Bisedimet pa kushte me Serbinë janë bisedime të padrejta dhe joparimore, nga të cilat fiton Serbia, thotë për Radion Evropa e Lirë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar. Si i shihni ju zhvillimet e fundit atje?
ALBIN KURTI
Mendoj se kryeministri Thaçi nuk ishte as serioz, e as i sinqertë për ndërmarrjen në veri. Nuk ishte serioz sepse ai nuk pati një plan me shumë hapa, por vetëm një hap pa plan.
Në vend të një plani strategjik shtetëror, ai e bëri vetëm një hap taktik qeveritar. Me këtë mënyrën e tij, kryeministri Thaçi po fiton kohë për pushtetin e tij dhe ne po humbim hapësirë për shtetin tonë.
Në anën tjetër, kryeministri Thaçi nuk ka qenë i sinqertë me ndërmarrjen në veri. Ai rregullisht e ka gënjyer opinionin publik për gjendjen në terren dhe zhvillimet atje. Thoshte që doganat janë nën kontroll, që doganierët e Kosovës po veprojnë në veri, pa qenë fare kështu.
Ai, pasi që ishte zmbrapsur, thoshte që nuk ka kthim prapa, kështu që kryeministri, paturpësisht, e përsëriste gënjeshtrën e njëjtë duke besuar që asisoj ajo do të bëhet e besueshme.
Duke qenë joserioz dhe i pasinqertë, kryeministri Thaçi e ka dëshmuar që është person jokompetent për postin që mban. Policia e Kosovës tregoi gatishmëri, aftësi dhe vullnet të jashtëzakonshëm për të vepruar në veri, mirëpo Qeveria e Kosovës nuk dëshmoi as aftësi, as gatishmëri dhe as vullnet për t’iu përgjigjur Policisë së Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, çfarë nuk po bëjnë autoritetet kosovare që sa më parë të fusin nën kontroll atë pjesë të vendit? A konsideroni se një gjë e tillë mund të bëhet vetë, pa përkrahjen e ndërkombëtarëve?
ALBIN KURTI
Mendoj se faktorët ndërkombëtarë na mbështesin atëherë kur ne të ecim e lëvizim. Faktorët ndërkombëtarë nuk ndodhen para nesh, por sipër nesh.Nëse ne ecim dhe lëvizim, atëherë ata na vinë nga pas dhe na mbështesin, kush më shumë, e kush më pak. Mirëpo, nëse ne ngecim, atëherë faktorët ndërkombëtarë na shtypin nga lart.
Angazhimi shtesë i KFOR-it është rezultat i angazhimit fillestar të Policisë së Kosovës, përkatësisht të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Gatishmëria për sakrificë, rënia e policit Enver Zymberi, plagosja e shumë policëve të Kosovës, fakti që asnjëri prej tyre nuk e refuzoi urdhrin, fakti që të gjithë ata ishin prej fillimit deri në fund në nivel të detyrës, bënë që edhe faktorët ndërkombëtarë të na marrin më seriozisht.
Mirëpo, Qeveria e Kosovës, në vend që të vazhdojë aksionin policor me hapa të tjerë, ajo u zmbraps dhe filloi të shtirej se u faktorizua këtu në Prishtinë.
Kryeministri Thaçi nuk po e kuptonte, ose nuk dëshironte ta kuptonte, që faktorizimi i Qeverisë në Prishtinë vjen nga prania dhe funksionimi i Policisë së Kosovës në veri.
Besoj se faktorët ndërkombëtarë që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, gjithsesi na ndihmojnë, por ata na ndihmojnë atëherë kur ne marrim iniciativa dhe atëherë kur ne angazhohemi fillimisht.
RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, cila do të ishte zgjidhja më e shpejtë dhe më e mirë për veriun?
ALBIN KURTI
Mendoj që menjëherë duhet të ndërpriten përfundimisht dhe zyrtarisht bisedimet me Serbinë, sepse bisedimet pa kushte me Serbinë janë bisedime të padrejta dhe joparimore, nga të cilat fiton Serbia, dhe në vend të kësaj, duhet që Qeveria e Kosovës t’i aktivizojë të gjitha resurset, instrumentet, mekanizmat shtetërorë, që ta shtrijë sovranitetin, integritetin e kufijve dhe integritetin territorial në veri të Kosovës.Besoj që për këtë mund të na ndihmojnë edhe shtetet që na kanë njohur, para së gjithash Shqipëria, pastaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet që na kanë njohur nga Bashkimi Evropian dhe kështu me radhë.
Për këtë arsye do të duhej të kombinohen metodat, në njërën anë ato të shtetit të Kosovës, në kuptimin e policisë, gjyqësisë, të Doganave të Republikës së Kosovës, mbi të gjitha të njësive speciale dhe të FSK-së, dhe në anën tjetër, nëpërmjet metodave socio-ekonomike, të cilat do të shpalosnin edhe një program zhvillimor për veriun nga Qeveria në Prishtinë.
Mbi të gjitha, duhet të kuptojmë se i kemi rreth 4 mijë shqiptarë atje që janë shumë të rrezikuar dhe jetojnë në ankth. Pozita e tyre do të duhej të forcohej nëpërmjet lehtësimeve dhe përparësive në shëndetësi, në arsim, në punësim dhe po ashtu edhe nëpërmjet rivitalizimit të kompleksit “Trepça”.
Mendoj se një aspekt tjetër se ku duhet të angazhohemi në veri është vendosja e nënstacioneve policore të Policisë së Kosovës në lagjet dhe fshatrat të banuara me shqiptarë në veri dhe po ashtu do të duhej që të ndërpritet financimi i strukturave ilegale dhe armiqësore të Serbisë, e njëkohësisht të bëhet edhe arrestimi i krerëve të tyre.
Jo vetëm për shkak se ata janë kriminelë, por për shkak se janë struktura ilegale dhe armiqësore, të financuara dhe të mbështetura nga Serbia, e cila ka pretendime territoriale ndaj Kosovës.
RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët bisedimet që pritet të nisin me dy shtator në Bruksel. Disa ndërkombëtarë kanë bërë thirrje që çështja e veriut të Kosovës duhet të diskutohet në këto bisedime në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Zoti Kurti, çfarë mendoni ju për këtë?
ALBIN KURTI
Mendoj se duke i bërë çështjet e brendshme të Kosovës tema të negociatave me Serbinë, rezultati do të jetë afrimi i Serbisë me Bashkimin Evropian dhe afrimi i veriut të Kosovës me Serbinë.Këto bisedime menjëherë duhet të ndërpriten dhe duhet që Kosova t’i kthehet vetes si shtet, si shoqëri, në mënyrë që të bëhemi ashtu siç jemi shpallur – pra, të pavarur dhe sovranë.