Kur do të bëhet regjistrimi në veri?

Pamje nga Mitrovica

Regjistrimi i popullsisë në veri të Kosovës vazhdon të kundërshtohet nga serbët lokalë. Por, përfaqësuesit e Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë janë ende optimistë se regjistrimi do të kryhet edhe në veri të Kosovës. Sipas tyre, në javën e ardhshme do të dihet saktë rezultati i takimeve të zyrtarëve të UNOPS-it dhe përfaqësuesve të serbëve në veri.


Regjistrimi i popullsisë nuk është zhvilluar ende veri të Kosovës. Ky proces po vazhdon të kundërshtohet nga serbët lokalë, të cilët kërkojnë nga Qeveria e Beogradit ose administrata e OKB-së ta realizojë procesin në fjalë.

Megjithatë, zyrtarë të Ministrisë së Administratës Publike dhe ata të Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë, thanë se ende nuk është hequr dorë nga realizimi i këtij procesi edhe në atë pjesë të vendit.


Kryetari i Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, i tha Radios Evropa e Lirë, se në javën e ardhshme do të dihet saktësisht se kur dhe a do të realizohet ky proces.

“Ende ka hezitime për po ose jo. Kështu që brenda 3-4 ditësh, përfundimisht, ne do ta dimë se sa solli rezultat angazhimi i UNOPS-it me përfaqësuesit e pakicës serbe në veri”, tha Blaku.

Nga ana tjetër, partitë opozitare vlerësuan se Qeveria qëllimisht e ka angazhuar Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS), për të bërë negociata me serbët atje dhe, eventualisht, regjistrimin në atë pjesë, për shkakun që të mos e marrë përgjegjësinë për dështimin e saj të radhës.

Anëtarja e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Melihate Tërmkolli, ish-ministre e Administratës Publike, tha se procesi i regjistrimit të popullsisë ka dështuar në përgjithësi.
Melihate Tërmkolli

“Është një proces i pasaktë dhe i parregullt teknikisht. Ndërsa, në veri, edhe po ta mbajmë, është i dështuar për faktin që nëse eventualisht do ta mbajnë, do ta bëjnë me strukturat e Beogradit. Përveç kësaj, e bën një organizatë ndërkombëtare që faktikisht është i dështuar në aspekt të sovranitetit të vendit edhe të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”, vlerësoi Tërmkolli.

Kryetari i Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, theksoi se nëse ky proces nuk realizohet në veri, do të përdoren metoda tjera për të kuptuar se sa është numri i banorëve në atë pjesë të vendit.

“Lidhur me numrin e banorëve dhe ekonominë shtëpiake të veriut, ne në Zyrën për Regjistrim dhe Entin e Statistikave të Kosovës, kemi dhe mund të dalim edhe me (si variant në rast nevoje), vlerësime sipas azhurnimit të vitit 2009 në bazë të imazheve satelitore dhe përafërsisht plus-minus 5 % -6% do ta bëjmë vlerësimin dhe ende ka gjasa që ata ta ndërrojnë mendjen”, u shpreh Blaku.

Një ide të tillë zonja Tërmkolli e konsideron si përcaktues jo të mirë për të treguar saktë se sa është numri i banorëve në veri.

“Nëse do të ishte ai një tregues i saktë, nuk do të kishte nevojë që regjistrimi të mbahej fare as në pjesën tjetër të Kosovës. Ato fotografime dihet për çka janë. Ato janë vetëm për t’i përcaktuar caqet regjistruese”, theksoi Tërmkolli.


Ajo u shpreh se tashmë ekziston rreziku që veriu i vendit të përfshihet në regjistrimin e popullsisë së Serbisë, e cila ka planifikuar që regjistrimin e popullsisë së saj ta bëjë në tetor të këtij viti.

“Kam frikë se regjistrimin në veri do ta bëjë Beogradi, atëherë kur e ka paraparë ta bëjë edhe në Serbi, në shtator apo në tetor. Kështu që ato struktura që janë atje, u referohen edhe politikave të Beogradit edhe në çështjet të tjera, e edhe në çështjen e regjistrimit”, tha Tërmkolli.

Përfaqësuesit e UNOPS-i thuhet se janë duke i negociuar marrëveshjet me banorët e veriut mbi kushtet, me të cilat ata do të pranonin zbatimin e regjistrimin në veri. Këto negociata nga ekspertët vlerësohen ta kenë bërë të ndikuar nga pazaret politike procesin e regjistrimit të popullsisë në veri.