Ndërlidhjet

Mbështetja për Kosovën


Prishtina në pritje të Clintonit...
Prishtina në pritje të Clintonit...
Vizita e Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, në Kosovë, e cila pritet të ndodhë nesër, është me rëndësi të veçantë, për shkak se bëhet në kohën kur Kosova po kalon në disa procese, vlerësojnë politikanët në Kosovë, si dhe analistët e çështjeve politike.

Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, thotë se vizita e zonjës Clinton ka domethënie dhe rëndësi të madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe institucionet e vendit.

Vizita e zonjës Clinton është e rëndësisë së madhe për Kosovën, por edhe për proceset nëpër të cilat po kalon rajoni. (Është e rëndësishme) veçanërisht për procesin në të cilin është Kosova, që duhet sa më shpejt t’i mbajë zgjedhjet dhe të fillojë dialogun (me Serbinë), i cili është i mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian, edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thotë Haliti.

Ai pret që vizita e Sekretares amerikane të Shtetit në Kosovë t’i inkurajojë institucionet kosovare për të filluar dialogun me Serbinë, si dhe të sigurojë mbështetjen amerikane gjatë këtij dialogu.

Ndërkaq, Ahmet Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se vizita e zonjës Clinton ka domethënie për marrëdhëniet e mira në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndihmuar shumë në pavarësimin e vendit dhe në politikën që kanë ndjekur qeveria amerikane dhe shteti amerikan. Prandaj, kjo vizitë është e mirëseardhur për qytetarët dhe institucionet e Kosovës”.

“Po ashtu, jep një mesazh shumë të mirë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuara edhe për Kosovën, por edhe për marrëdhëniet në rajon”,
thekson Isufi.

Në anën tjetër, Rada Trajkoviq, politikane serbe nga Graçanica, vlerëson se vizita e kryediplomates amerikane, Clinton, po ndodh në një moment kur, sipas saj, SHBA-të dëshirojnë të bëjnë planin e qasjes në rajon.

Në këtë kuptim, sipas Trajkoviqit, Clinton po viziton zonat, të cilat janë faktorë të mundshëm të destabilizimit.

“Mendoj se pas vizitës mund të presim diçka që nënkupton politikën e Amerikës dhe mënyrën se si ajo do të kyçet në procese, posaçërisht në hapësirën e Kosovës”.

“Kjo pritet, duke pasur parasysh se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka pranuar rezolutën, me të cilën Bashkimit Evropian i jepet roli kryesor i moderatorit në bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Me siguri se Amerika dëshiron që ta definojë strategjinë e saj”,
thotë Trajkoviq.

Ajo pret që Clinton të angazhohet për mbështetjen e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, stabilizimin e gjendjes në Kosovë, si dhe gjetjen e zgjidhjeve për, siç thotë Trajkoviq, çështjen serbe.

Duke pasur parasysh paralajmërimet se Sekretarja amerikane e Shtetit do të vizitojë edhe Graçanicën, Trajkoviq pret vëmendje të orientuar lidhur me suksesin e procesit të decentralizimit.

Pres që interesimi i saj të jetë i orientuar në çështjen se sa kanë dhënë rezultate decentralizimi dhe krijimi i komunave të reja me shumicë serbe, në kuptimin e stabilizimit të popullit serb në Kosovë”.

“Kjo, për arsye se tashmë e dimë se pothuajse 92 për qind të popullsisë e përbëjnë shqiptarët, ndërsa serbët dhe bashkësitë tjera, së bashku, përbëjnë rreth 8 për qind ose ndoshta edhe më pak”,
thotë Trajkoviq.

Analisti Krenar Gashi, nga Instituti KIPRED, thotë se vizita e Sekretares amerikane të Shtetit e kthen Kosovën edhe një herë ndër prioritetet e agjendës së diplomacisë amerikane.

Sipas tij, kjo vizitë do të kishte një rëndësi edhe më të madhe, po qe se Kosova nuk do të ishte në një situatë politike çfarë është, pas dorëheqjes së ish-presidentit Sejdiu.

Por, Gashi thotë se vizita e Clintonit do të reflektojë sidomos në bisedimet e ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër këtij fakti, këtij kaosi politik në të cilin gjendet Kosova, vizita do të jetë e rëndësisë së veçantë, sepse e kthen Kosovën edhe një herë në agjendën amerikane dhe e riafirmon rolin, të cilin Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta kenë në këto bisedime”.

“Përveç kësaj, gjatë takimeve që do të ketë zonja Clinton, do të bisedohen edhe çështje të tjera, që kanë të bëjnë, qoftë me lobimin amerikan për njohjen e Kosovës, qoftë me rrugët tjera të integrimeve të Kosovës”,
thotë Gashi.

Ai pret që me vizitën e Clintonit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përçojnë mesazhin se do të jenë faktorë në procesin e bisedimeve eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Roli i SHBA-ve në bisedime është kundërshtuar nga Serbia.

Megjithëkëtë, Gashi nuk pret që kjo vizitë të ndikojë në përshpejtimin e fillimit të bisedimeve.

“Një vizitë e tillë nuk mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë për ta përshpejtuar apo formësuar procesin e ardhshëm të bisedimeve. Pra, më shumë e ka atë kuptimin moral, se Shtetet e bashkuara të Amerikës, megjithatë, do të jenë një faktor i rëndësishëm në këto bisedime”, thekson Gashi.

Lexoni edhe këtë:
NYT: Ballkani, e kaluara dhe e ardhmja

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG