Drejtësia në Kosovë vazhdon të jetë e brishtë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci. Ai thekson se reformat vazhdojnë.
RADIO EVROPA E LIRË
Raportet e fundit të organizatave të ndryshme ndërkombëtare sërish kanë kritikuar sistemin e drejtësisë në Kosovë. Si e vlerësoni ju gjendjen aktuale në drejtësi?
ENVER PECI
Fillimisht, kam thënë se sistemi gjyqësor në Kosovë me të vërtetë ka qenë i brishtë dhe duhet kohë që ky sistem të jetë funksional, në kuptimin e plotë të fjalës, dhe të rritet besimi i qytetarëve.
Unë, ndoshta, do të flisja pak më tepër nga aspekti i Raportit të Progresit i 2010-ës për Kosovën i Komisionit Evropian. Me gjithë kritikat që unë i pranoj se ka në atë drejtim, Raporti në fjalë thekson se ka pasur progres në sektorin gjyqësor. Në pika të shkurtra mund të cek se ky progres konsiston në procesin e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe, në përgjithësi, thotë se Kosova ka shënuar progres në këtë sektor.
Si kryesues i Këshillit, me të vërtetë nuk jam i kënaqur me të gjitha të arriturat. Para tetë muajsh unë kam ardhur në këtë pozitë dhe me të vërtetë janë ndërmarrë disa hapa.
Ne jemi në procesin e adresimit të sfidave që e presin sistemin gjyqësor dhe ato sfida janë të mëdha. Po mundohemi që sfidat t’i vëmë në prioritet, ato çka janë më aktuale, kështu që besoj se në një kohë të arsyeshme edhe këto mangësi që i ka konsistuar ky raport, do t’i përmirësojmë.
RADIO EVROPA E LIRË
Thuhet se në sistemin e drejtësisë dhe në procesin e reformimit po ndikon politika. Si mendoni ju?
ENVER PECI
Nuk e di tash në çfarë aspekti Raporti i Progresit e përmend këtë që ka pasur ndikime politike në sistemin gjyqësor! Ndoshta është menduar edhe pak në procesin e riemërimit dhe emërimit të gjyqtarëve, mirëpo unë personalisht mund t’ju them që tek unë nuk ka ndikuar dikush në mënyrë të drejtpërdrejtë sa i përket këtij procesi.
Nuk e di tash a adresohet edhe Raporti edhe në aspektin e sistemit të drejtësisë në përgjithësi, domethënë prej kompetentëve të tjerë, prej ndjekjes, prej Prokurorisë, Gjyqësisë! Them të drejtën, unë nuk kam njohuri në këtë drejtim për diçka konkrete, domethënë se çka.
RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të përfundojë procesi i reformimit dhe a ka kuadro të mjaftueshme për këto pozita?
ENVER PECI
Procesi i reformës së sistemit gjyqësor është në dy aspekte, domethënë në dy fusha: procesi i riemërimit dhe emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe procesi i kompletimit të legjislacionit adekuat për funksionimin normal të sistemit gjyqësor.
Faza e riemërimit dhe emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që udhëhiqet prej komisionit të pavarur gjyqësor prokurorial, ka përfunduar në një aspekt. Jam i kënaqur pjesërisht, jam i kënaqur në kuptimin e asaj se përzgjedhja e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë ka qenë e kënaqshme, ngase është bërë një punë shumë e madhe.
Është verifikuar secili kandidat në mënyrë të paanshme prej një komisioni të paanshëm ndërkombëtar, fillimisht, i cili më vonë është plotësuar edhe me komisionarë vendorë. Ndërsa, nuk jam i kënaqur me faktin se motivimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve për këto pozita ka qenë i ulët, kështu që nuk kemi mundur t’i plotësojmë të gjitha vendet e kërkuara sipas konkursit që ka shpallur Komisioni i Pavarur.
Kështu, për momentin kemi mbetur pa i plotësuar edhe 120 vende, që janë gjyqtarë dhe prokurorë. Ne, sipas një parametri, mendojmë që deri kah qershori t’i plotësojmë të gjitha nivelet, mirëpo me të vërtetë ne varemi edhe prej numrit të të interesuarve.
Meqenëse prej vitit të ri pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë rritur ndjeshëm, janë barazuar me pushtetin ekzekutiv, besoj që me numrin e kandidatëve do të plotësohemi disi, edhe pse varemi edhe prej një faktori- kriteri tjetër, që ne mund të llogarisim vetëm në ata gjyqtarë dhe prokurorë që i kanë kaluar kriteret, testin e etikës provimin hyrës e të ngjashme.
RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të funksionalizohen gjykatat në veri të Mitrovicës?
ENVER PECI
Problemi i Mitrovicës është një problem politik. E ka tejkaluar Këshillin Gjyqësor sa i përket vendimmarrjes, në këtë drejtim. Janë disa biseda, përpjekje, mirëpo me të vërtetë edhe situata politike po ndikon për funksionalizimin e këtyre gjykatave.
Unë nuk e di se si do të rrjedhë çështja e bisedimeve, mirëpo është edhe një rrezik i madh në qoftë se ne hyjmë në bisedime sa i përket funksionalizimit të atyre gjykatave, ngase pushteti në Beograd është duke bërë presion të madh ndaj kandidatëve të nacionalitetit serb dhe po e pamundëson kryerjen e punëve, për të cilat ata janë përcaktuar.
RADIO EVROPA E LIRË
Keni përmendur disa herë mungesën e ligjeve themelore në drejtësi. Sa është bërë nga legjislativi në këtë drejtim dhe pse Gjyqësori nuk përfshihet në përpilimin e ligjeve?
ENVER PECI
Në kohën e fundit, për fat të mirë, janë miratuar ligjet bazike për funksionimin e sistemit gjyqësor, domethënë Ligji për gjykatat, Ligji mbi Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial, dhe Ligji për Prokurorinë e shtetit.
Domethënë, këto katër ligje, që kanë munguar si ligje bazike, janë aprovuar. Në fakt, kohët e fundit ka qenë njëfarë koordinimi edhe sa i përket Gjyqësorit në përpilime.
Nuk jemi të kënaqur sa i përket asaj se prej fillimit nuk kemi qenë të inkuadruar në përpilimin e ligjeve, që do ishin me siguri më kualitative, por unë shpresoj se në të ardhmen edhe legjislativi do ta kuptojë se pa ata që e zbatojnë ligjin, edhe ligji ka për të qenë i dobët.