KQZ: LDK e PDK në balotazh, AAK kundërshton

Fotografi ilustruese

Zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbrëmë kanë publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Rahovecit. Sipas këtyre rezultateve, listës i prijnë kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Kryeziu, dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhelal Canziba, të cilët do të garojnë në balotazh. Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të hënën ka reaguar duke thënë se kanë gjetur parregullsi, të cilat janë të argumentueshme dhe se kandidati i tyre, Smajl Latifi, ka vota të mjaftueshme për të hyrë në balotazh.


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të hënën ka treguar mospajtueshmëri me rezultatet preliminare të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Rahovecit, të cilat mbrëmë i ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Blerim Kuçi, sekretar organizativ i AAK-së dhe shef i shtabit për zgjedhjet në Rahovec, thotë se rezultatet e publikuara nga KQZ-ja nuk përputhen me raportet që dalin nga formularët e përputhjes së të dhënave, formular këta kryesorë që nënshkruhen nga anëtarët e të gjitha partive politike.

Zoti Kuçi thotë se janë gjetur tre formularë nga tri vendvotime, në të cilët figuron se kandidatit të AAK-së për kryetar të komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i është zbritur numri i votave të numëruara.

“Në bazë të të dhënave dhe fakteve të argumentuara, del se kandidati i AAK-së, Smajl Latifi, është dëmtuar për 457 vota”
, thotë Kuçi.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare, të cilat i ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Kryeziu dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhelal Canziba, do të garojnë në balotazh.

Rahoveci
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka ka thënë se listës së kandidatëve me më së shumti vota për kryetar të komunës së Rahovecit i prin kandidati i LDK-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidati Ibrahim Kryeziu, 5,211 vota, 28.3 për qind; Partia Demokratike e Kosovës - Xhelal Canziba, 4,952 vota, 26.9 për qind; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës - Smajl Latifi, 4,740 vota, 25.8 për qind; Aleanca Kosova e Re - Rexhep Oruqi, 3 mijë e 21 vota, 16.4 për qind; Lidhja Demokratike e Dardanisë - Luljeta Kadiri, 473 vota, 2.6 për qind”,
ka bërë të ditur Daka.

Por, sekretari organizativ i AAK-së, Blerim Kuçi, thotë se pas gjetjes së parregullsive, të cilat, sipas tij, janë të argumentuara, renditja e listës ndryshon dhe se kandidati i AAK-së hyn në balotazh.

“Pas ndryshimeve të argumentuara, rezultati është si më poshtë: Ibrahim Kryeziu nga LDK- 5,370 vota, Smajl Latifi nga AAK- 5,197 vota, Xhelal Canziba nga PDK-5, 029 vota , Rexhep Oruqi nga AKR – 3 mijë e 52 vota, Luljeta Kadiri nga LDD – 478 vota. Në bazë të këtyre të dhënave të argumentuara, ne kemi kërkuar nga KQZ që t’i pranoj këto ndryshime dhe ndaj përgjegjësve të ndërmerren masa ligjore”
, thotë Kuçi.

Në anën tjetër, zyrtarët e KQZ-së kanë deklaruar se procesi zgjedhor në Rahovec ka kaluar pa ndonjë parregullsi domethënëse për vetë procesin.

Ndërkaq, kandidatët që, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së do të garojnë me balotazh për kryetar të Rahovecit, e kanë vlerësuar procesin zgjedhor dhe rezultatin e arritur.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Kryeziu, ka thënë se gara ka qenë e fortë:

“Është me rëndësi që LDK-ja në këtë garë ka dalë parti e parë. Ka qenë një garë mjaft sfiduese. Nuk i frikohem balotazhit. Ne do t’i bëjmë të gjitha organizimet që vërtet të mos ketë ndonjë befasi eventuale kur të mbahet balotazhi”.

Ndërkaq, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhelal Canziba, ka theksuar:

“Ne e dimë që jemi në zgjdhje të jashtëzakonshme, por realiteti është që fushata ka qenë e qetë, demokratike. Por edhe procesi zgjedhor ka shkuar në mënyrë të qetë, ‘fer’ dhe demokratike”.


Sido që të jetë, zyrtarët e KQZ-së kanë paralajmëruar se Qendra e Numërimit të Rezultateve do t’i shpallë rezultatet pas dy ditësh, pasi që të bëhet edhe numërimi i votave me kusht, votat e votuesve me nevoja të veçanta dhe të atyre përmes postës.