Dita e Flamurit apo Dita e Shqiptarëve(?)

Prishtinë

Shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe vendet tjera, po festojnë 28 Nëntorin, që këtë vit shënon 98-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.

Prishtina është dekoruar me flamuj kuq e zi, ndërsa aktivitete të ndryshme po zhvillohen për të shënuar këtë festë.

Udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, si dhe ata të partive politike, i kanë uruar qytetarëve me rastin e kësaj feste.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka vënë kurora lulesh te shtatorja e Skënderbeut dhe ka thënë se historia e lavdishme e popullit shqiptar ka filluar me heroin kombëtar Gjegj Kastriotin - Skënderbeun.

Krasniqi ka theksuar, po ashtu, se nëntorët gjithmonë kanë sjellë të mira për shqiptarët.
Kjo festë është lidhur shumë herë në histori...

“ Kjo festë është lidhur shumë herë në histori dhe shumë herë popullit shqiptar nëntorët i kanë dhuruar lirinë, i kanë dhuruar pavarësinë, i kanë dhuruar dinjitetin dhe sot ne jemi këtu ku jemi falë këtyre heronjve që kanë qenë për breza të tërë nëpër shekuj burim frymëzimi për t’u formuar kombi dhe për t’u jetësuar lavdia dhe historia e heronjve dhe dëshmorëve të kombit”, ka thënë Krasnqi.

Por, 28 Nëntori që është shënuar gjithmonë nga shqiptarët në Kosovë si Dita e Flamurit, që nga shpallja e pavarësisë, është definuar me Kushtetutë si Dita e Shqiptarëve. Për historianin Jusuf Bajraktari, emërtimi i festës së 28 Nëntorit si Dita e Shqiptarëve, nuk ka asnjë kuptim.

“ Dita e 28 Nëntorit është një ditë e veçantë që është e njohur në histori. Nëse i referohesh historisë, duhet të thuhet dita e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Nëse ka ndonjë akt tjetër, duhet ta emërtosh me Kushtetutë, po secili vend ka të drejtë të emërtojë data të shënuara, po kjo siç është emërtuar, dihet që është një kompromis në mes të përfaqësuesve shqiptarë dhe negociatorëve ndërkombëtarë”,
është shprehur Bajraktari për Radion Evropa e Lirë.

Bajraktari, i cili është edhe drejtor i Institutit të Historisë, ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës duhet të ndryshojë edhe për faktin që kjo festë është e njohur me një emër tjetër, duke humbur kështu rëndësinë që ka pasur brez pas brezi për shqiptarët.
Çdo gjë duhet të emërtohet me emrin e vet, pra nuk është aq faji i ndërkombëtarëve, sa është i përfaqësuesve të shtetit tonë, të cilët në momentin vendimtar e kanë pranuar një akt të përulur.

“Çka do të thotë e shqiptarëve? 28 Nëntori kudo që festohet, kremtohet si dita e pavarësisë. Do të thotë, siç është akti kulmor, sepse popujt nuk mund të diskriminohen. Çdo gjë duhet të emërtohet me emrin e vet, pra nuk është aq faji i ndërkombëtarëve, sa është i përfaqësuesve të shtetit tonë, të cilët në momentin vendimtar e kanë pranuar një akt të përulur”
, është shprehur Bajraktari.

Nga ana tjetër, sociologët kanë vlerësuar se në bazë të Kushtetutës së Kosovës, festa e 28 Nëntorit është bërë në një farë mënyre si festë administrative. Sociologu Shemsi Krasniqi ka shprehur druajtjen se kësaj feste po i humb rëndësia që kishte për vite të tëra.

“ I ka humbur ai karakteri real që e ka pasur gjatë historisë, po në mendjet dhe në zemrat e shqiptarëve kjo nuk mund të bëhet aq administrative, ose aq formaliste, sepse vërtet memoria jonë dhe konstitucioni ynë psikik e ka krijuar edhe e ka bërë festë të brendshme - festë, e cila përjetohet thellë”
, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Krasniqi.

Por, si e festojnë dhe si e quajnë vetë qytetarët e Kosovës 28 Nëntorin? Aziz Shala nga Prishtina është shprehur:

“E festoj 28 Nëntorin kur Ismajl Qemajli më 1912 e shpalli pavarësinë. Pra, atë që e ka shpallur ai, atë e festoj. Kjo e jona është një plus tjetër”.


Edhe Bahri Syla ka thënë se 28 Nëntori është ditë e kombit shqiptar dhe si e tillë duhet të festohet.

“ Është ditë e kombit, është Dita e Flamurit e gjithë shqiptarëve... Kjo është festë e gjithë shqiptarëve edhe ne e kemi flamurin e shtetit të Kosovës, ai është flamur i shtetësisë. Por, flamuri i kombit është diçka tjetër edhe do ta festojmë gjithmonë ”
, ka thënë Syla.

Ndërkaq, Oriola Rrokaj, e cila kishte ardhur nga Shqipëria për të festuar 28 Nëntorin, është shprehur:

“Është hera e parë që jemi këtu për të festuar festën e 28 Nëntorit, për të festuar diçka më ndryshe sesa që e festojmë në Shqipëri. Po festohet ne mënyrë shumë të bukur, në mënyrë shumë miqësore, na ndalojnë njerëzit dhe përshëndetemi dhe urojmë njëri-tjetrin. Mendoj që nuk ka gjë më të bukur se sa kjo, përtej Kushtetutës dhe përtej gjërave që shkruhen”.


Ligji për festat zyrtare i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, ka precizuar qartë se 28 Nëntori nuk është festë zyrtare, por bën pjesë në ato që quhen ditët memoriale.