Shtyhet konfirmimi në rastin "Medicus"

Përmirësimi i sistemit për mbrojtjen e dëshmitarëve është i nevojshëm jo vetëm për rastet që kanë të bëjnë me trafikimin me organe njerëzore apo krime të luftës në Kosovë, vlerësuan përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut në Prishtinë. Procedura e mëtejmë gjyqësore për një rast të kësaj natyre - rasti “Medicus”, mësohet se është shtyrë për një afat shtesë prej më shumë se dy javësh.


Afati i fundit për konfirmimin e aktakuzës lidhur me një rrjet të dyshuar për trafikim me organe njerëzish, i njohur ndryshe si rasti “Medicus”, do të jetë 5 shkurti i këtij viti, njoftuan zyrtarë të misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Edhe pse ishte parashikuar që të premten të merret vesh për ecurinë e mëtejme të rastit, procedura thuhet se është shtyrë dhe për 15 ditë të tjera.

Zëdhënësja e komponentës së drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, i tha Radios Evropa e Lirë se shtyrja e afatit për konfirmimin e aktakuzës është bërë për shkak të ndërlikueshmërisë së rastit.
...rasti konsiderohet të jetë kompleks dhe voluminoz, e që përfshin një numër të të pandehurve.

“Gjykatësit i duhen 15 ditë shtesë për të vendosur lidhur me rastin ‘Medicus’, sepse rasti konsiderohet të jetë kompleks dhe voluminoz, e që përfshin një numër të të pandehurve”,
bëri të ditur Herodes.

Seanca dëgjimore për konfirmimin e akuzave të ngritura për shtatë shtetasit e Kosovës, të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në aktivitete të ndryshme të trafikimit me organe njerëzore, u mbajt më 6 janar.

Edhe pse zyrtarët evropianë kategorikisht kanë hedhur poshtë mundësinë e ndërlidhjes së rastit ‘Medicus’ me rastet e tjera të dyshuara për trafikim me qenie njerëzore, siç është ai i “Shtëpisë së Verdhë”, kjo temë u vu së fundi në qendër të debateve në opinionin vendor e ndërkombëtar pas publikimit të raportit të përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

Në raportin e tij, ndër të tjera, akuzohet kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi, për udhëheqjen e një grup të ish-ushtarëve të UÇK-së në trafikimin me organe njerëzore, armë dhe drogë.

Ditë më parë, organizata Human Rights Watch kërkoi krijimin e një ekipi të prokurorëve të pavarur të emëruar nga EULEX-i, të cilët do të duhej ta kryenin një hetim të gjerë e gjithëpërfshirës lidhur me akuzat e raportuesit zviceran.

Human Rights Watch theksoi po ashtu rëndësinë e përmirësimit të sistemit për mbrojtjen e dëshmitarëve në Kosovë - mangësitë e deritashme në këtë drejtim, sipas organizatës, kanë penguar që të vihet drejtësia lidhur me krimet e luftës në Kosovë.

Mirëpo, Valon Murati, hulumtues në Qendrën për të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Prishtinës, tha se mbrojtja e dëshmitarëve vetëm në kuadër të kornizave të Kodit të Procedurës Penale, është e pamjaftueshme dhe se duhet që të krijohet vullneti politik në hartimin dhe miratimin e ligjit për këtë çështje.
Çështja e mbrojtjes së dëshmitarëve nuk duhet të shikohet vetëm në atë prizëm; duhet të shikohet edhe në rastet e korrupsionit të qeveritarëve tanë...


Murati theksoi se mbrojtja e dëshmitarëve është e nevojshme edhe për raste të tjera.

“Çështja e mbrojtjes së dëshmitarëve nuk duhet të shikohet vetëm në atë prizëm; duhet të shikohet edhe në rastet e korrupsionit të qeveritarëve tanë, në rastet e precedentëve të tjerë penal, për funksionimin e një sistemi efikas do të duhej të ekzistonte një ligj i tillë”,
u shpreh Murati.

Lexoni edhe këto:
Turqia arreston Jusuf Sonmez
Gjykata liron Sonmezin