KFOR: Bllokada në zonën e Zubin Potokut është hequr

Ushtarët e KFOR-it mbikëqyrin situatën në Jarinjë...

Situata e sigurisë në veriun e Kosovës vazhdon të jetë e qetë, njoftojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Sabrie Kamberi, zëdhënëse e Policisë së Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk është shënuar ndonjë incident, ndërkaq, që në vendkalimin kufitar nr 1, në veri të vendit, vazhdon të ketë prani të zyrtarëve policorë të Kosovës.

Situata mbetet e qetë. Deri në këto momente kur jemi duke raportuar, nuk është raportuar për ndonjë incident. Ndërkohë, në pikëkalimin kufitar në Bërnjak ose ndryshe, porta 31, janë duke vazhduar me detyrat e tyre zyrtarët policor të policisë kufitare. Ndërkohë që në portën 1, ose në pikëkalimin kufitar në Jarinjë nuk ka polici, për shkak se nuk janë krijuar ende kushte pasi që ajo pikë është djegur para disa ditësh dhe atje është KFOR-i duke qëndruar”.

Ndryshe, në veriun e Kosovë, serbët lokal ende vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët në disa pika.

Këtë e konfirmon edhe njëri prej liderëve të serbëve të veriut të Kosovës, Kërstimir Pantiq.

Ai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nata ka kaluar e qetë dhe nuk ka pasur, siç ka thënë ai, ndonjë provokim nga trupat e KFOR-it apo kushdo tjetër, për të shpërthyer bllokadat në Rudarë, Jarinjë dhe Zubqë.

Pantiq theksoi se serbët lokalë janë ende të tubuar dhe vazhdojnë të qëndrojnë pranë barrikadave.

Sipas tij, deklaratat e zyrtarëve të KFOR-it dhe EULEX-it i kanë shqetësuar serbët në veri.

Qytetarët janë të vendosur që të mos lëshojnë pe ndaj shantazheve dhe kërcënimeve të komandantit të KFOR-it. Ndërkaq, ajo që i ka zemëruar më së shumti është deklarata e djeshme e shefit të EULEX-it, zotit Marnjak, se EULEX-i e mbështet Kushtetutën e Kosovës dhe se do të përpiqet që të respektojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e pikave doganore në veriun e Kosovës”, tha Pantiq.

Ndërkaq, përmes një njoftimi për media KFOR-i ka konfirmuar se bllokada rrugore në rrugën sekondare në zonën e Zubin Potokut është larguar gjatë mëngjesit të ditës së sotme.

Qëllimi i këtij operacioni është përmirësimi i qasjes së qytetarëve të Kosovës në rrugën kryesore dhe rivendosja e lirisë së lëvizjes në afërsi të Zubin Potokut”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR-i gjithashtu thotë se aksioni është kryer në koordinim të afërt me EULEX-in dhe se nuk ky aksion “ka kaluar pa kurrfarë pengimi”.

Në anën tjetër, lidhur me njoftimin e KFOR-it ka reaguar Pantiq.

Ai thotë se nuk është e vërtetë që KFOR-i të ketë larguar ndonjë barrikadë.

Këto janë rrugë të fshatit dhe unë nuk e di se çka ka larguar KFOR-i. Unë nuk kam dëgjuar të ketë pasur largim të ndonjë barrikade. Me siguri, komandanti i KFOR-it dëshiron ta zvogëlojë humbjen, të cilën e ka pësuar këto ditë. Barrikadat që janë vendosur këtyre ditëve, vazhdojnë të qëndrojnë aty ku janë vendosur” theksoi Pantiq.

Ndryshe, zyrtarët e KFOR-it dje kanë theksuar se KFOR-i ka pasur kompetencë të përdorë dhunën ditën e premte, kur rruga në Rudarë ishte bllokuar dhe trupat e KFOR-it nuk ishin lejuar të kalonin.

Por, sipas zyrtarëve të KFOR-it dhuna nuk është përdorur për shkak se diçka e tillë do të rezultonte me gjakderdhje.