BE: Konsultimet për dialog në fazën finale

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë konfirmuar se janë në raundin final të konsultimeve para fillimit të dialogut Prishtinë-Beograd. Ndërsa BE-ja dhe Prishtina insistojnë se do të diskutohet vetëm për çështje teknike, Beogradi zyrtar thotë se do të flitet edhe për statusin. Analistët kosovarë thonë se Prishtina po hyn e defaktorizuar në këto bisedime.


Kabineti i shefes së diplomacisë evropiane, Kethrin Eshton, ka bërë me dije se përgatitjet për të nisur dialogun Prishtinë-Beograd janë në fazën finale. Në Prishtinë, në ditët e fundit, ka qëndruar përfaqësuesi i lartë në këtë kabinet, Robert Kuper.

E pyetur për qëllimin e vizitës së Kuperit në Kosovë, zëdhënësja Maja Kocijançiq nuk është përgjigjur drejtpërdrejt, por ka bërë të ditur se BE-ja po zhvillon konsultimet e fundit me palët.

“Ne po kryejmë raundin final të konsultimeve para dialogut Prishtinë-Beograd. Presim që pas këtij raundi, dialogu të fillojë në javët e ardhshme”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e kabinetit të Kethrin Eshtonit, Maja Kocijançiq.

Prishtina tashmë ka emëruar zëvendëskryeministren Edita Tahiri në rolin e shefes së ekipit kosovar në këto bisedime. Disa zyrtarë serbë e kanë parë këtë emërim si provë se Prishtina e di se do të bisedohet për çështje politike, meqë ka emëruar zëvendëskryeministren për këtë çështje.

Por, zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, ka thënë se do të flitet vetëm për çështje teknike.

“Ne jemi deklaruar se të gjitha çështjet që kanë karakter dhe relevancë teknike, do të diskutohen”, ka thënë ai.

Kabineti i shefes së diplomacisë evropiane, ndërkaq, ka bërë me dije se do diskutohen ato çështje teknike që promovojnë bashkëpunimin. Ky kabinet, që pritet të jetë lehtësues në bisedime, nuk ka dhënë datë të saktë për fillimin e dialogut.

“Ka shumë fusha ku ekziston nevoja për të promovuar bashkëpunimin dhe zhvillimin e raporteve, si: regjistrimi civil, aviacioni dhe tabelat e veturave. Pritet që të jetë proces hap pas hapi, ku të dyja palët do të tejkalojnë çështjet specifike në atë mënyrë për të cilën të dyja palët janë pajtuar t’iu qasen”, ka thënë Maja Kocijançiq.

Por, në anën tjetër, analistët hedhin dyshime se Prishtina po hyn si palë e barabartë në këto bisedime. Për më tepër, hidhet dyshimi se me këto bisedime, Serbia do të jetë ajo që përfiton, konkretisht me afrimin kah Bashkimi Evropian, dhe jo Kosova.

Analisti Belul Beqaj është shprehur:

“Vetë fakti se Serbia është në procesin e kandidimit, por edhe me faktin se në Serbi janë shtuar zërat për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, ndonëse ato do të duhej të mbaheshin vitin e ardhshëm, ekziston mundësia që të bëhen ndryshime, në kuadër të raportit të brendshëm të forcave politike”.

“BE-ja është e vetëdijshme se ndryshimet nuk i shkojnë përshtati shumë idesë së integrimeve, por radikalizimit të mëtejmë, dhe kjo do të thoshte kthim prapa karshi të gjitha procesve që janë zhvilluar, e veçmas të integrimit të Serbisë e Kosovës në BE”,
ka thënë Beqaj.

Një ditë më parë, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, ka thënë se “shumë njerëz” nga komuniteti ndërkombëtar mendojnë se ndarja e Kosovës mund të jetë një nga opsionet në bisedime.

Në anën tjetër, kabineti i kryeministrit Thaçi ka bërë të ditur se në takimin me zyrtarin e lartë evropian, Robert Kuper, është arritur pajtimi që të diskutohen çështjet që përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Megjithatë, analistët mendojnë se Prishtina nuk është në pozitë të imponojë temat e diskutimit. Sipas Beqajt, iniciativat po vijnë nga BE-ja dhe Beogradi.

“Kosova mjerisht është në gjendje që t’i pranojë iniciativat që vijnë nga të tjerët, për faktin se moti është defaktorizuar si element i rëndësishëm i rajonit. Dhe, derisa e kemi këtë gjendje kështu, ne po shpresojmë se nuk po i bëjmë hapat e gabuar”.

“Unë mendoj se Kosova ka ardhur në situatë që t’i përfillë të gjitha kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare. Nëse eventualisht diç nga ato kërkesa nuk e realizon në përputhje me dinamikën e shtruar nga BE-ja, mendoj se do ta bëjë një dëm, në vend se ta ndihmojë veten, aq më tepër pasi që nuk mund të fillojë iniciativa për shkak të gjendjes në të cilën është
”, ka deklaruar Beqaj.

Ai ka thënë se pozita inferiore e Kosovës buron nga zgjedhjet që u përcollën me manipulime dhe rënia e reputacionit për shkak të raportit të Dik Martit, i cili akuzon kryeministrin Thaçi për përfshirje në trafikim me organet njerëzore.

Megjithatë, Prishtina zyrtare është e bindur se në dialog hyn si palë e barabartë në mes të dy shteteve sovrane.

Dialogu, që është miratuar në parim nga liderët e të dyja vendeve dhe ka marrë mbështetjen ndërkombëtare edhe përmes një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, vjeshtën e vitit të kaluar, është menduar të nisë si një lloj bashkëpunimi dhe të relaksojë raportet e ngrira ndërmjet Serbisë dhe shtetit më të ri, Kosovës.