Milionerë në shtet të varfër

Fotografi ilustruese

Agjencia Kosovare Kundër-korrupsion ka bërë të ditur se një nga 10 politikanët që ishin pretendentë për të hyrë në Kuvend, është milioner. Shoqëria civile vlerëson se pasuria e politikanëve është e dyshimtë, meqë është paradoksale të ketë kaq shumë milionerë në një vend, ku gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër.


Profesioni më fitimprurës në Kosovë duket të jetë politika. Kjo të paktën duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë Kundër-korrupsion, e cila vlerëson se çdo i dhjeti pretendent për të hyrë në Kuvend nga partitë më të mëdha politike, ishte milioner.

Disa nga ta tashmë janë bërë pjesë e legjislativit.

Në Kosovën, në të cilën paga mesatare është rreth 270 euro, gjysma e popullatës është e papunë dhe e varfër, sipas drejtorit të Agjencisë Kundër-korrupsion, Hasan Pretenit, është shumë e vështirë të arrihet pasuria milionëshe.

Avni Zogiani nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, hedh dyshime mbi ata që janë pasuruar duke ushtruar funksionet publike.

“Është matematikë e thjeshtë. Sikur me këto rroga të mos shpenzonin fare, as atëherë nuk mund të arrihet kjo pasuri. Fenomeni i abuzimit me paranë publike po ndodh hapur, e shohim të gjithë dhe nuk ka fuqi askush për të vepruar, sepse edhe Gjyqësori është i ndërlidhur me këtë politikë dhe krim të organizuar. Rrënja e përbashkët e të gjitha partive politike bashkë me sektorët tjerë të korruptuar janë struktura të krimit të organizuar”,
shprehet Zogiani.

Agjencia Kundër-korrupsion thotë se në mesin e 450-460 pretenduesve ka identifikuar më shumë se 44 milionerë. Preteni ka thënë se ka pasur s’përputhje të shifrave në deklarimin e pasurisë që kanë bërë politikanë sa herë që është dashur ta bëjnë.

Avni Zogiani thotë se nuk është i befasuar me shifrat në fjalë. Ai ka një shpjegim.
Është e qartë që zyrat publike janë shndërruar në ndërmarrje private të politikanëve.


“Nuk më befason kurrgjë. Çdo i dhjeti ‘bodyguard’ është milioner. Ne kemi për shembull ‘bodyguard’ të kryeministrit që kanë shtëpi miliona eurosh dhe këtë e them me përgjegjësi të plotë dhe mund të përballem me ligj. Është e qartë që zyrat publike janë shndërruar në ndërmarrje private të politikanëve”,
thotë Zogiani.

Drejtori i Institutit Kosovar për Demokraci, Ismet Kryeziu, vlerëson se pasurimi i elitës politike, e ka varfëruar popullatën.

“Nga keqqeverisja kosovare, që është bërë, duke përfshirë edhe procesin e luftës, ku si qytetarë nuk kemi informacione të mjaftueshme për buxhetin që është përdorur, por edhe për periudhën e para luftës, domethënë të sistemit paralel”.
Është një zënie e frymës ekonomike nga keqqeverisja dhe nga këta njerëz që duke pasuruar vetveten, kanë varfëruar qytetarët e Kosovës.

“Të gjitha këto janë indikacione që këta njerëz që kanë qenë të përfshirë në këto procese, kanë pasuri marramendëse ose miliona, që është në s’përputhje me realitetin dhe me zhvillimet ekonomike të Kosovës. Është një zënie e frymës ekonomike nga keqqeverisja dhe nga këta njerëz që duke pasuruar vetveten, kanë varfëruar qytetarët e Kosovës”
, vlerëson Kryeziu.

Agjencia Kundër-korrupsion ka dërguar një sërë rastesh të dyshimta për korrupsion në prokuroritë kosovare dhe në atë të EULEX-it. Megjithatë, rastet kur të korruptuarit përballen me drejtësinë janë të rralla, apo dosjet e tyre lihen, arkivohen.

Avni Zogiani thotë se ky është indikator i korruptimit të Gjyqësorit, po ashtu.

“Sigurisht se politikani i korruptuar prodhon një gjyqësor të korruptuar. Gjyqësori nuk pikën prej qiellit. Kurdoherë që nuk funksionin Gjyqësori, është pushteti tjetër që intervenon. Në këtë rast është, për shembull, Parlamenti. Por, Parlamenti nuk mund të veprojë, pasi që vetë ai është deri në fyt”,
shton Zogiani.

Vitin e kaluar EULEX-i nisi hetimet ndaj Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit nën dyshimet për korrupsion, por rasti ende nuk ka kaluar në gjykatë.

Ndërkohë, Agjencia Kundër Korrupsionit bën thirrje që të miratohen ligjet, me të cilat luftohet korrupsioni, si ai anti-mafia dhe ligji mbi konfiskimin e pasurisë.