Shvarcenberg: Serbia t’i zgjidhë problemet me fqinjët

Karel Shvarcenberg

Serbia duhet t’i zgjidhë problemet me fqinjët e saj para se të pranohet në Bashkimin Evropian, deklaroi në Prishtinë, ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Shvarcenberg. Pas një takimi me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj, Shvarcenberg ka thënë se është e rëndësishme që Serbia të sillet si fqinje miqësore ndaj Kosovës.


Ministri i Jashtëm i Republikës së Çekisë, Karel Shvarcenberg, deklaroi të enjten, se është e rëndësishme që Serbia të sillet si një fqinj miqësor ndaj vendeve në rajon, pas takimit në Prishtinë me homologun e tij kosovar, Enver Hoxhaj.

Të dy ministrat, ai çek dhe ai kosovar, u pajtuan se është e rëndësishme që të gjitha vendet në regjion duhet të kenë marrëdhënie të mira ndërfqinjësore para se të hyjnë në Bashkimin Evropian.

Ministri i Jashtëm çek, Shvarcenberg, tha se të gjitha problemet në Ballkan mund të zgjidhen vetëm me integrimin e vendeve në Bashkimin Evropian. Ai, gjithashtu, theksoi se marrëdhëniet ndërfqinjësore janë kusht i qartë për të gjitha vendet, të cilat mëtojnë Bashkimin Evropian, përfshirë këtu edhe Serbinë.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian duhet të bëhet në bazë të përparimit individual të një vendi. Por, nëse Serbia do të jetë e shpejtë, para se të pranohet në Bashkimin Evropian, ashtu siç e dimë dhe siç është e precizuar në kriterin e Kopenhagës, ajo duhet të zgjidhë problemet me fqinjët e saj. Ky është një kusht i qartë për të gjithë, para se të bëhen anëtarë të BE-së”, tha Shvarcenberg.

Ministri Shvarcenberg shtoi se një gjë e tillë nënkupton që Serbia duhet t’i rregullojë edhe marrëdhëniet fqinjësore me Kosovën.

“Unë nuk mendoj se duhet vënë kushte njëri-tjetrit, por është e rëndësishme që Serbia të fillojë të sillet si një fqinj miqësor, derisa të pranojë zyrtarisht Kosovën”, theksoi Shvarcenberg.

Edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, pohoi se Serbia nuk do të mund të integrohet në Bashkimin Evropian, nëse paraprakisht nuk i rregullon marrëdhëniet me të gjithë fqinjët e saj.

Siç theksoi Hoxhaj, në këtë drejtim Serbia duhet të fillojë që gradualisht ta pranojë realitetin në Kosovë, si dhe të shmangë tendencat që problemet t’i zgjedhë jashtë kufijve të vetë Serbisë.

Vetëm përmes pranimit të realitetit në Kosovë, do të ketë mundësi që politika në Serbi dhe qytetarët në Serbi të fokusohen në problemet e tyre të brendshme. Mendoj që ka kaluar koha kur popujt dhe elitat politike synojnë ta gjejnë fatin jashtë kufijve të shteteve të tyre. Fati i popujve është brendapërbrenda kufijve të shteteve të tyre,bBrenda territoreve të tyre. Prandaj, një kriter i tillë i Kopenhagës duhet të plotësohet, para se të kemi ndonjë lëvizje drejt Bashkimit Evropian”, u shpreh Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj, gjithashtu, theksoi se kërkesa e Kosovës, si shteti më i ri dhe i fundit që ka dalë nga shpërbërja e Jugosllavisë, është që të mos mbetet e vonuar në proceset integruese, të mos mbetet si një vend i izoluar dhe populli i saj të mos mbetet i harruar në rrugën e agjendës së integrimeve evropiane.

Ministri i Jashtëm çek, Shvarcenberg, po qëndron në Prishtinë në një vizitë dyditore.

Në takimin ndërmjet homologëve çek dhe kosovarë u theksua edhe rëndësia e prurjes së investitorëve çekë në Kosovë, ndërkaq një takim ndërmjet investitorëve kosovarë dhe çekë, do të mbahet të premten në Prishtinë.