Ligji i punës nuk po respektohet

Fotografi ilustruese

Inspektorati i punës po has në vështirësi gjatë ekzekutimit të gjobave ndaj shkelësve të Ligjit të punës dhe atij për sigurinë në punë. Vitin e kaluar, nga 120 gjoba të shqiptuara, janë ekzekutuar vetëm gjysma e tyre, thonë përfaqësues të Inspektoratit të punës. Ndërkaq, punëtorë dhe përfaqësues të punëtorëve, theksojnë se Ligji i punës vazhdon të mos respektohet.


Shumë punëdhënës në Kosovë, jo vetëm që shkelin ligjet, të cilat sanksionojnë të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve, por edhe refuzojnë të paguajnë gjobat e shqiptuara nga Inspektorati i punës.

F.L, punëtore në njërën nga kompanitë private, thotë se Ligji i punës, nuk ka gjetur zbatim në ndërmarrjen ku ajo punon.
Punëdhënësit e sektorëve privatë kanë shfrytëzuar numrin e madh të punëtorëve dhe për shkak të papunësisë, marrin punëtorë, nuk i paguajnë sa duhet, nuk paguajnë tatimet për ta.


“Unë punoj në sektorin privat. Në Kosovë mendoj që nuk respektohen të drejtat e punëtorëve, për shkak se Ligji i punës në Kosovë nuk zbatohet në masë të duhur. Punëdhënësit e sektorëve privatë kanë shfrytëzuar numrin e madh të punëtorëve dhe për shkak të papunësisë, marrin punëtorë, nuk i paguajnë sa duhet, nuk paguajnë tatimet për ta. Gjithashtu, shumica prej punëtorëve nuk i kanë dy ditë të lira në javë ashtu siç parasheh edhe ligji”, thotë F.L.

Ajo shton se institucionet e Kosovës janë treguar të paafta në inspektimin e zbatimit të Ligjit të punës.

Ankesa të shumta të punëtorëve janë adresuar edhe në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Përfaqësues të BSPK-së thonë se ankesat e punëtorëve kanë të bëjnë me mosnënshkrimet e kontratave nga punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Hasan Abazi nga kjo organizatë, që mbron të drejtat e punëtorëve, tregon:
Kemi edhe ankesa kur punëtori nuk e merr vendimin e punës - ai punon dy apo tre muaj pa kontratë pune...


“Ankesat e punëtorëve janë të shumta, në veçanti ne kemi një ankesë nga punëtorët e fabrikës së armaturës në Podujevë, të cilët qe dy muaj janë në grevë dhe protestë. Kemi edhe ankesa kur punëtori nuk e merr vendimin e punës - ai punon dy apo tre muaj pa kontratë pune dhe kjo është e dënueshme me ligj”.

Organi, i cili bën inspektimin e zbatimit të Ligjit është Inspektorati i punës. Basri Ibrahimi, kryeinspektor, thotë se ka shkelës të Ligjit të punës. Deri më tani, sipas tij, janë shqiptuar gjoba për këto kapmani, por të cilat nuk janë ekzekutuar.

“Për vitin e kaluar kanë qenë 120 gjoba, prej tyre mbi 50 për qind nuk janë ekzekutuar, pasi që pronarët nuk kanë qenë të gatshëm të bëjnë ekzekutimin. Të gjitha këto lëndë janë dërguar në gjykata për ekzekutim. Deri më tani nuk kemi ndonjë informacion që ndonjëra prej atyre lëndëve ka shkuar për ekzekutim”, bën të ditur Ibrahimi.

Gjobat për ata që nuk e respektojnë Ligjin e punës, kapin shumën deri në 35 mijë euro, por kryeinspektori Ibrahimi thotë se në përgjithësi gjobat nuk janë duke u ekzekutuar nga gjykatat.

“Është shumë e rëndësishme që gjykatat t’i ekzekutojnë kërkesat tona për ato lëndë që janë të plotfuqishme dhe në njëfarë mënyre, të fitojmë një autoritet më shumë dhe punëdhënësi ta kuptojë që nuk mund t’i ikë gjobës, nëse i shqiptohet”, theksoi Ibrahimi.

Lexoni edhe këto:
Ligji i punës s’zbatohet
A po zbatohet Ligji i punës?