Kuvendi të hënën flet për dialogun

Parlamenti i Kosovës

Një ditë para se të nisin takimet e palës kosovare me atë serbe në Bruksel, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë, nga e cila mund të dalë një rezolutë për bisedimet. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje vë kushte për bisedimet dhe paralajmëron demonstrata kundër tyre.


Brukseli zyrtar ka konfirmuar se më 8 mars do të takohen shefat e grupeve të ekipeve negociatore të Prishtinës dhe Beogradit, hap ky që duket se shënon fillimin e dialogut.

Grupet parlamentare të Kuvendit janë pajtuar që për dialogun të diskutohet së pari në Kuvend dhe kjo është vendosur të bëhet të hënën, më 7 mars.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, shpjegoi se nuk do të ketë seancë të jashtëzakonshme siç kishte kërkuar Lëvizja Vetëvendosje.

“Ne kemi pritur, pasi ishte një kërkesë e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes që do t’i bëjë 40 nënshkrime, për t’u mbajtur seanca sot. Por, kjo nuk ndodhi dhe seanca mbahet të hënën, sipas kërkesës së Qeverisë. Sigurisht se Kuvendi do ta nxjerrë një dokument dhe ai dokument do të jetë një rezolutë, e cila duhet të votohet në Kuvendin tonë”
, tha Krasniqi.

Nuk dihet se sa do të ketë unitet për këtë dokument, meqë Lëvizja Vetëvendosje, si forca e tretë në Kuvend, tashmë ka bërë të qartë se është kundër negociatave dhe se do të përpiqet që këtë qëndrim ta fusë në rezolutë.

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Glauk Konjufca, përmend një sërë kushtesh që duhet të plotësohen nga Serbia, para se të nisin bisedimet.

“Këto janë: njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, pagesa për reparacionet e luftës në vlerë prej 15 miliardë dollarësh vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë, kthimi i të pagjeturve, që nuk duhet të jetë çështje negociatash, por humanitare, duhet ta kthejë fondin e vjedhur pensional, më shumë se 200 milionë dollarë... këto çështje nuk mund të zgjidhen përmes negociatave. Problemet që i ka Kosova nuk zgjidhen duke i shkuar Serbisë duke i qarë në tavolinë të bisedimeve”,
u shpreh Konjufca.

Në ditët e fundit, në Kosovë ka qëndruar dy herë Robert Kuper, zyrtar i lartë i kabinetit të shefes së diplomacisë evropiane, Ketrin Eshton. Vizitën e tij në Prishtinë dhe në Beograd, zyrtarët e Brukselit e kanë konsideruar si pjesë të konsultimeve të fundit para se palët të nisin vetë dialogun.

Në anën tjetër, raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë që bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit fillojnë më 8 mars në Bruksel dhe se temat e bisedimeve varen nga çështjet që janë prioritet për të dy palët.

“Mendoj se është me rëndësi që në takimin e parë të ketë lëvizje konkrete dhe që të dy palët të pajtohen për prioritetet e tyre. Kjo do të ishte porosia më e mirë, jo vetëm për këto dy vende, por edhe për rajonin, sepse do të rriste besimin në të dy shtetet, por edhe rajon”.

“Prandaj, për ne janë shumë me rëndësi lajmet pozitive edhe nga Serbia, edhe nga Kosova, edhe nga Ballkani, dhe për këtë ky fillim i dialogut është shumë i rëndësishëm”,
deklaroi Kacin.

Kryeministri Hashim Thaçi tashmë ka emëruar zëvendëskryeministren Edita Tahiri si shefe të ekipit kosovar për negociata. Ajo së bashku me ministrin e Jashtëm Enver Hoxhaj, po qëndrojnë në SHBA, ku po takohen me zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane dhe të Kongresit.

Është thënë se dialogu me Serbinë do të jetë pjesë e bisedimeve. Ndërkohë, ende nuk janë formuar grupet punuese kosovare, që thuhet se do kenë ekspertë për çështjet përkatëse.

Dialogu, për të cilin Prishtina insiston se do të jetë teknik, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, do të jetë politik dhe si të tillë, ata kanë bërë të ditur se do ta kundërshtojnë edhe përmes demonstratave.

Lexoni edhe këto:

Analistët: Bisedimet në kohë të papërshtatshme për vendin
Bisedimet Kosovë-Serbi, si shtete sovrane