Jostabiliteti politik dhe investimet e huaja

Sheshi Nënë Tereza në Prishtinë.

Jostabiliteti politik është një nga pengesat, të cilat bëjnë që investitorët e huaj të hezitojnë të investojnë në Kosovë, thuhet në një raport të publikuar sot nga Banka Botërore. Lidhur me këtë, njohës të çështjeve ekonomike thonë se qeveria e ardhshme duhet të angazhohet më tepër në përmirësimin e ambientit për investitorët potencialë.


Në një raport të publikuar sot nga Banka Botërore, Kosova radhitet e 11-ta nga 15 destinacionet e mundshme në mesin e vendeve ku jostabiliteti politik ndikon në investimet e huaja potenciale.

Nga vendet e rajonit, Bosnja e Hercegovina radhitet e katërta, ndërsa pas Kosovës renditet Uzbekistani, Angola dhe Kameruni.

Lidhur me këtë, njohës të çështjeve ekonomike thonë se autoritetet kompetente nuk kanë arritur ende të krijojnë një ambient të përshtatshëm për investitorët e huaj, duke marrë parasysh se ende ekzistojnë procedura burokratike karshi investitorëve ndërkombëtarë.

Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se investitorëve potencialë, në radhë të parë, u intereson stabiliteti politik. Ky i fundit, shton Musa, i ka munguar Kosovës.

“Jostabiliteti politik është faktori kyç, sepse në formulën e investitorëve të huaj, ata dëshirojnë të kenë një qartësi karshi tyre. Ne të gjithë e dimë se, sa i përket stabilitetit ekonomik, nuk mund ta parashikojmë shkallën e rrezikshmërisë, sepse vetë procesi i investimit është i ndërlidhur me një rrezik të fitimit apo të humbjes“, shprehet Musa.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se me gjithë interesimin e kompanive të huaja për të investuar në Kosovë, investitorët hezitojnë për shkak të infrastrukturës jo të duhur ligjore dhe procedurave burokratike. Këto çështje, sipas tij, do të mund të përmirësoheshin nga institucionet shtetërore.

“Pasojë mund të jetë edhe politika tregtare jo e favorshme, pastaj infrastruktura fizike. Të gjitha këto mund të shkojnë në drejtim që të bien investimet. Prandaj, Kosova duhet ta përmirësojë veten, kushtet e jetës së qytetarëve të saj. Dhe, në këtë formë, do të përmirësonte edhe thithjen e investitorëve të huaj”, thotë Shahini.

Pothuajse në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me fushën ekonomike, e ku përfshihen edhe investimet e huaja, Kosova nuk tregon rezultate pozitive.

Për këtë, Lekë Musa thotë se institucioneve të vendit u mbeten shumë punë për të bërë.

“Të eliminohen favorizimet e ndryshme, të cilat vijnë për shkaqe politike apo për shkak të ndërlidhjes së politikës me biznesin. Duhet të përmirësohet edhe efikasiteti në gjyqësi”, thekson Musa.

Agim Shahini shpreson se pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit, qeveria e ardhshme do ta përmirësojë ambientin për investimet ndërkombëtare.

“Kosova, pas zgjedhjeve, me siguri se do të ndryshojë dhe do të përmirësojë renditjen se ku gjendet (aktualisht). Me siguri se do të promovojë një demokraci të lartë, një pjekuri politike, do t’i promovojë vlerat ekonomike, që të jetë një vend më stabil dhe të renditet në vendet ku ka siguri politike e ekonomike”, thekson Shahini.

Në një raport tjetër të Bankës Botërore, të quajtur “Të bërit biznes” për vitin 2011, Kosova ishte radhitur në vendin e 173-të sa i përket mbrojtjes së investitorëve, në mesin e 183 shteteve ku është bërë matja.