Përfaqësues shtetërorë të Kosovës, të partive opozitare dhe ata të shoqërisë civile thanë se roli lehtësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit është i domosdoshëm për përfundimin e suksesshëm të këtij procesi. Qytetarët, ndërkaq, thanë se e shohin Uashingtonin si “ndarës të drejtësisë” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Autoritetet kosovare duan të shohin një rol aktiv ndërmjetësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bisedimet e ardhshme ndërmjet Prishtinës e Beogradit zyrtar.
Zyrtarë të lartë amerikanë ritheksuan, ditë më parë, mbështetjen e Uashingtonit për zhvillimin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, mirëpo në Kosovë thanë se shndërrimi i kësaj mbështetjeje në një rol lehtësues të bisedimeve karshi atij të Bashkimit Evropian, është i domosdoshëm.
Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u shpreh në favor të rolit lehtësues amerikan në bisedimet me Serbinë, edhe pse me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme parashihet që rolin prirës në këtë çështje ta ketë BE-ja.
“Konsiderojmë se për të qenë më të lehta dhe më të besueshme, e më të suksesshme këto bisedime, si lehtësues do të ishin edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Krasniqi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri më tani, kanë qenë të përfshira në proceset kryesore diplomatike ndërmjet Kosovës e Serbisë, si në bisedimet në Rambuje, apo në negociatat e Vjenës, në të cilat, përveç përfaqësuesit të Bashkimit Evropian dhe atij të Rusisë, në të ashtuquajturën “Treshen Ndërkombëtare”, figuronte dhe i dërguari i SHBA-së.
Drejtori ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme, Yll Hoxha, tha se nuk ka pasur asnjë proces të suksesshëm negociator në Ballkan pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara. Andaj, sipas Hoxhës, do të jetë i padiskutueshëm roli i Uashingtonit në bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit.
Ato raste kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të papërfshira, proceset zakonisht kanë rezultuar me dështim.
“Ato raste kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të papërfshira, proceset zakonisht kanë rezultuar me dështim. Nëse kjo është logjika e veprimit, nëse ky është parametri, me të cilin do t’i shohim zhvillimet e ardhshme, atëherë kjo tregon domosdonë e investimit amerikan në një proces, sepse ai është treguar çelësi i suksesit në proceset e kaluara”, vlerësoi Hoxha.
Qytetarët e Kosovës i shohin, siç u shprehën ata, ndarës të drejtësisë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raportet ndërmjet Kosovës e shtetit serb. Bedri Mehmeti shpjegon pikëpamjen e tij:
“Kosova ka pasur nevojë për drejtësi qysh prej shekujsh dhe besojmë se këtë radhë amerikanët po e ndajnë drejtësinë për Kosovën”.
Mendim të ngjashëm shpreh edhe Nazmi Përvetica:
“Sipas mendimit tim, janë ato (SHBA-të) që na përkrahin më shumë lidhur me drejtësinë në Kosovë, sesa Evropa”.
Ish-anëtari i ekipit kosovar në negociatat e Vjenës, njëherësh nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, tha se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun Prishtinë-Beograd nuk do t'i dëmtojë interesat e Serbisë.
Gjini theksoi se kërkesat e zyrtarëve serbë që flasin për futjen të faktorëve të tjerë, si Kombet e Bashkuara apo Rusia, në bisedimet ndërmjet palëve, vetëm se do t’i komplikonin punët.
Këto kërkesa, të cilat po i bën Serbia, janë kërkesa të çuditshme...
“Mendoj se këto kërkesa, të cilat po i bën Serbia, janë kërkesa të çuditshme, për shkak se realisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kundër interesave të Serbisë, të paktën jo kundër interesave të një Serbie demokratike. Mendoj se janë vetëm çështje, të cilat shkojnë drejt komplikimit kundrejt Kosovës dhe nuk kanë të bëjnë me diçka tjetër”, tha Gjini.
Agjenda, formati dhe koha e bisedimeve për, siç thuhet, çështje teknike ndërmjet palës serbe dhe asaj kosovare, megjithatë nuk dihen.
Autoritetet kosovare patën thënë se pas përfundimit të procesit të ardhshëm zgjedhor në vend, do t’i kenë gati strukturat adekuate, të cilat do të mund t’i nisnin këto bisedime.
Në Beograd thonë se nisja e bisedimeve me Kosovën po zvarritet për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se pengesë në kontaktet dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë historikisht ka qenë pala serbe, e jo ajo kosovare.
Kosova në asnjë kohë, e në asnjë fazë nuk ka qenë kundër bisedimeve me palën serbe.
Krasniqi theksoi rëndësinë për nisjen e dialogut përmes shqyrtimit të çështjeve, siç i quajti ai, të lehta teknike.
“Realisht, ne duhet të fillojmë, por duhet të fillojmë me këto bisedime që janë më të lehta. Me një fjalë, Kosova në asnjë kohë, e në asnjë fazë nuk ka qenë kundër bisedimeve me palën serbe”, theksoi Krasniqi.
Lexoni edhe këtë: Clinton: Do të jem avokatja juaj