Ndërlidhjet

Hapat e parë për dialogun


Fati i personave të pagjetur thuhet se do të jetë në krye të agjendës së bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Fati i personave të pagjetur thuhet se do të jetë në krye të agjendës së bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kosova ka ndërmarrë hapin e parë në kuadër të dialogut me Serbinë, duke emëruar zëvendëskryeministren Edita Tahiri si udhëheqëse të delegacionit të Kosovës. Ministri i kabinetit qeveritar, Memli Krasniqi, e konfirmon këtë lajm.

Qeveria e Kosovës
“Në koordinim edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, në radhë të parë me BE-në dhe SHBA-në, sot është vendosur që zëvendëskryeministrja Edita Tahiri të udhëheqë ekipin kosovar për dialogun me ekipin e Republikës së Serbisë, për çështje të karakterit teknik”,
thotë Krasniqi.

Koordinatori i ekipit serb për bisedime është caktuar kohë më parë, por në mungesë të institucioneve, Kosova nuk pati caktuar as ekipin e as koordinatorin e saj.

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, konfirmon se me ndërmjetësimin e Brukselit, tashmë palët kanë nisur të diskutojnë për temat konkrete.

“Kanë nisur diskutimet konkrete rreth temave dhe afateve kohore, por kjo është ajo korrespondenca që edhe më herët ka ekzistuar përmes Brukselit, përmes Komisionit Evropian”.

“Ne e kemi nxjerrë listën e temave, për të cilat jemi të interesuar e edhe ata kanë dalë me listë. Aty ku ka përputhje, ka marrëveshje; aty ku jemi afër, Brukseli përpiqet të gjejë zgjidhje, në mënyrë që të jetë e pranueshme edhe për njërën, edhe për tjetrën palë”,
thotë Ivanoviq.

Caktimin e udhëheqëses për bisedime, Krasniqi nuk e sheh edhe si fillim të dialogut. Ai nuk jep datë të saktë se kur do të nisë, por përmend një të ardhme të afërt.

“Dialogu do të fillojë besoj në të ardhmen e afërt. Ky ka qenë hapi i parë në vendimin për udhëheqësen, por normalisht që do të këtë edhe personalitete te tjera të fushave specifike, që do të trajtohen gjatë bisedimeve, që do të jenë pjesë e ekipit. Sot mund të konsiderojmë vetëm hapin e parë nga ana e Republikës së Kosovës në këtë drejtim”, thotë Krasniqi.

Dialogu, që është miratuar në parim nga liderët e të dyja vendeve dhe ka marrë mbështetjen ndërkombëtare edhe përmes një rezolute nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vjeshtën e vitit të kaluar, është menduar të nisë si një lloj bashkëpunimi dhe të relaksojë raportet e ngrira ndërmjet Serbisë dhe shtetit më të ri, Kosovës.

Sipas Oliver Ivanoviqit, ky dialog që, sipas tij, do të fillojë në pjesën e dytë të muajit mars, do të përfshijë tema që prekin direkt jetën e qytetarëve serbë.

“Për ne janë shumë me interes gjërat që i prekin serbët në kohët e fundit - telekomunikacioni, trafiku, të zhdukurit, të rrëmbyerit - në to do të insistojmë shumë. Për ne do të jenë të pranueshme ato që quhen probleme jetësore të serbëve”,
thekson Ivanoviq.

Në analiza të ndryshme, dialogu me Serbinë, edhe pse i përfolur si teknik, është parë edhe si një lloj kërcënimi për tërësinë territoriale të Kosovës, marrë parasysh gjendjen në veri.

Beograd
Duke u nisur nga gjendja faktike në veri, ku Qeveria e Kosovës nuk e ka nën kontroll atë pjesë, e cila vazhdon të mbizotërohet nga struktura e pushtetit paralel që mbështetjen e ka në Beograd, analistët kanë tërhequr vërejtjen se veriu edhe mund të imponohet si temë e veçantë e bisedimeve.

Megjithatë, Grupi Ndërkombëtar Drejtues, në takimin e fundit të tij, ka bërë të qartë se dialogu nuk do të përfshijë statusin e Kosovës dhe as ndarjen e saj.

Zëdhënësi Memli Krasniqi thotë se me Beogradin do të trajtohen vetëm temat me karakter teknik.

“Fati i personave të pagjetur nga lufta në Kosovë do të jetë ndër prioritetet e para, meqë ka pasur takime të mëhershme dhe rezultate konkrete, por që duhen të amplifikohen dhe të dinamizohen”,
thotë Krasniqi.

Menjëherë pas krijimit të institucioneve, bashkësia ndërkombëtare, në veçanti Bashkimi Evropian, i ka kërkuar Kosovës që të nisë bisedimet me Serbinë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG