demokratizmin e jetës në atë pjesë të Kosovës.

Qeveria e Kosovës beson se interesat e qytetarëve në veri më së miri mbrohen nga institucionet e Kosovës së pari, e pastaj edhe me mbështetjen pozitive, vullnetin e mirë edhe nga Republikës së Serbisë në ofrimin e ndihmës për komunitetin në një mënyrë të koordinuar transparente të përgjegjshme dhe ashtu siç shihet edhe në dokumentin e presidentit Ahtisari”, është shprehur Thaçi.

Sipas Thaçit në veri të Kosovës, do të ketë institucione publike, kompetente dhe efikase dhe mekanizma gjithëpërfshirës për mbrojtjen e të drejtat e njeriut.

Përfaqësuesit e partive politike opozitare deklaruan se mbështesin veprimet e institucioneve të Kosovës për futjen në kontroll të veriut të vendit.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja Lutfi Haziri, tha se zbatimi i planit për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare do të jetë një sfidë për institucionet e vendi.


Natyrisht që çdo plan operativ dhe çdo masë që çon drejt stabilitetit do t’i destabilizon ata që janë përfitues ilegalë, dhe përfituesit ilegalë të krejt kësaj situate kanë qenë kontrabandistët, grupet kriminele dhe njerëz në kërkim që përfshinë edhe zyra e Beogradit zyrtar. Ata nuk do të jenë të qetë”, tha Haziri.

Pas paralajmërimeve të Qeverisë se Kosovës se nga e premtja në veri të Kosovës do të hapen vendkalimet kufitare 1 dhe 31, autoritet e rendit në Mitrovicë kanë njoftuar për rritje të tensioneve dhe bllokim të disa rrugëve lokale në veri.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se banorët lokalë serbë kanë bllokuar me rërë disa rrugë.

Në një rrugë në afërsi të varrezave në veri të Mitrovicës, një pjesë e rrugës është bllokuar, ndërsa më vonë është vendosur një sasi e rërës për të bllokuar qarkullimin rrugor në afërsi të shkollës teknike në veri të Mitrovicës, që përkatësisht është ajo rruga që lidh veriun dhe jugun e qytetit të Mitrovicës”, u shpreh Hoti.

Edhe zyrtarët e Kuvendit Komunal në jug të Mitrovicës thonë se situata e sigurisë në veri është e tensionuar.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, tha se "strukturat paralele dhe elementët ekstremistë", vazhdimisht janë duke tentuar ta destabilizojnë situatën në atë pjesë të vendit.

Është e kuptueshme që strukturat paralele dhe ekstremistët deri në momentin e fundit bëjnë përpjekje që ta destabilizojnë situatën.
Është e kuptueshme që strukturat paralele dhe ekstremistët deri në momentin e fundit bëjnë përpjekje që ta destabilizojnë situatën”, deklaroi Haziri.

Autoritetet kosovare dhe ato ndërkombëtare thuhet të jenë përgatitur për vendosjen e kontrollit doganor në vendkalimet kufitare 1 dhe 31 në kufi me Serbinë.

Riza Haziri tha se zbatimi i marrëveshjes dhe futja nën kontroll e pikave kufitare në veri është një hap i domosdoshëm.

Sipas tij, një veprim i tillë është i mirëseardhur për të gjitha komunitetet duke përfshirë, edhe atë serb.

Besoj se jo vetëm komuniteti shqiptar, por edhe komunitetet tjera, duke përfshirë edhe komunitetin serb, që janë nën trysni nga strukturat paralele, e mirëpresin hapin për rivendosje të rendit dhe kontrollit në territorin e Kosovës; në veçanti telashet më të mëdha dihet që i kemi në komuna në veri të Kosovës”, deklaroi Riza Haziri.

Ndryshe, përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës kanë akuzuar forcat paqeruajtëse të KFOR-it, duke thënë se këto forca janë vënë në shërbime të Prishtinës zyrtare.

Natyrisht që në çdo moment njeriu duhet të jetë i vëmendshëm, e posaçërisht në këto momente kur KFOR-i qartësisht është vënë në anën e Prishtinës dhe dëshiron që t’i realizojë vendimet e njëanshme të Prishtinës. Ne, në një mënyrë, në këtë moment, KFOR-in jemi të detyruar që ta përjetojmë si një ushtri, e cila i realizon idetë dhe qëndrimet e Thaçit”, ka deklaruar Radenko Nedekloviq, njëri nga përfaqësuesit e serbeve ne veri.