Rreziku nga piroteknika

Fotografi ilustruese

Blerja dhe përdorimi i produkteve piroteknike tashmë ka filluar në Kosovë, në prag të festave të fundvitit. Brahim Sadriu, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, thotë se shitja, blerja dhe përdorimi i produkteve piroteknike nga personat, që janë nën moshën 18 vjeçe, nuk janë të lejuara me ligj. Por, shitësit ambulantë dhe vetë fëmijët tregojnë se produktet e tilla i blejnë dhe i përdorin edhe ata që janë nën moshën e lejuar.


Në Kosovë ka kohë që ka filluar shitblerja dhe përdorimi i produkteve piroteknike. Një gjë e tillë është e rregulluar me ligj, thonë zyrtarët e policisë së Kosovës.

Por, kufizimet që imponon udhëzimi administrativ 26/ 2008, i cili është nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe që rregullon këtë çështje, në mjaft raste nuk respektohen.

Brahim Sadriu, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, thotë se aktualisht, shitblerja dhe përdorimi i produkteve piroteknike, është brenda afatit të ligjshëm.

“Data e lejuar për shitjen e produkteve piroteknike fillon nga 19 deri më 31 dhjetor. Ndërsa, përdorimi i tyre është i lejuar nga 26 dhjetori e deri më 2 janar”.

“Sa i përket çështjes se si është e lejuar shitja dhe blerja e këtyre produkteve, mund të themi se mund të blejnë vetëm personat që kanë moshën mbi 18 vjet. Gjithashtu, edhe përdorimin duhet ta bëjnë personat mbi moshën 18 vjet. Nuk është e lejuar shitja e produkteve piroteknike për personat, që janë nën këtë moshë”
, bën të ditur Sadriu.

Lidhur me rregullat ligjore për shitblerjen e produkteve piroteknike, janë informuar edhe shitësit ambulantë të këtyre produkteve, të cilët ofrojnë këto produkte, kryesisht në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.

Besart Ratkoceri, shitës ambulant i produkteve piroteknike, thotë se kërkesat, të shumtën e rasteve vijnë nga fëmijët.

Fishekzjarrë në Prishtinë

“Ka (fëmijë), por gjithmonë të përcjellë me dikë më të rritur, mbi 18 vjeç. Fëmijëve, nën 18 vjeç, nuk iu shesim produkte të mëdha dhe të rrezikshme. Kuptohet, që i udhëzojmë. Secili fishekzjarr i ka udhëzuesit e vet dhe ne i udhëzojmë se si të përdoren”,
tregon Ratkoceri.

Por, Albert Sylejmani, 16-vjeçar, nga Prishtina, thotë se pavarësisht moshës që ka, blen mjete piroteknike, për të kremtuar festën e Vitit të ri:

“Me mjete piroteknike, gjithsesi. ‘Raketat’ i blejmë me vëllanë. Pastaj, në orën 24 dalim dhe i ndezim të gjitha. Në përgjithësi, krejt lagjja organizohemi, të gjithë ne të rinjtë që blejmë mjete piroteknike, dalim dhe i gjuajmë. Dimë se si bëhet. Nuk është ndonjë filozofi. Vetëm i ndezim fitilat me shkrepëse dhe ajo ikë lart dhe pëlcet”.

Gëzim Ejupi, një tjetër shitës ambulant i produkteve piroteknike, thotë se këto produkte i blejnë të gjitha moshat.

“Të rriturit, po ashtu edhe të vegjlit. Është e vërtetë që e kanë të ndaluar dhe është rrezik për fëmijët, por janë disa mjete piroteknike të vogla, që nuk mund të shkaktojnë dëme. Ndërkaq, këto të mëdhatë, jemi duke ua shitur, ta themi të vërtetën, por ose janë me prindër ose është dikush përcjellës i tyre, që blen diç më të madhe. Udhëzime nuk ju japim, sepse nuk na pyesin asgjë. Shumicën e rasteve e dinë se si përdoren, sa metra hidhen dhe në çfarë largësie duhet të rrinë”,
shprehet Ejupi.

Ndryshe, edhe një fëmijë 9-vjeçar, thotë se i blen dhe i përdorë produktet piroteknike:

“I kam 9 vjet. Unë blej petardë ‘Pirat’, blej ‘raketë’ ose ndonjë tjetër, ‘hajmali’ dhe ‘bomba’, plot. I ruaj për Vitin e Ri. Kërcasin shumë. E kanë një ‘fitil’, të cilin e ndezim dhe e gjuajmë dhe ajo pëlcet. Për shembull këtu e ndezim një dhe ne ikim rreth 18 metra larg”.


Në anën tjetër, sipas zyrtarëve të Policisë së Kosovës, vitin e kaluar janë shënuar 54 raste të lëndimit me produkte piroteknike, lëndime këto kryesisht në gjymtyrë, ndërkaq, një person ka humbur edhe syrin.

Zëdhënësi Sadriu apelon te prindërit që ta shtojnë kujdesin ndaj fëmijëve të tyre, lidhur me përdorimin e produkteve piroteknike.

“Policia e Kosovës, si institucion përgjegjës për sigurinë në vend, përgjegjës për ruajtjen e jetës dhe pronës së qytetarit, nuk mund ta shmangë përgjegjësinë e vet lidhur me këtë çështje”.

“Por, mendoj që në rastet kur fëmijët i përdorin këto produkte piroteknike, një rol të madh mund të luajnë prindërit, pasi që fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për veprimet që i bëjnë. Policia nuk mund të jetë në çdo skaj të vendit për të kontrolluar çdo lëvizje të gjithsecilit”,
thekson Sadriu.

Sidoqoftë, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë paralajmëruar se gjatë kremtimit të Vitit të ri, përveç kujdesit që do ta shtojnë për sigurinë nga produktet piroteknike, në shënjestër të tyre do të jenë më së shumti personat e papërgjegjshëm që përdorin armët e zjarrit për të festuar.