Serbët e ndarë rreth dialogut

Pamje nga veriu i Mitrovicës

Rifillimi i dialogut ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, nuk paraqet asgjë me interes për serbët e veriut të Kosovës, pas ngjarjeve që kanë ndodhur që nga 25 korriku e deri më tash në veri të vendit, vlerësojnë liderët serb të veriut të Kosovës.

Por, ky qëndrim kundërshtohet nga politikanët serbë të Kosovës qendrore, të cilët thonë se rinisja e dialogut, e cila është paralajmëruar për shtator, është më se e nevojshme.

Marko Jakshiq, lider i serbëve të veriut të Kosovës thotë se rinisja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk do të varet fare nga qëndrimi i serbëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, janë kundër dialogut, sepse, siç thotë ai, ky dialog nuk do t’iu sjellë asgjë të mirë dhe me interes atyre.

Marko Jakshiq
Në këtë rast, dialogu më së shumti varet nga Brukseli dhe Uashingtoni. Do të thotë, Brukseli dhe Uashingtoni po e mbajnë Beogradin në ‘pat pozicion’, për shkak të dëshirës që të hyjnë dhe të marrë statusin e kandidatit për bashkim Evropian. Nëse ato (Brukseli dhe Uashingtoni) i bëjnë presin Boris Tadiqit, ashtu sikurse i kanë bërë presion tash për vendkalimet kufitare 1 dhe 31, mendoj që ai, me siguri se do të lëshoj pe. Sa i përket serbëve dhe palës serbe, për neve aspak nuk është në interes që çfarëdo dialogu të zhvillohet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sepse në atë dialog, pala serbe do të jetë humbës absolut”, theksoi Jakshiq.

Por, politikani serb nga Kosova qendrore, Rangjel Nojkiq, shprehet kundër qëndrimit të zotit Jakshiq, duke thënë se dialogu është më se i domosdoshëm.

Në të kundërtën, sipas tij, do të ishte humbje e madhe edhe për palën kosovare e edhe për atë serbe.

Nojkiq thotë se ngjarjet që rrodhën pas 25 korrikut, me bllokimin e rrugëve me barrikada nga ana e serbëve lokal në veri të Kosovës, kanë pasur për qëllim imponimin e temës së veriut të Kosovës në bisedimet të cilat pritet të rifillojnë në shtator..

Unë kam përshtypjen se ky ka qenë qëllimi i gjithë asaj që ka ndodhur. Unë, si serb i anës jugore të lumit Ibër, vërej dhe mendoj se kjo është ashtu siç ka paralajmëruar pala serbe, e kjo është ndarja e Kosovës. Mendoj se në këtë kuptim, me këto probleme ka pasur përpjekje që të imponohet një temë e re, për ndarjen. Për mua është befasi që edhe ministri i jashtëm i Kosovës e ka paralajmëruar si të mundshme këtë temë gjë që e nënkupton si të mundshme që edhe shumë përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, e shohin këtë si temë të mundshme të dialogut”, tha Nojkiq.

Mendoj se në këtë kuptim, me këto probleme ka pasur përpjekje që të imponohet një temë e re, për ndarjen.
Ai ka shtuar se megjithatë qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është i qartë dhe se e kundërshton ndarjen e Kosovës.

Nojkiq, kundërshton hapjen e temës për ndarjen e Kosovës dhe thekson se një gjë e tillë do të krijonte probleme të reja, të cilat nuk do të ishin të lidhura vetëm me Kosovën dhe Serbinë, por me rajonin gjerësisht.

Ndërkaq, Jakshiq thekson se dialogu nuk do të përmbaj asgjë që do t’i konvenonte interesave të serbëve të veriut të Kosovës.

“Situata e vetme e cila iu konvenon serbëve është gjendja që ka qenë para 25 korrikut. Por, ajo gjendje është çrregulluar dhe nuk ekziston asnjë rast tjetër, i cili do ti kënaqte serbët, duke pasur parasysh që gjithçka për të cilën deri më tash është marrë vesh Beogradi dhe ka nënshkruar, ka qenë në dëm të serbëve. Serbët e kanë ditur këtë që nga fillimi, por ata nuk mund të ndikojnë në procesin e dialogut. Ne vetëm mund të vëzhgojmë dhe të ndjejmë keqardhje për atë që po e bën Beogradi”, ka thënë Jakshiq.

Ne vetëm mund të vëzhgojmë dhe të ndjejmë keqardhje për atë që po e bën Beogradi
Ndryshe, Nojkiq ka theksuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë, por jo në mënyrën për të cilën kanë shpresuar serbët e veriut të Kosovës.

Mendoj se dialogu është i nevojshëm. Serbët nga veriu kanë tentuar që ta krijojnë një dialog të ri nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara. Një gjë e tillë, në këtë moment, më duket se është e pamundur, për shkak se EULEX-i është një forcë relevante politike dhe e sigurisë në këto hapësira. Gjyqësia, policia dhe gjithë të tjerat janë në duart e EULEX-it. Kështu që, konsideroj që nuk do të lejojë askush, e para së gjithash Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara , që ky problem të kthehet përsëri nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara”, theksoi Nojkiq.

Sidoqoftë, serbët e Kosovës qendrore dhe veriut të saj, që nga fillimi i procesit të dialogut kanë pasur qëndrime të kundërta lidhur me këtë proces. Serbët nën lumin Ibër, përgjithësisht kanë përkrahur dialogun për çështje teknike, ndërkaq, ata të veriut kanë qenë kundër.