Diaspora dhe zhvillimi ekonomik

Fotografi ilustruese

Një raport i Bankës Botërore vlerëson se çdo vit 10 mijë kosovarë largohen nga shteti.

Diaspora kosovare, që jeton kryesisht në shtetet perëndimore, sipas statistikave të Bankës Qendrore, përmes dërgesave, vazhdon të jetë një nga burimet kryesore të të ardhurave për shumë familje kosovare.

Ministria e sapoformuar e Diasporës, përveç remitencave, po shqyrton mundësinë e krijimit të një ambienti më të mirë, që mërgimtarët të investojnë në Kosovë.


Përfaqësuesit e kësaj ministrie, në konferencën “Migracioni dhe zhvillimi ekonomik në Republikën e Kosovës”, u zotuan se do të krijojnë një ambient më të mirë, për tërheqjen e investimeve të kosovarëve që jetojnë jashtë vendit.

Zëvendësministri Qerim Bajrami, tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për vendosjen e një bashkëpunimi të ngushtë me të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në diasporë.

Diaspora e Kosovës është shumë e lidhur për familjet e tyre dhe vetë Kosovën. Solidariteti i tyre dhe ndihma financiare është shumë e njohur. Shumë familje që jetojnë në Kosovë varen nga ndihma e familjarëve të tyre që punojnë jashtë vendit. Shpresojmë që mërgimtarët, të cilët jetojnë jashtë Kosovës, edhe në të ardhmen të kenë mirëkuptim që ta ndihmojnë vendin e tyre në rrugën drejt zhvillimit demokratik, ekonomik, si dhe për integrim në Bashkimin Evropian”, tha Bajrami.

Në këtë konferencë u publikua dhe një raport i Bankës Botërore, në të cilën vlerësohet se mijëra qytetarë largohen nga Kosova çdo vit.

Për këtë arsye, thuhet në raport, nevojitet forcimi dhe angazhimi i diasporës, në drejtim të shfrytëzimit më të mirë të potencialit të saj, për një zhvillimin më të mirë ekonomik.

Strategjia e tashme e Kosovës për migrim dhe Plani i Veprimit 2009 -2012, përcaktojnë objektivin, që migrimi të rrisë kontributin në zhvillimin ekonomik.

Megjithatë, thuhet në raport, asnjë dokument nuk specifikon masat që lidhen me politikat zhvillimore të lidhura me migrimin.


Raporti rekomandon, po ashtu, se pasi që një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve kosovarë mbajnë lidhje me vendin e tyre, duhet të përmirësohen kushtet ekonomike dhe dhënia e informatave mbi mundësinë e investimeve.

Zëvendësministri i diasporës, Qerim Bajrami, shprehet optimist se gjërat do të përmirësohen.

Ministria e Diasporës sapo është themeluar, megjithatë jemi të njoftuar me të gjitha vështirësitë dhe problemet që kanë mërgimtarët. Ligjit për mërgatën, i cili është miratuar në Kuvend, pritet t’i bëhen disa ndryshime, më pas do të futen edhe disa gjëra të reja, në mënyrë që të rritet bashkëpunimi me diasporën për çështje konkrete. Shpresojmë që ngadalë do të rregullohen gjërat”, u shpreh ai.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, në gjysmë-vjetorin e parë të vitit 2010, dërgesat e emigrantëve kosovarë kanë shënuar vlerën prej 225.8 milionë eurosh.