Armët në familje

Fotografi ilustruese

Nga përdorimi i armëve pa leje gjatë vitit të kaluar kanë humbur jetën 40 qytetarë, kurse gjatë dy vjetëve të kaluara dhe nga gjysma e parë e këtij viti, janë konfiskuar 307 armë të ndryshme në Kosovë, bëjnë të ditur autoritetet e rendit, me rastin e shënimit të Javës Globale Kundër Dhunës me Armë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se trajtimi i çështjes së përdorimit të armëve pa leje është ndër prioritetet kryesore të Ministrisë.

“Armët e vogla, janë në fakt armë të shkatërrimit në masë, sepse çdo vit afër gjysmë milioni njerëz vriten nga armët e vogla. Kosova, nuk është imune ndaj këtij problemi për faktin që gjatë vitit të kaluar 40 qytetarë të Kosovës janë vrarë me armë”, tha Rexhepi.

Edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, tha se krahas shumë çështjeve të tjera, konfiskimi i armëve pa leje është i përfshirë në planin zhvillimore të sigurisë për vitet 2011-2015.
Reshat Maliqi

“Njëra ndër objektiva strategjike të Policisë së Kosovës ka të bëjë edhe me ngritjen e nivelet të sigurisë publike, e në këtë rast ndërlidhet edhe parandalimin dhe lufta kundër dhunës me armë”, deklaroi Maliqi.

Java Globale Kundër Dhunës me Armë ka për qëllim vetëdijesimin e opinionit publik për parandalimin e përdorimit të pakontrolluar të armëve të zjarrit, sidomos në rastet festive.

Ministri Rexhepi u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të ndihmojnë në denoncimin e rasteve të armëve pa leje. Sipas tij, posedimi i një arme në një familje nuk është i arsyeshëm, pasi që për sigurinë e të gjithë qytetarëve kujdesen organet e rendit të Republikës së Kosovës.

Vetë prezenca e armës në familje, qoftë për shkak vendosjes së gabuar, edhe fëmijët mund të përfundojnë me ndonjë aksident fatal, prandaj nuk është e preferuar. Në princip nuk e shoh të arsyeshme që familjet duhet të pajisen me armë”, theksoi Rexhepi.

Ndërkaq, drejtuesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thanë se armët pa leje në duart e qytetarëve kosovarë po paraqesin rrezik serioz.

Behxhet Shala, drejtor i këtij institucioni, tha se konsideron që mungesa e zbatimit të ligjeve në gjithë vendin bën që numri i armëve pa leje të jetë shumë i lartë.
Veriu i Kosovës është përplot i mbushur me armë dhe ato armë depërtojnë pa problem në pjesë të tjera të Kosovës dhe shiten me një çmim të lirë.



Është përtërirë fondi i armëve edhe më tepër. Përderisa në Kosovë e kemi këtë situatë ku ligji nuk mund të zbatohet në tërë territorin e vendit, është e pamundur të kontrollohen vendet ku ka armë. Veriu i Kosovës është përplot i mbushur me armë dhe ato armë depërtojnë pa problem në pjesë të tjera të Kosovës dhe shiten me një çmim të lirë”, tha Shala.

Kurse, Ilir Kukaj nga Agjencia Nacionale e Forenzikës, theksoi se plumbat bredhës nga armët pa leje, përpos dëmeve materiale që janë duke shkaktuar, ata janë duke marrë edhe jetë njerëzish.

Një shembull i dhimbshëm në këtë vit ka ndodhur edhe në Kosovë, kur një fëmijë ka humbur jetën si pasojë e goditjes nga një plumb bredhës. Plumbi i cili ka ardhur nga lart, e ka goditur viktimën në kokë, duke depërtuar brenda në kafkën e tij. Me gjithë intervenimin kirurgjik dhe trajtimin mjekësor, viktima ka ndërruar jetë”, bëri të ditur Kukaj.

Sido që të jetë, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara, UNDP, në hulumtimin e fundit ka konstatuar se nga 400 mijë armë, në duart e qytetarëve, 330 mijë janë pa leje.