Rinumërimi qartëson dilemat

Qendra e Numërimit dhe Rezultateve

Rinumërimi i 760 vendvotimeve, apo 40 për qind të numrit të përgjithshëm të votave nga zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit 2010, pritet të përfundojë të martën.

Kryeshefi i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Xhemajl Peqani, njoftoi se procesi i rinumërimit është në përfundim e sipër dhe, sipas tij, KQZ-ja pret të marrë një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, për gjetjet nga rinumërimi.
Procesi i numërimit të votave është duke vazhduar dhe sot do të përfundojë.

“Procesi i numërimit të votave është duke vazhduar dhe sot do të përfundojë. Kanë mbetur edhe 60 kuti të votimit, apo vendvotime. Paralelisht është duke shkuar edhe futja e të dhënave në bazën e të dhënave dhe auditimi. Pastaj, QNR-ja do të dalë me një raport dhe do të shohim”
, tha Peqani.

Ky rinumërim pritet të qartësojë, në radhë të parë, disa dilema të subjekteve politike se kishte manipulime me votat e kandidatëve për deputetë, brenda subjektit të njëjtë politik.

Drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kishin paralajmëruar se nëse vërehen parregullsi të mëdha, do të përsëriten votimet nëpër qendra të caktuara.

Por, kryeshefi i KQZ-së, Peqani, nuk deshi të flasë për mundësinë e anulimit të vendvotimeve, derisa QNR-ja të mos dorëzojë një raport në Komisonin Qendror të Zgjedhjeve.

“KQZ-ja do të marrë njëherë raportin nga QNR-ja, do të diskutohet nga KQZ-ja dhe me siguri, pas zgjedhjeve që do të jenë më 9 janar, sepse edhe ato janë pjesë e procesit të 12 dhjetorit, KQZ-ja do të dalë me rezultate përfundimtare nga QNR-ja”,
theksoi Peqani.

Edhe Driton Selmanaj nga “Demokracia në Veprim”, koalicion ky që, po ashtu, ka monitoruar procesin e rinumërimit, tha se ky proces ka ecur mbarë.

“Procesi i rinumërimit të këtyre 40 për qind të votave, ka shkuar drejt. Në bazë të monitoruesve që ne i kemi atje, nuk ka pasur ndonjë parregullsi që do ta kishim veçuar. Ka pasur parregullsi krejt të vogla e teknike, ku për 40 për qind të votave që janë rinumëruar, nuk është konsideruar se është dëmtuar procesi”
, theksoi Selmanaj.

Selmanaj nga “Demokracia në Veprim”, bëri të ditur se sipas raporteve gjatë monitorimit të rinumërimit të votave, KQZ-ja vështirë se do mund të marrë ndonjë vendim për ripërsëritje të votimeve në ndonjë vendvotim.
Në bazë të asaj që ne kemi vërejtur aty, nuk na jep shumë shpresë që ndoshta edhe në ndonjë vendvotim të përsëriten zgjedhjet.


“Në bazë të asaj që ne kemi vërejtur aty, nuk na jep shumë shpresë që ndoshta edhe në ndonjë vendvotim të përsëriten zgjedhjet. Nuk ka pasur parregullsi të natyrave të mëdha, të cilat mund ta çojnë ndonjë vend në rivotim edhe një herë, apo edhe për ta ndryshuar vendimin e KQZ-së”.

“Ndoshta edhe për çështje krejt të vogla teknike KQZ-ja mund të marrë ndonjë vendim eventualisht për përsëritje të ndonjë vendvotimi, por ajo që është parë deri më tash nuk na jep të besojmë që ka për të pasur ndonjë vendim ndryshe”,
u shpreh Selmanaj.

Ndërkohë, KQZ-ja njoftoi se po i bën përgatitjet e fundit për përsëritjen e zgjedhjeve në Drenas, Skenderaj, Deçan dhe në dy vendvotime, një në Lipjan dhe tjetri në Malishevë.

Për këtë proces të rivotimit, KQZ-ja ka marrë një vendim që ka përcaktuar periudhën e fushatës zgjedhore për këto komuna ku do të ketë rivotim.

Në vendim thuhet se periudha e fushatës zgjedhore do të fillojë më 05 janar dhe do të përfundojë më 07 janar në orën 24:00.

Në vendim theksohet se fushata e zgjedhjeve duhet të zhvillohen në përputhshmëri me dispozitat ligjore në fuqi dhe rregullat zgjedhore.

Ndryshe, nga KQZ-ja është premtuar se do të ketë monitorim të rreptë të procesit. Parashihet që 90 ekipe të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendës do të qëndrojnë gjatë gjithë ditës së diel (9 janar) nëpër qendrat e votimit.

Lexoni edhe këto:
Manipuluesit me vota, mund të dënohen
12 dhjetori i lënduar