Votuesit s’e preferojnë koalicionin PDK-LDK

Prishtinë (Foto arkivi)

Në bazë të një sondazhi të zhvilluar para zgjedhjeve të 12 dhjetorit nga Klubi për Politikë të Jashtme, del se elektorati kosovar nuk preferon përsëritjen e koalicionit PDK-LDK. Sipas këtij sondazhi, koalicioni që më shumë preferohet është ai ndërmjet LDK-së dhe AAK-së. Sidoqoftë, do të jetë PDK-ja, si fituese e zgjedhjeve, ajo që e para do të provojë formimin e qeverisë së re, tha Ylli Hoxha, nga Klubi për Politikë të Jashtme.


Klubi për Politikë të Jashtme ka prezantuar rezultatet e një sondazhi të zhvilluar para zgjedhjeve, i cili paraqet opinionet dhe preferencat e elektoratit të partive politike në lidhje me koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Nga 1 mijë e 50 persona të anketuar para zgjedhjeve, në të gjitha kombinimet koalicioni më i preferuar i tyre është ai ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa koalicioni që më së paku preferohet është ai ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme, Ylli Hoxha, tha se si votuesit e PDK-së, ashtu edhe ata të LDK-së, janë kundër përsëritjes së koalicionit ndërmjet këtyre dy partive.

Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, Hoxha tha se është e pritshme që PDK-ja fillimisht të provojë e para të formojë qeverinë si fituese e zgjedhjeve. E, në rast se do të dështonte, atëherë nismën do ta merrte LDK-ja.

“Këto dy subjekte politike i kanë shanset e veta për të krijuar koalicionin e ardhshëm. Pra, nëse PDK-ja del fituese pas rinumërimit - çka edhe duket se do të ndodhë - ajo do ta ketë përparësinë kushtetuese, sepse do ta marrë mandatin menjëherë nga ushtruesi i detyrës së presidentit dhe do t’i ketë shanset që e para të krijojë koalicionin”.

“Në anën tjetër, partia e dytë, LDK-ja, ka përparësi, sepse dy subjektet që kanë gjasa më të mëdha për t’u futur në koalicionin e ardhshëm, e kanë një elektorat më të disponuar për t’u futur në këtë marrëdhënie me LDK-në, sesa me PDK-në”,
tha Hoxha.

Sondazhi i Klubit për Politikë të Jashtme parasheh se një qeveri ndërmjet PDK-së, AKR-së dhe pakicave, si kombinimi më shumë i përfolur, do të ishte mjaft e brishtë dhe se qëndrueshmëria e saj do të rritej dukshëm nëse aty do të përfshihej edhe AAK-ja.

Por, në një kombinim të tillë, sipas sondazhit, elektorati i AAK-së nuk e preferon aspak PDK-në. Përkundrazi, votuesi i AAK-së dhe AKR-së preferon më shumë LDK-në, tha Hoxha.

Ndërkaq, duke iu referuar votuesve të partive politike veç e veç, Ylli Hoxha tha se pozicioni i elektoratit përputhet me qëndrimet e subjekteve politike. Kështu, elektorati i PDK-së, si partia më e madhe, ka preferenca thuajse të njëjta me ato që i prezanton edhe lidershipi i saj.

“PDK-ja ka elektorat, i cili nuk e dëshiron këtë parti në koalicion me LDK-në, siç nuk e dëshiron në koalicion as me AAK-në dhe Vetëvendosjen. Preferon që PDK-ja të jetë në koalicion me AKR-në dhe me partitë që përfaqësojnë pakicat”, tha Hoxha.

Po ashtu, edhe elektorati i LDK-së ka një pozicion gati se të njëjtë me atë që prezanton Isa Mustafa dhe kryesia e partisë, ndonëse te votuesi i LDK-së thuhet se ka një përmbajtje të caktuar edhe në raport me pakicat.

“LDK-ja, edhe më shumë sesa votuesit e LDK-së, e kundërshton koalicionin me PDK-në. Preferon një koalicion me AAK-në, ndërkaq janë të ndarë me atë se a duhet hyrë në koalicion me Vetëvendosjen dhe me AKR-në, siç janë të ndarë edhe në raport me pakicat - në një nuancë më negative krahasuar me partitë tjera”, theksoi Hoxha.

Hulumtimi tregon më pas se elektorati i AAK-së shprehet në favor të koalicionit me LDK-në, por jo edhe me PDK-në. Ndërkaq, mbetet i rezervuar në lidhje me përafrimin e partisë me Vetëvendosjen dhe neutral në raport me AKR-në.

Lëvizja Vetëvendosje shprehet kundër koalicionit me cilëndo parti politike, duke preferuar opozitën, ndonëse u tha se ka disa përjashtime ku AAK-ja shihet si partnere e mundshme e saj.

Votuesit e AKR-së, sikurse edhe lidershipi i saj, shprehen të gatshëm për koalicione me të gjitha partitë politike, por me më shumë preferenca ndaj LDK-së sesa PDK-së.

Sondazhi ka përfshirë edhe pyetjet në lidhje me përfshirjen e qeverisë së ardhshme të Kosovës në bisedime me Serbinë, ku qytetarët kërkojnë një maturi dhe mosnxitim për këto bisedime, si dhe preferojnë që përfaqësimi të bëhet përmes një ekipi unifikues.