Prurje të reja, studiues të rinj...

Ilustrim

Seminari i 30-të Ndërkombëtar i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare ka qenë jubilar dhe në këtë frymë edhe është zhvilluar, vlerësojnë organizatorët dhe pjesëmarrësit e këtij seminari, i cili dje ka përfunduar punimet dyjavore.

Blerta Ismajli, sekretare e seminarit, vlerëson se edicioni i fundit ka pasur mjaft karakteristika pozitive, të cilat, siç thotë ajo, e kanë rifreskuar seminarin dhe traditën e organizimit të tij.

“Ajo çka e bën këtë seminar të veçantë, janë në përgjithësi prurjet e reja nga studiusit e huaj të rinj, që vijnë nga universitetet jashtë vendeve ku flitet shqipja dhe që kanë ardhur me disa studime mjaft interesante dhe kontribute konkrete”.

“Kjo na gëzon, për faktin se këta i takojnë gjeneratës së re. Do të thotë, nuk bëhet më fjalë vetëm për, t’i quaj kushtimisht, veteranët e seminarit, të cilët tashmë janë profesorë eminentë dhe që vijnë me kontributet e tyre, por shohim një gjeneratë të re dhe kjo tregon një zhvillim të albanologjisë”,
thotë Ismajli.

Ajo që zgjoi interesimin e studiuesve të huaj në këtë seminar, sipas Ismajlit, janë temat, të cilat u shtruan qoftë në sesionin shkencor të gjuhës, qoftë në atë të letërsisë.

“Përpos referimeve në sesionin shkencor, dua të theksoj se ka pasur disa kumtesa me mjaft interes për studimet e gramatikës së shqipes dhe me interes për ndryshimin ose daljen nga korniza tradicionale e trajtimit të gramatikës së shqipes”.

“Edhe në sesionin e letërsisë natyrisht ka pasur prurje të reja. Aty është trajtuar tema për letërsinë shqiptare, e zhvilluar në diasporë. Edhe aty ka pasur, përveç emrave eminentë, studiues të rinj, që kanë ardhur me kontributet e tyre dhe kjo, natyrisht, gjithmonë është pozitive”, thotë Ismajli.

Martin Surovçak, studiues i albanologjisë nga Çekia, thotë se temat e shtruara në Seminarin e 30-të Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, kanë qenë me mjaft interes për të, por edhe për studiuesit tjerë të huaj.

“Kam ndjekur shumë, shumë kumtesa interesante dhe më vjen mirë që sivjet -mendoj se është hera e parë - është caktuar një temë si gramatika në tekstet shkollore, në fushën e gjuhësisë, dhe letërsia e diasporës në sesionin shkencor të letërsisë. Do të vi prap në muajin e tetorit si student dhe besoj që edhe në vitin e ardhshëm në seminar”, thotë ai.

Sipas tij, seminari këtë vit u ka ofruar studiuesve të huaj të albanologjisë më shumë se sa vetëm studimin e aspekteve shkencore teorike.

“Sivjet kam përshtypje shumë pozitive për seminarin, sidomos për sa u përket çështjeve praktike. Për shembull, është hera e parë që jemi vendosur në konvikte dhe jam i befasuar se në këtë mënyrë mund ta jetojmë një realitet shqiptar, ta themi”, shprehet Surovçak.

Reagimet pozitive të seminaristëve, sipas Blerta Ismajlit, janë kurajo për organizatorët e seminarit.

Nëse këta ndahen të kënaqur nga seminari dhe me dëshirën që të vijnë përsëri në vitin e ardhshëm, ky është një sinjal pozitiv për ne si organizatorë. Jemi ndarë me premtimin se që nga e hëna do të fillojmë me përgatitjet për seminarin e ardhshëm, pas një viti”, thotë Ismajli.