Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë mbështet ngritjen çështjeve të veçanta lidhur me veriun e vendit në bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Pavarësisht përpjekjeve, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ende të shtrijë në tërësi autoritetin e saj në veri të Mitrovicës. Institucionet themelore për sundimin e ligjit në veri, si gjykatat dhe doganat, aktualisht funksionojnë vetëm bazuar në punën e përfaqësuesve të misionit evropian për forcimin e sundimit të ligjit.
Deri më tani nuk është përjashtuar mundësia që zgjidhjet për rikthimin e punonjësve vendorë në këto institucione, të gjenden në bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë.
Mirëpo, në Zyrën Civile Ndërkombëtare thonë se i takon palës serbe e asaj kosovare të vendosin për agjendën e bisedimeve dhe diskutimin e çështjeve të veçanta, të ndërlidhura me veriun e Kosovës.
Zëdhënësi i ICO-së, Kai Mueller Berner, shpjegon:
“Caktimi i agjendës së dialogut u takon Prishtinës e Beogradit dhe, siç kemi thënë dhe më parë, nëse ka çështje individuale që ndërlidhen me veriun e Kosovës, për të cilat Prishtina e Beogradi janë pajtuar që të diskutojnë, atëherë do të duhej ta bënin”.
“Ne natyrisht se mbështesim të gjitha përpjekjet e institucioneve kosovare për të arritur te banorët dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës”, thotë Mueller Berner për Radion Evropa e Lirë.
Në javët dhe muajt e shkuar, në veri të lumit Ibër ka pasur një varg incidentesh, si shenjë pakënaqësie të serbëve lokalë për shkyçjen e operatorëve ilegalë serbë në veri të qytetit.
Përveçse ka shkaktuar probleme lidhur me telekomunikacionin, kundërshtimi i serbëve të veriut ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës i ka lënë pa staf vendor edhe doganat e gjykatat në atë pjesë të vendit.
Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, bën të ditur se në gjykatat në veri janë të angazhuar 7 gjykatës e 4 prokurorë ndërkombëtarë, ndërsa në komponentin e doganave të EULEX-it në veri punojnë 44 persona, në radhët e të cilëve nuk janë doganierët kosovarë.
Krasniqi thotë se u takon autoriteteve vendore të vendosin se kur mund t’i kthejnë doganierët e tyre në pikat 1 dhe 31 në veri. Por, ai shpreh bindjen se, sikurse për doganat, ashtu dhe për gjykatat, duhet ketë zgjidhje, siç e quan ai, pragmatike ndërmjet palëve të përfshira.
“EULEX-i është i interesuar që, si doganierët, ashtu dhe gjykatësit e prokurorët vendorë, të kthehen në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë, respektivisht në Doganat e Kosovës”.
“Nuk varet nga EULEX-i se kur do të kthehen ata, pasi që nuk është çështje në të cilën përfshihet vetëm EULEX-i. Do të thotë, duhet të gjendet një zgjidhje pragmatike, ku do të ishin të përfshira të gjitha palët”, thotë Krasniqi.
Ndikimi i Beogradit zyrtar në gjetjen e zgjidhjeve që kanë të bëjnë me problemet e ndërlidhura me veriun e Kosovës, nuk hidhet poshtë në Zyrën Civile Ndërkombëtare. Megjithatë, zëdhënësi i kësaj zyre, Mueller Berner, thotë se të gjitha ndërhyrjet eventuale të shtetit serb në fusha të ndryshme në Kosovë, duhet të bëhen në kuadër të Planit të Ahtisarit.
“Propozimi gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës parasheh një rol transparent dhe publik për Republikën e Serbisë lidhur me ndihmën financiare për komunat në Kosovë, si për shembull në shëndetësi apo edukim”, thekson ai.