Serbët do të votojnë, por jo në veri

Fotografi nga arkivi

Analistët e çështjeve politike në Kosovë vlerësojnë se pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet parlamentare, më 12 dhjetor, do të jetë e lartë vetëm në enklavat, ku jetojnë serbët në Kosovën qendrore. Ardian Arifaj nga Klubi për Politikë të Jashtme, thotë se është e pritshme një gatishmëri e madhe e serbëve të Kosovës qendrore për të dalë në zgjedhje. Por, sipas tij, rrethanat në veri të vendit nuk lënë vend për optimizëm. Edhe analisti Shkëlzen Maliqi vlerëson se gatishmëria e serbëve të Kosovës qendrore është që të dalin në zgjedhje. Sipas tij, duhet krijuar mundësitë që zgjedhjet të mbahen edhe në veri të vendit.

Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Kosovës, më 12 dhjetor, pritet të jetë e kënaqshme vetëm në enklavat ku ata jetojnë në pjesën qendrore të vendit, por nuk ka shenja se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe në veri, vlerësojnë analistët e çështjeve politike.

Analisti Ardian Arifaj nga Klubi për Politikë të Jashtme, thotë se mundësitë për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje janë larg më të mira se në zgjedhjet e kaluara, për dy arsye:

“E para, Qeveria serbe nuk ka qenë aq eksplicite dhe këmbëngulëse në insistimet e saj që serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhje. E dyta, tashmë sikur është thyer akulli dhe serbët kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës dhe kanë përfituar nga pjesëmarrja në Kuvendin e Kosovë, por edhe nga qeverisjet në disa komuna. Për këtë arsye, mund të pritet që të ketë një gatishmëri më të madhe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 12 dhjetorit”
.

Arifaj, gjithashtu, ka potencuar se pritjet pozitive ekzistojnë vetëm për daljen e serbëve në zgjedhje në pjesën qendrore të Kosovës. Ndërkaq, sa i përket veriut të vendit, lidhur me këtë çështje, Arifaj është shprehur skeptik.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Shkëlzen Maliqi, i cili thotë se për shkak të presionit të madh që kanë serbët në veri të Kosovës nga forcat, siç i quan ai, ekstremiste, vështirë se do të shënohet ndonjë pjesëmarrje domethënëse. Por, siç thotë Maliqi, në Kosovën e brendshme pritjet janë mjaft pozitive.
Pjesëmarrja në zgjedhje e serbëve në Graçanicë dhe në komunat tjera, besoj se do ta kthejë situatën dhe do ta neutralizojë bojkotin në Mitrovicë...


“Në Kosovën e brendshme, në këto komuna me shumicë serbe, është një disponim krejt tjetër. Besoj se do të vërtetohet ajo që kemi pasur në zgjedhjet lokale. Pjesëmarrja në zgjedhje e serbëve në Graçanicë dhe në komunat tjera, besoj se do ta kthejë situatën dhe do ta neutralizojë bojkotin në Mitrovicë dhe pamundësinë që, të paktën disa grupe atje të votojnë dhe të provojnë që të integrohen në shoqërinë kosovare, në shtetin e Kosovës”
, vlerëson Maliqi.

Të dy këta analistë shprehin mendimin se institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, duhet të përpiqen që të paktën t’ua krijojnë mundësitë serbëve në veri të Kosovës për të dalë në votime, pavarësisht se cila do të jetë gatishmëria e tyre për pjesëmarrje në to.

Por, sipas analistit Arifaj, organizimi i zgjedhjeve në veri, do të jetë një mision shumë i vështirë për institucionet e Kosovës, duke pasur parasysh edhe zhvillimet e fundit në terren, mbi lumin Ibër.

“Kemi pasur një 'puç' politik të partive radikale në veri, të cilat i kanë larguar edhe nga pushteti paralel dhe ilegal partitë më pak radikale, sikurse është Partia Demokratike (DS). Kemi pasur madje edhe një 'puç' religjioz me Artemijen, i cili ka mbajtur liturgji atje, në mënyrë të palejueshme, sipas Kishës Ortodokse Serbe”.


“Pra, atje kemi një përshkallëzim të gjendjes. Kemi një theksim të radikalizmit që besoj se ka për të penguar çfarëdo prospekti për zhvillimin e zgjedhjeve të Kosovës dhe pjesëmarrjen e kënaqshme të serbëve në zgjedhje, në veri”
, thotë Arifaj.

Ndërkaq, analisti Maliqi, thotë se pavarësisht rrethanave në veri të Kosovës, është i pritshëm organizimi i zgjedhjeve edhe në këtë pjesë të vendit.
...për serbët që janë atje dhe kanë vullnet që të dalin në zgjedhje, ende është deri diku rrezik.


“Me sa di, diçka e tillë po përgatitet, të paktën në ato pjesë që janë nën kontrollin më efektiv ose ka popullsi shqiptare, boshnjake dhe ata që duan të marrin pjesë në zgjedhje. Por, për serbët që janë atje dhe kanë vullnet që të dalin në zgjedhje, ende është deri diku rrezik”.

“Kanë presione të mëdha. Ju e shihni se ditët e fundit gati se çdo natë e çdo ditë ka ndonjë bombë. Është një lloj presioni, sidomos ndaj serbëve të moderuar ose të cilët duan të marrin pjesë në institucionet e Kosovës dhe në zgjedhje”,
shprehet Maliqi.

Sido që të jetë, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 dhjetorit tashmë janë paraqitur 6 parti dhe dy nisma qytetare serbe. Përderisa shumica e politikanëve serbë të Kosovës qendrore kanë apeluar te komuniteti serb për të marrë pjesë në zgjedhje, politikanët e veriut të Kosovës kanë bërë të kundërtën.