Manipuluesit me vota, mund të dënohen

Fotografi ilustruese

Personat, për të cilët dyshohet se kanë manipuluar me votën e qytetarëve gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit, mund të dënohen deri me 5 vjet heqje lirie, thonë njohësit e sistemit të drejtësisë në Kosovës.

Sipas tyre, vjedhja e votës ose keqpërdorimi i saj mund të konsiderohet si vepër penale dhe ekzistojnë mundësi ligjore për ndjekjen e manipuluesve.

Ish-kryetari i Komisionit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, Tahir Rrecaj, thotë se manipulimi me vota është i dënueshëm.
Kodi Penal i Kosovës parasheh pesë vepra penale që kanë të bëjnë me dënimet për shkak të manipulimeve, mashtrimeve, falsifikimeve dhe parregullsive të tjera.


“Mundësitë ligjore ekzistojnë. Kodi Penal i Kosovës parasheh pesë vepra penale që kanë të bëjnë me dënimet për shkak të manipulimeve, mashtrimeve, falsifikimeve dhe parregullsive të tjera. Prandaj, duhet që të gjithë ata që dyshohen se eventualisht kanë manipuluar me vota, ose veprimet e tyre paraqesin elemente të ndonjërës nga këto vepra penale, të denoncohen në Prokurori”
, thotë Rrecaj.

Rrecaj, i cili ka qenë edhe prokuror komunal, thotë se duhet që patjetër të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore që keqpërdoruesit e votave të dënohen, në të kundërtën, siç shprehet ai, kjo dukuri do të përsëritet.

“Vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohen këto manipulime me votat, edhe nga zgjedhjet e kaluara, po edhe në këto zgjedhje, që ndodhën në një masë jashtëzakonisht të madhe. Qëllimi i dënimit është parandalimi i kryerjes së veprave penale - ndikimi preventiv”,
vlerëson Rrecaj.

Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar, KZAP-i (Komisoni Zgjedhor pë Ankesa dhe Parashtresa), kishte paraqitur në Prokurori mbi 100 raste të personave që kanë manipuluar me votat e qytetarëve.

Ndryshe, kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, ka angazhuar prokurorë nga shtatë prokuroritë komunale të Kosovës për t’u marrë me mbledhjen e provave për keqpërdorimin e votave në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën më 12 dhjetor.

Zëdhënësja në Prokurorinë e shtetit, Liridona Kozmaqi, shpjegon:

“Pas ankesave të shumta të dala në media nga subjekte politike dhe qytetarë të ndryshëm, se ka pasur vjedhje të votave në zgjedhjet e fundit, kryeprokurori Kabashi ka kërkuar nga të gjithë kryeprokurorët komunalë që të hetohen të gjitha ato dyshime dhe të vërtetohen se a janë dyshime të bazuara, apo jo”.


Nga ana tjetër, Shukri Sylejmani, kryesues i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, shpreh gatishmërinë e institucionit që drejton që të gjitha provat që kanë pasur në dorë gjyqtarët e PZAP-it, të kalojnë në duar të prokurorëve për ndjekje penale.
Ne, tashmë, i kemi ofruar ato me vendimin tonë që kemi marrë.


“Ne, tashmë, i kemi ofruar ato me vendimin tonë që kemi marrë. Dihet, ne aty kemi konstatuar ato parregullsi, ato marifete, të cilat kanë shkaktuar anulimin e zgjedhjeve në ato qendra votimit, por plus edhe të gjeturat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që ka konstatime”,
sqaron Sylejmani.

Ndryshe, ditë më parë Lëvizja FOL ka kërkuar nga kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, të ngrejë padi penale ndaj komisionerëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në 21 qendrat e votimit ku Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka konstatuar se ka pasur manipulim të votave dhe parregullsi.

Lëvizja FOL ka konsideruar që me veprimet e tilla është shkaktuar vepra penale: mashtrim në votime, i paraparë me nenin 180 të Kodit Penal të Kosovës.