Ndërlidhjet

KQZ shpall rezultatet preliminare, PDK fiton 33.5 %


Qendra e numërimit të votave në Prishtinë.
Qendra e numërimit të votave në Prishtinë.
Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

Sipas tyre, Partia Demokratike e Kosovës kryeson me 33.5 për qind, ndërsa pasohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 23.6% dhe Lëvizja Vetëvendosje me 12.2% të votave.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës radhitet e katërta me 10.8% dhe pas saj Aleanca Kosova e Re me 7.1%, Lidhja Demokratike e Dardanisë me 3.3% dhe Fryma e Re me 2.2% të votave.

Dy partive të fundit u pamundësohet hyrja në Kuvendin e Kosovës, meqë nuk kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor prej 5%.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se deri më tash janë numëruar 99% të votave.

“Vlen të theksohet se ky rezultat është preliminar. Ka 23 vendvotime që nuk janë futur në këto rezultate, prej të cilave 10 vendvotime i takojnë komunës së Prishtinës, ndërsa 13 të tjera komunave të ndryshme”,
sqaroi Daka.

Kryetarja e KQZ-së e vlerësoi lart ecurinë e procesit zgjedhor të së dielës.

“E vlerësoj shumë të suksesshëm procesin e votimit”, u shpreh ajo, duke mos dashur të flasë për parregullsitë eventuale.

“Në qoftë se ka shkelje, për atë do të vendosë Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Nuk mund të paragjykoj nëse ka shkelje ose jo, pa e marrë përgjigjen prej PZAP-it”, tha Daka.

Por, mekanizmi që merret me shqyrtimin e ankesave, përkatësisht PZAP-i, ka pranuar 171 ankesa të partive politike për, siç thuhet, parregullsi në ditën e zgjedhjeve.

Kryeshefi i Sekretariatit të PZAP-it, Mul Desku, shpjegoi:

Nga subjektet politike, në Panelin Zgjedhor të Ankesave dhe Parashtresave gjatë ditës së sotme kanë arritur 131 ankesa”, tha ai, për të shtuar se 40 të tjera janë paraqitur gjatë ditës së votimeve.

Desku tha se ankesat kanë arritur kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje, por edhe nga Aleanca Kosova e Re dhe disa parti të tjera.

Po sot, koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” njoftoi se, pas publikimit të rezultateve për 51% të vendvotimeve në Kosovë, nuk do të dalë me rezultate preliminare për pjesën tjetër deri në, siç thuhet, identifikimin e parregullsive.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka bërë të ditur se kur do të dalë me rezultatet përfundimtare, meqë fillimisht duhen shqyrtuar ankesat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG