Hapat e parë në mbrojtjen e dëshmitarëve

Foto arkivi

Çështja e mbrojtjes së dëshmitarëve në Kosovë, e cila kohëve të fundit ka qenë një nga temat kryesore në të gjitha raportet e organizatave prestigjioze ndërkombëtare, është shqyrtuar në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Ligjvënësit kosovarë kanë bërë shqyrtimin e parë të Projektligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve, duke e vlerësuar atë, por edhe duke paraqitur vërejtjet e tyre lidhur me të.

Deputeti Behar Selimi, nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se Ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve është kërkesë e kamotshme, si dhe nevojë e përditshme operacionale dhe e drejtësisë.

Sipas tij, bërja e këtij ligji është vonuar për shkak se mbrojtja e dëshmitarëve ka qenë kompetencë e rezervuar e drejtësisë dhe policisë ndërkombëtare.
Me këtë ligj plotësohet njëra nga kërkesat themelore të drejtësisë për mbrojtjen e dëshmitarëve.

“Me këtë ligj po plotësohet njëra nga kërkesat themelore të drejtësisë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Gjithashtu, po plotësohet edhe një kërkesë e Raportit të Progresit. Meqë po diskutojmë parimisht, edhe ne si grup parlamentar parimisht e mbështesim draft-ligjin”.

“Por, njëkohësisht, kemi edhe disa vërejtje parimore. Mendojmë se me Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve duhet të përligjet edhe situata parapenale”,
tha Selimi.

Deputetja Vjosa Osmani, nga Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se ky i fundit e përkrah miratimin e ligjit, ndonëse, siç theksoi ajo, qeveria, në këtë projektligj, nuk e ka përfshirë edhe mbrojtjen e dëshmitarëve që do të dëshmonin kundër korrupsionit.

“Grupi ynë parlamentar do ta përkrahë atë (projektligjin) në parim, me qëllim që ligji që do të miratohet përfundimisht në parlament, t’i reflektojë praktikat më të mira dhe, mbi të gjitha, të jetë më lehtë i zbatueshëm në praktikë”.

“Ne do t’i paraqesim vërejtjet tona edhe në komisionet funksionale, por e shohim të arsyeshme që në këtë seancë të përmenden disa prej tyre, të cilat shpresojmë se do të merren parasysh nga ky kuvend. Në radhë të parë, këto s’kanë të bëjnë me përmbajtjen e ligjit, kanë të bëjnë me atë se si do ta zbatojmë këtë ligj kur nuk ka para për ta zbatuar. Për këtë ligj nuk është paraparë asnjë cent”,
theksoi Osmani.
Ky projektligj, sado i qëlluar që është, nuk do të mund të zbatohet pa qartësimin dhe ndarjen e plotë të pushteteve edhe në praktikë.

Projektligji për mbrojtjen e dëshmitarëve do të duhej të ishte një hap më tej drejt përmirësimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, tha në anën tjetër deputetja Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Ky projektligj, sado i qëlluar që është, nuk do të mund të zbatohet si i vetëm, si dhe nuk do të mund të zbatohet pa qartësimin dhe ndarjen e plotë të pushteteve edhe në praktikë. Në arritjen e qëllimit të tij, ky projektligj duhet plotësuar edhe më tej, sepse si i tillë, është ende i mangët”, deklaroi Haxhiu.

Sipas deputetit Ahmet Isufi, nga Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, mbrojtja e dëshmitarëve nga kërcënimet ose frikësimet ka qenë dhe mbetet njëra nga sfidat më të mëdha për sistemin gjyqësor në Kosovë.

“Në përgjithësi, është pretenduar të jetë një ligj i draftuar me standarde, por mbetet sfidë zbatimi i tij, duke pasur parasysh specifikat e Kosovës dhe strukturën sociale të saj. Për këtë arsye, frika për zhvendosjen e dëshmitarëve jashtë Kosovës, që shpeshherë ka ndodhur edhe me manipulime, është mënyrë, e cila mund të dëmtojë edhe mundësinë e zbatimit të këtij ligji”, tha Isufi.

Edhe grupet tjera parlamentare në Kuvendin e Kosovës e kanë përkrahur në parim projektligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, duke nënvizuar vërejtjet e tyre lidhur me të. Në fund, ai është miratuar nga 80 deputetët e pranishëm në seancën e sotme.

Ligji në fjalë parashihet të hyjë në fuqi 1 vit pas miratimit. Gjashtë muaj pas fuqizimit, Ministria e Punëve të Brendshme është e obliguar të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji. Andaj, së paku edhe 18 muaj, nuk mund të pritet që ky ligj t’i japë rezultatet e para.