EULEX-i me rol teknik në bisedime?

Fotografi ilustruese

Shefi i EULEX-it, Ksavier De Marnak, nuk ka në agjendën e vet të diskutimeve me autoritetet serbe, çështjen e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, kanë njoftuar përfaqësues të këtij misioni. Ata kanë thënë se për përfshirjen eventuale të EULEX-it në bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës e Beogradit, është i nevojshëm një vendim i Brukselit zyrtar.

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur në aspektin logjistik bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës e Beogradit dhe zbatimin e çfarëdo marrëveshjeje që do të arrihet në kuadër të këtyre bisedimeve.

Megjithatë, zyrtarë të këtij misioni kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se është ende herët të flitet për përfshirjen eventuale të EULEX-it në takimet e pritshme ndërmjet palëve, duke theksuar se i takon Brukselit të marrë një vendim për këtë çështje.

Zëdhënësi i EULEX-it, Hans Kristian Klasing, ka deklaruar se:
Dua të rikujtoj se jemi mision teknik për sundimin e ligjit dhe merremi me sundimin e ligjit në fushën e Policisë, Drejtësisë dhe Doganave.


“Është ende herët të flitet tani në këtë fazë. EULEX-i natyrisht se është i gatshëm të mbështesë dialogun, mirëpo përfshirja në çfarëdo forme duhet të shqyrtohet. Dua të rikujtoj se jemi mision teknik për sundimin e ligjit dhe merremi me sundimin e ligjit në fushën e Policisë, Drejtësisë dhe Doganave. Pra, nuk kemi ndonjë mandat politik”.


Pjesë e mandatit teknik të EULEX-it thuhet se janë bisedimet dhe koordinimi me shtetet e rajonit në fushën e sundimit të ligjit. Numri një i EULEX-it, Ksavier De Marnak, aktualisht po qëndron në Beograd për të thelluar, siç thuhet, bashkëpunimin me autoritetet serbe në fushën e policisë, të doganave, të drejtësisë, por edhe të ekonomisë.

Në takimet që Marnak ka zhvilluar të hënën me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë, thuhet se është arritur konsensus për “rritjen e angazhimeve në luftën kudër krimit të organizuar-veçanërisht kundër trafikimit me narkotikë dhe armë”.

Përfaqësues të EULEX-it, kanë njoftuar, gjithashtu, se pjesë e diskutimeve me palën serbe ka qenë dhe veriu i Kosovës, mirëpo kanë mohuar që bisedimet të kenë qenë apo të jenë pjesë e këtyre diskutimeve.

Mediat vendore raportuan ditë më parë për vendimin lidhur me përfshirjen e EULEX-it në bisedimet politike ndërmjet palës kosovare e asaj serbe – vendim, i cili thuhet se është marrë nga shefja e diplomacisë evropiane, Ketrin Eshton.

Kjo e fundit, të paktën ende jo zyrtarisht, nuk ka formuar ekipin e diplomatëve evropianë që do të ndërmjetësonin bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
Nuk pres që shefi i EULEX-it të mandatohet me një rol të tillë, pikërisht për arsyen, sepse ai ka një punë “full-time” këtu në Kosovë...

Mundësia që shefi i EULEX-it, De Marnak, të jetë pjesë e këtij ekipi është hedhur poshtë nga analistët në Prishtinë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillimin e Politikave, Krenar Gashi, ka thënë se De Marnak ka punë teknike për të kryer në fushat e sundimit të ligjit në Kosovë.

“Nuk pres që shefi i EULEX-it të mandatohet me një rol të tillë, pikërisht për arsyen, sepse ai ka një punë “full-time” këtu në Kosovë, e cila është përkrahja e institucioneve të Kosovës për sundim të ligjit”
, ka theksuar Gashi.

Gashi ka thënë se EULEX-i mund të ketë një rol lehtësues teknik dhe këshillues për autoritetet kosovare lidhur me temat, në trajtimin e të cilave është i mandatar ky mision. Mirëpo, ai ka theksuar, se bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë duhet të udhëhiqen nga përfaqësues politikë të të dyja shteteve.

“Roli i EULEX-it në këto bisedime me Serbinë mund të jetë më i madh në aspektet e sundimit të ligjit për arsye se EULEX-i ka qenë ndërmjetësues në komunikimin e përditshëm të autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Serbisë në këto fusha”
, ka shtuar Gashi.

Ndonëse ende asgjë nuk është precizuar nga palët përgjegjëse, bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit pritet të zhvillohen pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë.