Ndërlidhjet

Preteni: Lufta kundër korrupsionit - prioritet


Hasan Preteni
Hasan Preteni
“Mendoj se tani nuk ka prioritet më të fuqishëm sesa lufta kundër korrupsionit dhe lufta për përmirësimin e kushteve sociale të jetesës së qytetarëve”, i tha Radios Evropa e Lirë, Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsion.


RADIO EVROPA E LIRË
Agjencia Kundër Korrupsionit gjatë vitit të kaluar ka dërguar një numër të konsiderueshëm të rasteve të dyshuara për korrupsion në Prokurori. Çfarë përgjigjesh keni marrë deri më tash?

HASAN PRETENI
Edhe në vitin që lamë pas, agjencia ka vazhduar të realizojë misionin e vet. Edhe këtë vit kemi dorëzuar shumë informacione, shumë kallëzime penale në Prokurori. Mund të them që ato raporte, ato pengesa, të cilat ishin mes AKK-së dhe Prokurorisë kanë filluar të zhduken, domethënë ka një progres në raportet tona.

Saktësisht si do të jetë numri i tyre, jemi në fazën e përfundimit të raportit të punës dhe shumë shpejt do t’i bëjmë publike të gjitha rastet që i kemi përcjellë, jo vetëm vitin e fundit, por edhe këtë vit, që do të jetë vit më elaborues, do të jetë një raport i përgjithshëm 5-vjeçar i punës së Agjencisë që lidhet me mandatin e drejtorit të tanishëm. Do të jetë një raport më përmbledhës dhe qytetari do të shohë saktësisht se sa raste i kemi trajtuar, sa persona kanë qenë të atakuar në kallëzimet tona penale dhe si ka vepruar Prokuroria.

Por, përfundimisht po shihet që ka ndoshta edhe rritje të hetimeve, hetimeve paraprake, hetime penale, por korrupsioni në Kosovë nuk po gjykohet ende.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin vjetor të vitit të kaluar, agjencia juaj kishte raportuar se institucionet më të korruptuara janë ato të nivelit qendror. Çka do të ketë në raportin, të cilin pritet ta publikoni pas pak ditësh?

HASAN PRETENI
Nuk ka ndryshime esenciale. Them se grupi i atyre katër institucioneve që kanë qenë viteve paraprake, mendoj që është edhe këtë vit. Kështu që më të përfshirë në korrupsion janë edhe nga pushteti lokal, nga ndërmarrjet publike, Qeveria dhe Gjyqësori.

Mendoj se Gjyqësori ka rënie këtë vit, kurse saktësisht për katër këto institucione dhe grupet e institucioneve, renditjen e tyre saktësisht nuk mund ta them në këtë moment, por shumë shpejt do të bëhet publike.

Por, përfundimisht them se nuk ka rënie të korrupsionit. Korrupsioni është i pranishëm në masë shqetësuese dhe ende nuk kemi sinjale të sakta, të pastra që kjo dukuri po luftohet me seriozitet më të fuqishëm.

Mund të them që ka rritje tek informimi, domethënë qytetari e ka shprehur gatishmërinë të bashkëpunojë me agjencinë dhe informacionet që vijnë në agjenci janë në baza ditore. Është një progres në këtë drejtim, mirëpo unë i frikësohem shumë asaj se do të bjerë ky interesim ose besimi tek institucioni në këtë rast agjencia, në qoftë se nuk rezultojnë pozitivisht ose në rast se këto informacione nuk përfundojnë atje ku duhet.

Kështu që ne do të angazhohemi shumë që edhe mekanizmat tjerë edhe hallkat e këtij zinxhiri të gjatë ta kryejnë misionin e vet dhe përfundimisht qytetarët e Kosovës t’i informojnë se janë duke e realizuar misionin.

Mendoj se tani nuk ka prioritet më të fuqishëm sesa lufta kundër korrupsionit dhe lufta për përmirësimin e kushteve sociale të jetesës së qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Preteni, përfaqësues aktualë të institucioneve të Kosovës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë paraqitur pasurinë e tyre, prejardhja e së cilës për disa analistë është e dyshimtë meqë është në disproporcion me pagat që marrin ata. A pajtoheni në këtë drejtim?

HASAN PRETENI
Po pajtohem shumë, por nuk pajtohem me atë se pati një analizë shumë të varfër në këtë drejtim, sepse shumë zyrtarë që kanë qenë në pozita vitin e kaluar, e kanë deklaruar pasurinë në agjenci dhe kjo pasuri është bërë publike. Më pastaj, pas 7-8 muajve është bërë edhe një deklarim tjetër i pasurisë të pretendentëve që të jenë pjesë e Parlamentit dhe kemi hasur në shumë raste që nuk përputhen shifrat.

Mendoj që ka munguar një analizë e përgjithshme. Ne, ato dyshime, ato raste që i kemi gjetur, kemi tentuar që t’i përcjellim te mekanizmat tjerë, në radhë të parë te Qendra e Inteligjencës Financiare dhe te Prokuroria Disiplinore që vepron pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Por, në mungesë të legjislacionit, në mungesë të sanksionimit penal, këto raste do të mbeten vetëm te gjykimi moral. Unë mund të them edhe një element që, duke analizuar atë se ato çka kanë deklaruar pretendentët për të qenë pjesë e Parlamentit, kemi nxjerrë një element që rreth çdo i dhjeti është milioner, ose në mesin e atyre, them për partitë kryesore, në mesin e 450-460 pretenduesve kemi identifikuar se më shumë se 44 janë milionerë.

Të jesh milioner në Kosovë me të vërtetë nuk është lehtë edhe nuk ka qenë punë e mundur - po them në shumicën e rasteve, por janë edhe çështjet që vihen pastaj se çka duan këta milionerë në politikë, apo sa politikanë kanë qenë në politikë dhe janë pasuruar janë bërë milionerë.

Sidoqoftë, them se kjo nuk është trajtuar si duhet. Mendoj që duhet bërë një analizë më e theksuar edhe e mediave, edhe e shoqërisë civile dhe mekanizmave që kanë për mision luftën kundër korrupsionit.

Ne, nga ana jonë, edhe me raportin e punës, vazhdimisht jemi duke insistuar që nomenklatura ligjore të plotësohet, të ketë përfundimisht ligj të veçantë për konfiskimin e pasurisë, të ketë ligj të veçantë ose siç e quajnë, një ligj anti-mafia, i cili me përbërje do të ishte shumë me rëndësi që barra e provës t’i bartet personit e jo shtetit. Saktësisht, që tani edhe disa pasuri që janë të dyshimta, duhet që shteti dhe institucionet të angazhohen që ta bindin Gjyqësorin që janë krijuar në mënyrë të paligjshme.

Do të ishte shumë e rrugës të merret një praktikë e shteteve në rajon që barra të mbetet tek individi dhe individi t'ua dëshmojë institucioneve se si e ka krijuar atë pasuri.

Më pas mendoj që Kodi Penal i Kosovës duhet të amendamentohet me, së paku, dy nene që sanksionojnë deklarimin e pasurisë që mosdeklarimi i pasurisë dhe deklarimi i rremë, të jenë vepra penale. Edhe llogaridhënia na mungon vazhdimisht; institucionet janë të krijuara, por askush nga to nuk po kërkon që ata të japin llogari.

Përfundimisht, ka ardhur koha që këto (institucionet) para Parlamentit të raportojnë se si e kanë zbatuar misionin e tyre dhe të futet në sistem edhe largimi i të gjithë atyre që kanë pranuar t’i udhëheqin institucionet, mirëpo nuk po sjellin rezultate. Mos të presim realizime në përfundim të mandateve, por çdo vit të rishikohet puna e tyre dhe në bazë të performancës t’u vazhdohet ose t’u ndërpritet mandati.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Preteni, presidenti i ri Behxhet Pacolli në mandatin e kaluar si deputet pati kërkuar që të mos i publikohej pasuria. A duhet tash që kjo pasuri të publikohet?

HASAN PRETENI
Mendoj se është dashur edhe vitin e kaluar të precizohet, por kanë qenë dy ligje, në të cilat zoti Pacolli është thirrur në atë kohë. Ligji për qasjen në dokumentet zyrtare, i cili në një mënyrë ia mundësonte një gjë të tillë, me specifikat që i ka kërkuar zoti Pacolli. Ne, atë komunikimin mes agjencisë dhe zotit Pacolli e kemi bërë publik dhe të gjitha ato komunikime janë publike në ueb-faqen e AKK-së.

Për këtë vit, ne mendojmë që do t’i evitojmë këto mangësi. Tashmë janë realizuar takimet e para; dy zyrtarë të agjencisë kanë biseduar me zotin president dhe shpresoj që 31 marsi do t’i evitojë ato mangësi dhe ato pengesa që kanë qenë vitin e kaluar dhe do të ketë dëshirë më të fuqishme që të evitohet ajo mangësi.

Them se janë dhënë shpjegime se si të evitohet konflikti i interesit, janë dhënë edhe sqarime nga ana e zyrtarëve të agjencisë se si do të respektohet ligji dhe çka duhet bërë dhe shpresoj që këtë vit, më 31 mars, do të kemi mundësi ta publikojmë edhe pasurinë që e deklaron zoti president.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG